Dy llogari njëherësh, risia e fundit e WhatsApp do t’ju ndihmojë të gjithëve
Kompania “Meta” ka lajmëruar të enjten se shumë shepjt WhatsApp do t’ju japë mundësi të gjithëve për të pasur dy llogari në të njëjtën kohë. Shefi ekzekutiv i “Meta”-s, Mark Zuckerberg, tha në një postim se përdoruesit e WhatsApp, së shpejti mund të identifikohen në dy llogari njëherësh.
“Kaloni mes dy llogarive në WhatsApp. Së shpejti, do të keni mundësi të keni dy llogari WhatsApp në një telefon brenda një aplikacioni”,- tha ai. “Tani nuk keni më nevojë të dilni çdo herë, të mbani dy telefona ose të shqetësoheni për mesazhet në vendin e gabuar”,– njofton më tej kompania.
Për të konfiguruar një llogari të dytë, do t’ju duhet një numër i dytë telefoni dhe kartë SIM, ose një telefon që pranon shumë SIM ose eSIM. Thjesht hapni “Settings” në WhatsApp, klikoni në shigjetën pranë emrit tuaj dhe klikoni “Add account”.
Ju mund të kontrolloni privatësinë dhe njoftimet në secilën llogari.
“Mos harroni të përdorni vetëm WhatsApp-in zyrtar dhe mos shkarkoni imitime ose versione false për të pasur më shumë llogari në telefonin tuaj. Mesazhet janë të sigurta dhe private vetëm kur përdorni WhatsApp-in zyrtar”,– shton më tej njoftimi zyrtar i “Meta”-s. Në fillim të kësaj jave, WhatsApp njoftoi se do të ofrojë mundësinë që përdoruesit të mund të identifikohen me lehtësi dhe në mënyrë të sigurt me çelësa kalimi – vetëm fytyra ose gjurmë gishtash, pa qenë të detyruar të keni një fjalëkalim./Balkanweb