OKB: Ndihmat në veri të Gazës, nën nivelin e nevojave/ Arrin në 26.600 numri i viktimave në Gaza
Sipas OKB-së, 378 mijë njerëz në Gaza përballen me urinë e nivelit 5, e cila quhet “katastrofike”, ndërsa edhe 939 mijë njerëz përballen me urinë e nivelit 4 e cila njihet si “situatë emergjente”
Pavarësisht përpjekjeve të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe organizatave të tjera partnere, njoftohet se shpërndarja e ndihmave në veri të Gazës po bëhet shumë nën nivelin e nevojave, transmeton Anadolu.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), në raportin e saj të fundit që ka publikuar lidhur me përjetimet në Rripin e Gazës, thotë se qasja në zonën operacionale dhe shpërndarja e ndihmave ushqimore pengohet në masë të madhe.
Në raport vihet theksi se konfliktet që vazhdojnë në Gaza, ndërsa ndërprerjet në shërbimin shëndetësor dhe mungesa e qasjes në ushqim dhe ujë të pastër e rrisin rrezikun nga uria.
“Pavarësisht përpjekjeve të OKB-së dhe organizatave të tjera partnere, shpërndarja e ndihmave në veri të Gazës po bëhet shumë nën nivelin e nevojave”, thuhet në raportin ku vihet theksi mbi sfidat me të cilat përballet Gaza dhe rëndësinë e koordinimit dhe mbështetjes së vazhdueshme të ndihmave për të plotësuar nevojat e sigurimit urgjent të ushqimit për njerëzit në situatë të vështirë. Po ashtu, në raport njoftohet se situata e kequshqyerjes tek fëmijët, gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë fëmijët me gji, është shqetësuese për shkak të problemeve të shënuara në shëndetësi dhe përkeqësimit të sigurisë ushqimore.
– Banorët e Gazës përballë urisë
OKB kishte paralajmëruar se 2.2 milion persona në Rripin e Gazës nën sulmet intensive të Izraelit, ndodhen përballë rrezikut të urisë.
Sipas OKB-së, 378 mijë njerëz në Gaza përballen me urinë e nivelit 5, e cila quhet “katastrofike”, ndërsa edhe 939 mijë njerëz përballen me urinë e nivelit 4 e cila njihet si “situatë emergjente” sipas shkallës së Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC).
Numri i palestinezëve të vrarë nga ofensiva vdekjeprurëse izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori është rritur në 26.637.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë me bazë në Gaza, Ashraf al-Qudra, në një konferencë për media njoftoi se të paktën 65.387 persona të tjerë janë plagosur në sulm.
“Sulmet izraelite kanë vrarë 215 persona dhe kanë plagosur 300 të tjerë në 24 orët e fundit. Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë dhe shpëtimtarët nuk mund t’i arrijnë ata”, tha al-Qudra.
/AA