Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Izraeli nuk respekton vendimet e GJND-së për parandalimin e gjenocidit

Izraeli nuk respekton vendimet e GJND-së për parandalimin e gjenocidit

Nga AHMET DURSUN

Derisa kanë kaluar dy javë që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) dha vendim për ​​masa të përkohshme kundër Izraelit në çështjen e gjenocidit të ngritur nga Afrika e Jugut, Izraeli vazhdon të mos respektojë vendimet e GJND-së, nga lejimi i ndihmave humanitare e deri te veprimet e tij të vrasjes.

Në çështjen e gjenocidit të ngritur nga Afrika e Jugut, GJND-ja vendosi më 26 janar se Izraeli duhet të përmbahet nga çdo veprim në lidhje me vrasjen, sulmin dhe shkatërrimin kundër banorëve të Gazës dhe të marrë të gjitha masat për të parandaluar gjenocidin.

Lidhur me shkeljen e Konventës së OKB-së të vitit 1948 për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit nga Izraeli, GJND-ja i kërkoi qeverisë së Tel Avivit të sigurojë në mënyrë urgjente shërbimet bazë dhe ndihmën humanitare të nevojshme kundër kushteve negative të jetesës në të cilat ndodhen palestinezët në Gaza.

GJND-ja vendosi që Izraeli të marrë masa urgjente dhe efektive për ta bërë të mundur këtë.

– Pas vendimit të GJND-së, numri i kamionëve që Izraeli lejoi të hyjnë në Gaza u ul me 40 për qind

Ushtria izraelite e cila ka pushtuar Rripin e Gazës, e ka ndarë rajonin në tre pjesë. Në zonat e ndara ka postblloqe të ushtrisë izraelite. Kalimi nga këto pika, përfshirë ndihmën humanitare, nuk lejohet pa lejen e Izraelit.

Derisa Izraeli ka kërcënuar se do të qëllojë çdo gjë që tentohet të kalohet pa lejen e tij, ai madje më 5 shkurt hapi zjarr nga deti mbi kolonën e ndihmave të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), e cila ishte në pritje për të shkuar në veri të Rripit të Gazës, pas marrjes së lejes dhe koordinimit.

Në përmbledhjen e bërë nga gazetari i AA-së nga të dhënat e publikuara nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA) në fillim të shkurtit, tërheq vëmendjen se numri i kamionëve me ndihma që kanë hyrë në Rripin e Gazës pas 26 janarit ka rënë, pavarësisht vendimit të qartë të GJND-së për dërgimin e ndihmës humanitare për civilët.

Gjatë dy javëve para 26 janarit, kur u mor vendimi i GJND-së, në Gaza hynë mesatarisht 156 kamionë ndihma në ditë dhe kur shikohen të dhënat e OKB-së për 11 ditët pas 26 janarit, shihet se mesatarja ditore e numrit të kamionëve me ndihma të lejuara ishin vetëm 93.

Sipas kësaj, pas vendimeve të GJND-së Izraeli uli me 40 për qind numrin e kamionëve që mund të hyjnë në Gaza për ndihmë humanitare. Për këtë arsye, kriza e nevojave themelore si dhe e furnizimeve me ilaçe dhe produkte shëndetësore në Rripin e Gazës ka arritur nivelin më të lartë.

Pavarësisht bllokadës para sulmit të nisur nga Izraeli më 7 tetor, mesatarja e kamionit ditor të ndihmës që hynte në Gaza ishte rreth 500.

– OKB paralajmëron për urinë

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric në deklaratën e tij më 5 shkurt tha se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka mundur të kryejë vetëm 10 nga 61 operacionet e ndihmës të planifikuara për veriun e Gazës në janar dhe të tjerët u penguan nga Izraeli.

Ai theksoi se edhe misionet e ndihmës në spitale dhe objekte shëndetësore janë bllokuar në shumicën e rasteve nga forcat izraelite. OKB-ja paralajmëron se 2.2 milionë njerëz janë në rrezik të urisë në Rripin e Gazës që ndodhet nën sulmin intensiv të Izraelit.

Sipas OKB-së, 378 mijë njerëz në Gaza përballen me urinë e nivelit 5, e cila quhet “katastrofike” ndërsa edhe 939 mijë njerëz përballen me urinë e nivelit 4 e cila njihet si “situatë emergjente” sipas shkallës së Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC).

– Izraeli nuk ka hequr dorë as nga vrasja

Pavarësisht vendimeve të GJND-së, organit më të lartë gjyqësor të OKB-së, qeveria e Tel Avivit deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të treguar se ka respektuar vendimet.

Në fakt, raportet që vijnë nga Gaza tregojnë se edhe pas 26 janarit, Izraeli ka shtuar dhunën çdo ditë e më shumë, ka vazhduar të bombardojë civilët dhe ka penguar hyrjen e shumicës së ndihmave humanitare.

Forcat e lidhura me qeverinë e Tel Avivit kanë vrarë 1.625 palestinezë dhe kanë plagosur të paktën 2.660 në Rripin e Gazës në vetëm 13 ditë që kur GJND-ja mori masa të përkohshme ndaj Izraelit.

Izraeli, i cili bombardon, pushton dhe bën të papërdorshme shumë spitale në Rripin e Gazës, goditi shumë qendra shëndetësore, përfshirë Spitalin “Nasser” në Gaza, pas vendimit të GJND-së, megjithëse u akuzua për gjenocid dhe krime lufte për këto veprime.

– Përgatitja për sulm në rajonin Rafah, ku janë grumbulluar njerëzit e zhvendosur me forcë

Në Rripin e Gazës, ku jetojnë rreth 2.3 milionë njerëz, janë zhvendosur me forcë rreth 2 milionë palestinezë. Një pjesë e madhe e të zhvendosurve janë strehuar në qytetin Rafah, që ndodhet në jug të Rripit të Gazës, në kufi me Egjiptin.

Popullsia e qytetit Rafah ku para sulmeve izraelite jetonin afërsisht 280 mijë njerëz, që nga sot është rritur më shumë se 4 herë dhe ka kaluar 1.2 milion. Për shkak të mungesës së strehimit të mjaftueshëm, shumica e këtyre palestinezëve luftojnë për të mbijetuar në kampe të përbëra nga tenda të improvizuara. Ndërsa tani qeveria izraelite po sinjalizon se do të nisë sulme tokësore në Rafah.

Pavarësisht vendimit të gjykatës për të ndaluar veprimet që mund të përbëjnë gjenocid në përputhje me nenin 2 të Konventës së Gjenocidit, vërehet se Izraeli ka zgjeruar sulmet e tij drejt qytetit jugor Rafah ku janë strehuar më shumë se gjysma e 2 milionë palestinezëve të zhvendosur dhe se Tel Avivi e ka shpallur një “zonë të sigurt”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant shpallën publikisht javën e kaluar synimin e tyre për të nisur sulm tokësor në Rafah.

Rafah ka qenë subjekt i sulmeve ajrore nga forcat izraelite prej muajsh, por sulmi i ri tokësor që pritet shkakton shqetësime se do të ndodhin tragjedi të reja në sulmet që vazhdojnë kundër civilëve në Rripin e Gazës.

Në raportin e saj më 2 shkurt, UNOCHA paralajmëroi se situata në qytetin Rafah ka arritur në “pikën e shpërthimit”. Institucioni gjithashtu edhe më 5 shkurt njoftoi se përderisa sulmet në Rripin e Gazës u intensifikuan, civilët palestinezë që vuajnë nga mungesa e ushqimit, ujit, strehimit dhe ilaçeve po dynden ende në Rafah.

 

 

/Anadolu Ajansı

Prev Post

Në 2023, fëmijët shpenzuan 60% më shumë kohë në TikTok se në YouTube

Next Post

Kombëtarja e Zvicrës përballet përsëri me Serbinë në Ligën e Kombeve

post-bars

Leave a Comment