
Mbahet koncerti “Legjenda e valles shqipe” në nder të Besim Zekthit
Në nderim të mjeshtrit të valles popullore mbarëshqiptare, Besim Zekthi, i vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit” dhe “Gjerdani i artë”, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore do të sjellë për të gjithë artdashësit, koncertin “Legjenda e valles shqipe, Besim Zekthi”, më 31 tetor pranë Teatrit të Operës dhe Baletit.
Një xhevahir i rrallë në gjerdanin e artë të valles, folklorit dhe kulturës shqiptare, që lartoi dhe i dha hijeshi Shqipërisë në çdo skenë prestigjioze të botës.

Jeta e tij artistike është e lidhur fort me jetën artistike të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, jo vetëm si valltar, por si krijues i një serie vallesh që edhe sot interpretohen me sukses nga artistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, si pjesë e fondit të artë të trashëgimisë tonë kulturore.

Ky koncert do të prezantojë krijimtarinë dhe interpretimet solistike të mjeshtrit Zekthi, bazuar në repertorin krijues të tij, shoqëruar me këngë të përzgjedhura, duke përfshirë dhe momente nga jeta dhe aktiviteti i tij artistik apo vlerësime nga personalitete të ndryshme./euronews.al