Epopeja e UÇK-së, Kosova përkujton 26-vjetorin e rënies heroike të Jasharëve në Prekaz
Sulmi i gjerë që Serbia e kishte ndërmarrë në Drenicë për të eliminuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte kthyer në një rrethim të hekurt për Lagjen e Jasharëve në Prekaz, që ishte qendra dhe simboli i luftës për liri në Kosovë.
Sot shënojnë 26 vjet nga rënia e Komandantit Legjendar Adem Jasharit, që bashkë me familjen e tij dhe Jasharët e tjerë e mbrojtën Kosovën nga okupatori serb. Me rënien heroike të tij, Kosova mundi frikën dhe i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Në Lagjen e Jasharëve në Prekaz është ngritur monumenti më i madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe më 5, 6 e 7 mars të çdo viti, kombi shqiptar kthehet me respekt dhe admirim për ta kujtuar këtë ngjarje të lavdishme të historisë sonë më të re.
Edhe këtë vit, Qeveria e Kosovës ka organizuar aktivitete të shumta për shënimin e Epopesë së UÇK-së. Në orën 10:00 Kuvendi i Kosovës mbajti seancën solemne në përvjetorin e 26-të të rënies heroike të Komandantit Legjendar, ku prezentë ishin Rifat Jashari, presidentja Vjosa Osmani, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, ambasadorë e të tjerë. Në orën 12:00, mbahet ceremonia e rreshtimit të Kuadrateve të FSK-së, ku marrin pjesë edhe krerët më të lartë të shtetit.
/kultplus