Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 OKB: Gati 70% e të vrarëve në Gaza janë fëmijë dhe gra

OKB: Gati 70% e të vrarëve në Gaza janë fëmijë dhe gra

Përgatiti: Nuhi Shala

Gati 70% e të vrarëve në Gaza janë fëmijë dhe gra, ka thënë Philippe Lazzarini, komisioneri i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët në Lindjen e Afërt (UNRWA), duke paralajmëruar se niveli i shkatërrimit në të gjithë Gazën “është i paprecedentë, tragjedia njerëzore që po shpaloset nën vëzhgimin tonë është e padurueshme”. Philippe Lazzarini, duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën, tha se rreth 3200 fëmijë janë vrarë në Gaza në tri javë, duke cituar shifra nga ministria e shëndetësisë e territorit.

Shefi i agjencisë kryesore të OKB-së që operon në Gaza i ka thënë Këshillit të Sigurimit të OKB-së se e gjithë popullsia e enklavës së Gazës “po dehumanizohet”, pasi Izraeli po vazhdon bombardimet dhe ofensivën e zgjeruar tokësore.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka përjashtuar të hënën një pauzë në luftime, duke thënë se “është koha për luftë”, edhe pse agjencitë e OKB-së bëjnë thirrje për një armëpushim humanitar për të lejuar dërgimin e ndihmave për më shumë se 2 milionë civilë të bllokuar.

Spitale të shumta në Gaza kanë marrë barrën e sulmeve ajrore dhe granatimeve, sipas grupeve të ndihmës dhe punonjësve shëndetësorë, ndërsa dhjetëra punonjës të ndihmës dhe gazetarë të OKB-së janë vrarë që nga shpërthimi i konfliktit në fillim të këtij muaji.

Forcat izraelite kanë thënë se kanë shpëtuar s një ushtare femër të mbajtur peng nga Hamasi në Gaza që nga 7 tetori. Ndërkohë, Hamasi publikoi një video duke i shfaqur tri gra që besohet të jenë mes 238 personave që Izraeli thotë se mbahen rob nga militantët.

SHBA nuk beson se një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit është “përgjigja e duhur” tani, ka thënë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë duke shtuar se “një armëpushim tani i sjell përfitim Hamasit dhe Hamasi është i vetmi që do të përfitonte nga kjo tani”.

Gjithsej 26 kamionë me furnizime ushqimore dhe pajisje mjekësore kanë kaluar përmes pikës kufitare Rafah në Rripin e Gazës, ka thënë të hënën Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze. Vetëm 144 kamionë i kanë dorëzuar furnizimet organizatës humanitare palestineze që nga 7 tetori, sipas kësaj organizate.

Kriza humanitare në Gaza vazhdoi të përkeqësohej, me ujë, ushqim, ilaçe dhe karburant të pamjaftueshme, thonë agjencitë e ndihmës. Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, ka thënë se pengimi i ndihmës mund të përbëjë një krim lufte dhe i kërkoi Izraelit të lejojë më shumë kamionë të hyjnë në Gaza. /The Guardian

Prev Post

‘Më në fund Elsa Lila’ në Pallatin e Kongreseve

Next Post

Simon Gjoni legjenda e heshtur dhe historia e “Lule bore”, himnit të muzikës lirike shqiptare

post-bars

Leave a Comment