Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Xhamia e namazgjasë dhe rrugëtimi për ndërtimin e saj

Xhamia e namazgjasë dhe rrugëtimi për ndërtimin e saj

nga Dorian Demetja për revistën Zani i Naltë

Një nga aspiratat parësore të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka qenë mirëmbajtja dhe ndërtimi i sa më shumë xhamive, në të gjitha hapësirat e mundshme ku shtrihet komuniteti i besimtarëve myslimanë. Xhamitë janë shtëpitë e Zotit, në të cilat përmendet dhe lartësohet emri i Tij, ku besimtarët kryejnë adhurimet e tyre, ndërtojnë e përforcojnë jetën e tyre fetare dhe pajisen me dijet e fesë e të moralit. Në lidhje me rëndësinë e mirëmbajtjes dhe të ndërtimit të xhamive, Allahu, në Kur’anin Famëlartë, thotë: “Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që falin namazin dhe japin zekatin e që nuk i frikësohen askujt, përveç Allahut. Sigurisht që këta janë në rrugë të drejtë.[1] Por historikisht, xhamitë kanë qenë ndërtuar të vogla dhe me kalimin e kohës ka lindur nevoja për një xhami të madhe në Tiranë.

Kryeqyteti ka nevojë për nji Xhami të madhe e moderne”. Me këtë titull hapet artikulli i revistës “Zani i Naltë” në vitin 1938. Aty lexojmë se qysh atëherë, me rritjen e numrit të popullsisë, shprehet nevoja për një xhami të madhe, ku t’i mbledhë të gjithë besimtarët për falje, ceremoni dhe lutje të përbashkëta në festa fetare e kombëtare. Aty gjithashtu flitet edhe për pamundësinë financiare për ndërtimin e saj nga institucioni, si dhe iniciativën që duhet të marrin bujarët e kryeqytetit në këtë drejtim.

Me rasën e shum cermonijave të ndryshme âsht konstatue se Xhamija e Vjetër e Sulejman Pashës âsht tepër e vogël dhe s’mundet me i u përgjojë mâ nevojës së kohës. Mungesa e nji salloni të gjanë në kryeqytet ka dhânë shkak qi shumica e popullit të mbetet pa marrë pjesë në shumë ceremoni e lutje të kryeme ndër festa fetare e kombëtare… Mungesa e nji tempulli të favorshëm, mungesa e nji lokali të madh e të përshtatun me numrin e madh të popullit qi ka sot kryeqyteti, mungesa e nji faltoreje qi t’a përmbledhe e t’a kënaqe të tanë até publik që dëshiron me marrë pjesë ndër të lutuna, mungesa e nji të tillë ndertese sot âsht konstatue e vërtetue dhe nuk mund të kundershtohet… Nji punë e tillë me të vërtetë âsht e vështirë por jo e pa realizueshme. Nji vepër kaqë kolosale mund të kushtoje má tepër se 200 ose 300 mij frank ar. Nji shpenzimit kaqë të madh sot për sot âsht e pamundur qi t’i bâjë ballë Arka e Përgjitheshme e Vakfeve. Prandaj këjo punë mund të kryhet me ndihmat e popullit bâmirës.”[2]

Interesimin për ndërtimin e një xhamie të madhe gjatë viteve në vazhdim, e dallojmë edhe në arkivin qendror të shtetit: Nevoja që ka Tirana për një xhami të madhe iu parashtrua Mëkëmbësit, i cili kërkoi hartimin e një preventivi për xhaminë e madhe të Tiranës. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Vakfeve të bëjë marrëveshje me ndonjë arkitekt për hartimin e projektit të xhamisë së madhe në kryeqytet.[3] I kërkohet zyrës së urbanistikës informacion se ku e ka caktuar vendin për ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës. Urbanistika kërkon mendimin e Komunitetit Mysliman, i cili i përgjigjet se vendin që caktuam ne, ju e zutë me projektin për të ndërtuar aty “Bankën e Napolit”. Urbanistët italianë propozojnë si vend të përshtatshëm për ndërtimin e xhamisë dy troje: Posta në Pazarin e Ri, e cila do të shembej, dhe variantin tjetër – trualli i Namazgjasë.[4]

Një nga vendet më karakteristike të shekullit XIX është edhe rregullimi i Namazgjasë nga Ahmet Bej Toptani, i biri i Abdurrahman Toptanit. Namazgjaja përdorej gjatë verës për mbledhjet e qytetarëve dhe faljet e tyre gjatë muajit të Ramazanit dhe Bajramit.[5]

Si përfundim, trualli i Namazgjasë u pa më i përshtatshëm për funksionimin e tij si një faltore e hapur me një mihrab[6] dhe një minber[7], pastaj dhe me murin rrethues. Në shkresën e Ministrisë së Punëve të Brendshme bëhet e qartë se Komisioni Qendror për Edilicjen dhe Urbanistikën e Shqipërisë, në mbledhjen e datës 03.07.1941, me vendim nr. 1046, ka aprovuar projektin e paraqitur prej kësaj zyre për ndërtimin e një mihrabi dhe një minberi në Namazgjanë e Tiranës.[8]

Më 17.08.1943, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i dërgon Bashkisë së Tiranës një shkresë të shoqëruar me tri lidhje të planit të Namazgjasë, si për rrethim ashtu edhe për objektet e brendshme, me të cilat kërkon edhe lejen e ndërtimit të tyre.[9] Tri ditë më pas, Drejtoria Teknike në Bashkinë Tiranë, shprehet në favor që Vakëfit Mysliman t’i akordohet leja për ndërtimin e Namazgjasë sipas projektit përkatës.[10] Nuk e dimë me saktësi nëse ky projekt gjen zbatim në atë kohë.

Dihet tradicionalisht se Namazgjaja e Tiranës ka qenë qendra e riteve fetare islame për kryeqytetasit, ku falnin bashkërisht namazet e Bajrameve. Rrënojat e mureve dhe selvitë qindravjeçare flisnin për lashtësinë e saj. Prandaj dhe kërkesat e Komunitetit Mysliman në vazhdimësi kanë qenë që xhamia e madhe të ndërtohej pikërisht në truallin e Namazgjasë. Kështu, në bazë të kërkesës datë 20.04.1993, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës, me dt. 04.10.1993, nr. 13, vendosi dhënien  e lejes së ndërtimit për objektin Xhaminë e Namazgjasë, e cila është firmosur nga Kryetari i Bashkisë z. Sali Kelmendi. Subjekti që zbaton punimet është M.A.K. Albania Al-Kharafi Industries & Establishments dhe objekti financohet nga Shoqata Islame e Vakëfit.[11]

Në gazetën “Drita Islame”, jepen disa informacione rreth xhamisë dhe ceremonisë së fillimit të punimeve: Xhamia që do të ngrihet në këtë shesh, është dhuratë e familjes El-Fouzan nga Kuvajti. Kostoja e veprës parashikohet rreth 500.000 USD. Vepra është projektuar nga një grup inxhinierësh dhe konstruktorësh nën drejtimin e z. Sami Pashallari, ndërsa konsulent është profesor Besim Daja. Kjo xhami do të jetë një objekt madhështor, me dy minare, me një kapacitet faljeje për 2700 besimtarë njëherësh. Holli kryesor i faljes për burra është prej 27m * 32m = 900m2, ndërsa ai i grave prej 250m2. Ky objekt do të jetë mjaft kompleks, i përbërë prej tre katesh. Në katin tokësor do të funksionojnë vende për marrje abdesti, për burra dhe gra, dyqane, magazina dhe zyra.[12]

Më datë 24 dhjetor 1993, ditën e premte, në fushën e Namazgjasë, në Tiranë, u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e xhamisë. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Sali Kelmendi, sekretarët e shtetit për fenë, z. Bardhyl Fico e z. Sokol Miraka, përfaqësues të Komunitetit Mysliman, z. Ramazan Rusheku e z. Salih Tivari, Myftiu i Tiranës, z. Shyqyri Bylyku. Ndodheshin edhe përfaqësues të shoqatave islame në vendin tonë, besimtarë tiranas dhe nxënës të medresesë.[13] Megjithëse guri i themelit u vendos dhe ceremonia u zhvillua, kjo mbeti deri këtu, sepse në shtator të vitit 1994 punimet u pezulluan. Gjatë viteve 1993-1995 bajramet u falen në vendin e Namazgjasë, për t’u falur më pas në sheshin Skënderbej.

Ndërkohë, Komuniteti Mysliman vazhdon kërkimin e donatorëve për ndërtimin e xhamisë dhe një qendre kulturore me takime dhe vizita të vazhdueshme në Komunitetin Mysliman të Turqisë, Ministrinë e Çështjeve Islame- Vakfeve në Kuvajt dhe me autoritete të larta të Mbretërisë së Arabisë Saudite, të cilët shprehin gatishmërinë dhe premtojnë për ndërtimin e tyre.

Qysh me fillimin e vitit 2001, çështja e ndërtimit të xhamisë dhe një qendre kulturore në sheshin e Namazgjasë, vijon me takime në rangje të larta shtetërore shqiptare dhe me kërkesa në vazhdimësi nga Komuniteti Mysliman, drejtuar Urbanistikës së Tiranës për lejen e ndërtimit, duke i shoqëruar edhe me të dhëna të mjaftueshme për objektet që do të ndërtohen aty. Me gjithë premtimet që jepen në këtë drejtim, shikojmë se në nëntor të vitit 2001, Bashkia e Tiranës rrethon me kangjella sheshin e Namazgjasë për ta kthyer më pas në lulishte. Komuniteti Mysliman dërgon një sërë shkresash për zgjidhjen e kësaj çështjeje, por që nuk marrin përgjigje. Në dhjetor të vitit 2007, Komuniteti Mysliman e organizon faljen e Kurban Bajramit përsëri në Namazgja, në shenjë proteste ndaj pushtetit vendor që nuk po jepte lejen e ndërtimit për Xhaminë e Madhe aty.

Në maj të vitit 2011 ka pasur një nismë nga Bashkia e Tiranës për ta ndërtuar xhaminë e madhe në Tiranë prapa Pallatit të Kulturës, sipas projektit fitues danez i Studios “BIG-Kopenhagen”, por që Komuniteti Mysliman nuk ka rënë dakord. Kryesia e KMSH-së në mbledhjen e posaçme të datës 20.09.2011, analizon edhe një herë të gjitha detajet për ndërtimin e xhamisë së madhe në Tiranë, e shumëpritur kjo prej kohësh. Në këtë mbledhje, Komuniteti Mysliman shprehet i vendosur që xhamia e madhe të ndërtohet në sheshin e Namazgjasë, tokë kjo e trashëguar brez pas brezi si vend për të falur namaz.

Truallit të Namazgjasë i ishte marrë një sipërfaqe e konsiderueshme nga zgjerimi i rrugëve të Unazës dhe asaj “George Bush”, e cila mbeti pa u kompensuar nga Bashkia në atë kohë. Pas një kalvari zvarritjesh dhe burokracish në kompensim të kësaj sipërfaqeje, Këshilli i Ministrave me vendim nr. 273 datë 03.04.2013, i ka dhënë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë një sipërfaqe prej 2570.5 m², duke e çuar sipërfaqen e përgjithshme në rreth 5.300 m².

Përpjekjet dhe orvatjet për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë u mbyllën përfundimisht në vitin 2013, me vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit për leje zhvillimore komplekse, firmosur nga Kryetari i tij z. Sali Berisha.[14] Guri i themelit për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës u rivendos më 20 prill 2013 me ceremoninë e fillimit të punimeve në sheshin Namazgja, ku morën pjesë kryetari i Komunitetit Mysliman H. Selim Muça, kryeministri i Shqipërisë. Z. Sali Berisha, kryebashkiaku z. Lulzim Basha, krerët e komuniteteve fetare, përfaqësues të bashkësive islame nga Kosova dhe Maqedonia, zyrtarë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të trupit diplomatik, myftinj, imamë, besimtarë, qytetarë, etj.[15]

Me datë 24.09.2013 në Ankara dhe në Tiranë, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Selim Muça, nënshkruan me Prof. Dr. Mehmet Gormez, Kryetar i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Republikës së Turqisë dhe Kryetar i Këshillit Administrativ të Fondacionit për Fenë i Turqisë, një protokoll kuadër lidhur me ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë dhe kompleksit të saj. Në këtë protokoll kuadër, bëhen të ditura të gjitha detyrimet e secilës palë, përfshirë edhe detyrimet e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, deri në përfundimin e ndërtimit të saj, dhe të drejtës për t’u përdorur më pas nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Aty citohet edhe kompania KOMAŞ A.Ş., ent i Fondacionit për Fenë i Turqisë, e cila do të ndjekë dhe do të zbatojë punimet.

“Me një urdhëresë të Entit për Çështjet fetare (Diyanet), në Turqi ka nisur një fushatë për mbledhjen e ndihmave në të gjitha xhamitë e vendit për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës. Sipas shkresës së Diyanetit turk është parë e arsyeshme fillimi më 21 qershor 2013 në të gjitha xhamitë në Turqi i fushatës së ndihmës me qëllim për të kontribuar në ndërtimin e “Xhamisë Qendrore të Tiranës”, duke u shprehur se shqiptarët kanë shumë nevojë për një faltore, sidomos besimtarët e Tiranës, të cilët e ushtrojnë besimin e tyre në hapësira të papërshtatshme. Ndihmat do të mblidhen përmes ekspozitave dhe vendosjes së kutive në ambientet e xhamive pas namazit të ditës së premte. Fushata do të vazhdojë deri më datë 5 korrik 2013. Myftinitë e prefekturave dhe nënprefekturave janë ngarkuar me detyrën për të marrë masat e duhura për të siguruar që fushata e ndihmës të realizohet në formën e duhur.”[16]

Me ndërrimin e qeverive, po në vitin 2013, kemi edhe një ndryshim në vendimin për lejen zhvillimore komplekse të dhënë më parë, ndryshim i cili miraton vetëm ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë, në bashkëpunim me zhvilluesin “Komunitetin Mysliman Shqiptar”. Vendimi është i firmosur nga Kryetari i Këshillit Kombëtar të Territorit, z. Edi Rama.[17] Në selinë e KMSH është zhvilluar më 27 nëntor 2014 ceremonia e dhënies së lejes së ndërtimit, e cila i hap rrugën fillimit të punimeve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në kryeqytet. Ceremonia mblodhi kryeministrin, z. Edi Rama, përfaqësuesit më të lartë të komuniteteve fetare, ministrin e Mirëqenies Sociale, z. Erion Veliaj, ministren e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, kryetarin e Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Ilir Hoxholli, myftinj e imamë, besimtarë e qytetarë të kryeqytetit dhe të rretheve, etj.[18]

Hedhja e themeleve për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, u krye më 13 maj 2015, në prani të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, Presidentit të Republikës së Turqisë, z. Rexhep Tajip Erdogan, Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Turqisë, z. Mehmet Gormez, dhe personaliteteve të rëndësishëm nga Shqipëria e Turqia. Në ceremoni morën pjesë gjithashtu ish Kryetari i KMSH, z. Selim Muça, drejtorë, myftinj, imamë, si dhe një numër i madh qytetarësh të kryeqytetit e më gjerë. Pas fjalës së përshëndetjes së dy presidentëve dhe lutjeve të bëra nga dy kryetarët e komuniteteve myslimane, është shtypur butoni për hedhjen e betonit, ku ka nisur edhe zyrtarisht puna për ndërtimin e Xhamisë dhe Kompleksit të Namazgjasë.[19]

 

Projekti i Xhamisë së Namazgjasë

Xhamia e Namazgjasë është projektuar nga studio “Hassa Architecture” me qendër në Stamboll të Turqisë. Studio është e arkitektit turk Muharrem Hilmi Shenalp, i cili ka projektuar shumë xhami të ndërtuara në disa vende të botës, si në Berlin dhe Këln të Gjermaninë, në Tokio, e cila në vitin 2002 është shpallur një ndër ndërtesat më të mira të saj, etj.

Përshkrimi i projektit: Xhamia e Namazgjasë ka elementë shqiptarë të një stili klasik ballkanas, ku si frymëzim kryesor ka Xhaminë Blu në Stamboll, arkitekti i së cilës është Mehmet Sedefqar Aga, lindur në Elbasan. Ajo shtrihet në një sipërfaqe prej 6000 m² në vendin e njohur si Namazgjaja e Tiranës, me kupolën e lartë 35 metra dhe katër minaret, lartësia e të cilave shkon në 50 metra. Brenda në xhami mund të falen njëkohësisht rreth 5000 besimtarë.

Xhamia e Namazgjasë është një kompleks multifunsksional, ku të gjitha funksionet janë të hapura për publikun. Aty përfshihen qendra kulturore, salla e madhe e konferencave me kapacitet rreth 400 vende, një sallë tjetër më e vogël, biblioteka me një sipërfaqe 200 m², klasa për kurse të ndryshme; gjithashtu, projekti lë hapësirë edhe për realizimin e një muzeu islam, i cili do të jetë i pari në Shqipëri në llojin e tij. Në projekt përfshihen  parkingu me dy kate nëntokë, si dhe një numër i konsiderueshëm dyqanesh e ambientesh shërbimi. Shuma për ndërtimin e saj mendohet të shkojë rreth 40 milionë euro.[20]

Lusim Allahun e Madhëruar që me realizimin e ëndrrës shumë vjeçare të besimtarëve myslimanë të Tiranës e mbarë besimtarëve shqiptarë, ta bekojë këtë xhami me mirësitë e Tij të pafundme, ta bëjë një vend ku lartësohet dhe nderohet emri i Tij me adhurime e lutje të sinqerta, ta bëjë një vend ku përhapet dija, dashuria dhe respekti për të gjithë.

[1]. Teube, 9:18.

[2]. Kryeqyteti ka nevojë për nji Xhami të madhe e moderne, revista “Zani i Naltë”, nr. 6, Qershuer 1938, viti XIII i botimit; Kolana Zani i Naltë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë – Bashkësia Islame e Kosovës – Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, vëllimi 9, 2015, f. 178 – 179.

[3]. AQSH, fondi 482, viti 1940, dosja 4; Ali M. Basha, Rrugëtimi i Fesë Islame në Shqipëri (1912-1967), Tiranë 2011, f. 332.

[4]. AQSH, fondi 482, viti 1941, dosja 51, fleta 1; Ali M. Basha, Rrugëtimi i Fesë Islame në Shqipëri (1912-1967), po aty.

[5]. Roald A. Hysa, Xhamitë e Tiranës, Tiranë 2008, f. 72-73.

[6]. Është një vend si i futur, ku qëndron imami gjatë faljes së namazit.

[7]. Është një vend me shkallë, ku ngjitet imami për të mbajtur predikimet në ditën e premte apo në ditët e Bajrameve.

[8]. Shkresë e Zyrës Qendrore të Edilicjes dhe Urbanistikës së Shqipërisë pranë Ministrisë së Punës të Brendshme, drejtuar P. T. Ministrisë P. Botore-Tiranë dhe për njoftim Kryesisë së Bashkisë-Tiranë, prot. nr. 2874, dt. 06.07.1941, arkivi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

[9]. Shkresë e Drejtorisë së Përgjithshme të Administratës Financiare e Vakfnore pranë Komunitetit Mysliman, drejtuar P. T. Kryesisë së Bashkisë së Kryeqytetit, Tiranë, nr. 122/11, datë 17.08.1943, arkivi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

[10]. Shkresë e Drejtorisë Teknike pranë Bashkisë së Kryeqytetit, Tiranë, drejtuar P. T. Zyrës Qendrore për Ndërtim e Urbanistike, nr. 7/255, datë 20/08/1943, arkivi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

[11]. Shkresë e Bashkisë Tiranë për dhënien e lejes së ndërtimit, nr. 9589 datë 27.10.1993, arkivi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

[12]. Nasuf T. Dizdari, Në Tiranë do të ndërtohet një xhami e re, gazeta “Drita Islame”, nr. 1 (44), viti i III i botimit, Janar 1994.

[13]. Nasuf T. Dizdari, Në Tiranë do të ndërtohet një xhami e re, po aty.

[14]. Këshilli Kombëtar i Territorit, “Leje zhvillimore komplekse për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë dhe godinës polifunksionale”, nr. 02, datë 29.05.2013, arkivi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

[15]. Aktivitete – Vjetar 2013, Ceremonia e fillimit të punimeve të xhamisë së madhe të Tiranës, vëllimi III, botim i KMSH, f. 62.

[16]. Turqia mbledh ndihma për xhaminë e re të Tiranës, revista “Drita Islame”, nr. 7 (366), viti XXII i botimit, korrik 2013, f. 9-10.

[17]. Këshilli Kombëtar i Territorit, “Një ndryshim në vendimin nr. 02, datë 29.05.2013, të Këshillit Kombëtar të Territorit”, nr. 02, datë 08.10.2013, arkivi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

[18]. Aktivitete – Vjetar 2014, Xhamia e Namazgjasë, Këshilli i Ministrave jep lejen për fillimin e punimeve, vëllimi IV, botim i KMSH, f. 192.

[19].  Aktivitete – Vjetar 2015, Hidhen themelet e Xhamisë së Namazgjasë, botim i KMSH, f. 187-188.

[20]. Marrë nga faqja zyrtare e studios projektuese “Hassa Architecture”, “Projekti për Xhaminë e Namazgjasë”, https://acp.al/profil_projekt.php?id=

Prev Post

Shtegu turistik malor mes Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut Grupi që po punon për më shumë promovim të këtij shtegu shprehet se është në një pjesë të mirë të rrugëtimit, për të nxitur të apasionuarit të fillojnë të planifikojnë aventurën e ngjitjes malore për vitin 2024.

Next Post

2024 / Viti i zgjedhjeve të rrezikuara nga Inteligjenca Artificiale

post-bars

Leave a Comment