Kina po përjeton rënie të ndjeshme të popullsisë/ 2.08 mln banorë më pak se në 2022
Popullsia e Kinës është zvogëluar për të dytin vit me radhë, duke rritur shqetësimet në vendin me ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Të dhënat e publikuara të mërkurën kanë treguar që Kina ka pasur 1.409 miliard banorë deri në fund të vitit 2023, 2.08 milionë më pak sesa më 2022.
Shifrat e fundit janë dyfish më të mëdha sesa në vitin paraprak, të cilat patën shënuar rënien e parë në 60 vjetët e fundit.
Mirëpo, ekspertët kanë thënë se një rënie e tillë ka qenë e pritshme për shkak të zgjerimit të klasit urban dhe zvogëlimit të numrit të lindjeve.
Të mërkurën, Pekini ka thënë se shkalla e lindshmërisë ka rënë në 6.39 për 1.000 banorë dhe trendi është në linjë me vendet tjera të avancuara të Azisë Lindore, Japoninë dhe Korenë e Jugut.
Kostoja e arsimimit, refuzimi në rritje i martesës apo edhe migrimi ishin ndër arsyet e qenësishme të rënies së numrit të popullsisë kineze, që u përshpejtua edhe në vitin 2023, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të mërkurën, çka zgjat një rënie që filloi në vitin 2022, pas gjashtë dekadash rritjeje.
Sipas OKB-së për një kohë të gjatë, vendi më i populluar në botë, Kina humbi titullin e saj ndaj Indisë vitin e kaluar.
Kjo prirje rënëse pritet të vazhdojë edhe gjatë dekadave të ardhshme.
Përballë krizës së parashikuar demografike, qeveria po kërkon rritjen e nivelit të lindjeve dhe autoritetet lokale tani po paguajnë më shumë ndihma familjare – të cilat mbeten modeste dhe pa shumë efekt për momentin.
Një arsye tjetër për rënie të numrit të popullsisë ka qenë edhe politika që një familje të ketë vetëm një fëmijë e cila ka datuar prej viteve 1980 për të kontrolluar mbipopullimin në atë kohë.
Qeveria e ka pezulluar atë politikë më 2015, me qëllim të shmangies së trendit të rënies së numrit të popullsisë, dhe ka prezantuar masa tjera për nxitje të natalitetit.