Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Në modelin e Demokritit, nuk ka vend për idenë e zgjedhjes së lirë

Në modelin e Demokritit, nuk ka vend për idenë e zgjedhjes së lirë

Për Demokritin kanë ekzistuar vetëm dy gjëra: hapësira dhe lënda (atomet). Hapësira përbëhej nga zbrazëtia, një vakum gjigant i pafundmë, ku gjendet një pafundësi atomesh që përbëjnë “materien”.

 

Demokriti nga Abdera

Rreth viteve 460 – 370 p.e.s.

TË DHËNA të hamendësuara

Njësoj si shumë bashkëkohës të tij, as Demokriti nuk ka lënë ndonjë gjurmë të shkruar për punën e vet. Të dhënat për të na vijnë nga shkrimet e grekëve të vjetër, në radhë të parë nga Aristoteli, i cili e ka kundërshtuar, dhe Epikuri, i cili e ka mbështetur. E vetmja e dhënë, deri-diku e saktë, është viti i tij i lindjes, 460 p.e.s., edhe pse disa autorë mendojnë se mund të ketë qenë viti 490 p.e.s.

Xhon Daltoni falë punëve të tij në shekullin e nëntëmbëdhjetë, njihet tashmë si themeluesi i teorisë së atomit, sepse ai hodhi hipotezën se elementet përbëhen nga grimca të imëta e të pandashme. Por ideja për atomin, përbërjen dhe rolin e tij në ndërtimin e botës fizike ka qenë i njohur më shumë se dy mijë vjet më parë dhe është parashtruar prej Demokritit nga Abdera, në Traki.

Teoria e atomit

Fjala atom vjen nga greqishtja atomon, që do të thotë i pandashëm. Daltonit iu kujtua kjo fjalë dy mijë vjet më vonë dhe zbulimin e tij e emërtoi po me këtë fjalë. As Demokriti nuk ishte i pari që hodhi idenë e grimcave të pandashme, por ishte mësuesi i tij, Leokipi, dhe Anaksagora, të cilët e kishin hedhur këtë ide para tij. Megjithatë, ishte Demokriti, ai që e propozoi i pari teorinë gjithëpërfshirëse për rolin e atomit në ndërtimin e gjithësisë. Edhe pse, në dallim nga Daltoni, Demokriti nuk mundi t’i argumentonte me metoda eksperimentale mendimet e tij, ai i analizoi ato vetëm në bazë të hipotezave racionale, ndaj shumë aspekte të teorisë së tij ende sot mbeten kuptimplota

Demokriti me argumente sistematike paraqiti rëndësinë e atomit në ndërtimin e universit.

Atomi, materia dhe zbrazëtia

Për Demokritin kanë ekzistuar vetëm dy gjëra: hapësira dhe lënda (atomet). Hapësira përbëhej nga zbrazëtia, një vakum gjigant i pafundmë, ku gjendet një pafundësi atomesh që përbëjnë “materien”. Atomet dhe hapësira kanë ekzistuar e do të ekzistojnë, sepse asgjë nuk mund të krijohet nga hiçi. Atomet janë pjesë përbërëse e çdo sendi në tokë, njëkohësisht edhe në planetët dhe yjet; ato mbeten gjithmonë të njëjta: të forta e të padepërtueshme, blloqe ndërtuese të padukshme, të cilat asnjëherë nuk ndryshojnë. Ato thjesht lidhen ndërmjet tyre në zbrazëti me atome të tjera dhe kështu formojnë trupa të ndryshëm, duke filluar nga shkëmbinjtë e deri te bimët e kafshët. Kur këta trupa vdesin apo shpërbëhen, ata treten, kurse atomet mund të ndërtojnë trupa të tjerë, duke u lidhur me atome të tjera në forma të tjera. Demokriti mendonte se format e ndryshme të atomeve përcaktojnë edhe mënyrën e lidhjes ndërmjet tyre. Sipas tij, atomet përbëhen nga përbërës të njëjtë; lëngjet kanë skaje sferike dhe të lëmuara, kështu që mund të rrëshqasin njëri mbi tjetrin, ndërsa atomet te trupat e ngurtë kanë kënde të ashpra e të dhëmbëzuara, prandaj edhe mund të kapen me njëri-tjetrin. Demokriti mendonte se ka edhe ndryshime të tjera ndërmjet lëndëve, si p.sh., shija, e cila mund të shpjegohet nga cepat e atomit: shija e ëmbël vjen nga atomet e mëdha sferike, kurse shija djegëse vjen nga atomet e rënda, atomet gërvishtëse. Po ashtu edhe ngjyra e sendeve mund të sqarohet me “pozitën”

e atomeve brenda lidhjes, prej së cilës varet nëse hija që lëshon atomi është e errët apo shkëlqyese.

Studimet e Demokritit janë tepër tërheqëse, sepse shmangin tërësisht çdo faktor mbinatyror apo fetar. Shpirti, p.sh., sqarohet me lëkundjet kaotike të atomeve që gjenden të ngulura në trup. Këto atome reagojnë ndaj ndryshimeve të shkaktuara nga atome të tjera brenda dhe jashtë trupit. Lëkundja e atomeve të shpirtit shkakton shijet, të cilat ndërveprojnë me mendjen (e cila edhe vetë është një grumbull atomesh), dhe prodhon mendime, ndjenja etj. Mirëpo kur trupi vdes, shpirti, sipas tij, pushon së ekzistuari, për shkak se është shpërbërë mjeti që i mbante atomet të grumbulluara. Pasi çlirohen, këto atome të shpërndahen dhe menjëherë veprojnë me atome të tjera, duke krijuar sende të reja. Dhe këtu nuk ka vend për ndonjë mendim abstrakt mbinatyror apo për jetën e përtejme.

Determinizmi

Më tej, në modelin e Demokritit, nuk ka vend për idenë e zgjedhjes së lirë. Çdo veprim njerëzor përcaktohet nga goditjet e atomeve në trupin e njeriut dhe nuk është pjesë e ndonjë qëllimi apo plani të madh. Thjesht atomet përplasen me atome të tjera në zbrazëti, siç kanë vepruar dhe siç do të veprojnë gjithmonë, duke mos i lënë njeriut mundësi për zgjedhje të lirë.

Trashëgimia matematikore

Edhe pse shkenca bashkëkohore herë i ka pranuar e herë i ka hedhur poshtë tezat e Demokritit, ato mbeten në thelb përpjekjet e para për ta shpjeguar gjithësinë me ligje të thjeshta të fizikës dhe të matematikës. Kjo pikëpamje përbën një ndryshim të madh në mënyrën e ballafaqimit me një çështje të caktuar, që vazhdimisht i shqetëson shkencëtarët edhe sot e kësaj dite. Demokritit i përket edhe zbulimi i ligjit matematikor, i cili thotë se vëllimi i konit është i barabartë me një të tretën e vëllimit të një cilindri me bazë e lartësi të njëjtë, si dhe formula e ngjashme për raportin ndërmjet piramidës dhe prizmit.

(Materiali është shkëputur nga libri “100 shkencëtarët që ndryshuan botën”, i përkthyer nga Latif Ajrullai)/portalishkollor.al

Prev Post

Kjo është data kur do të ndërrohet ora

Next Post

Videoja e papublikuar asnjëherë/ Komandanti Legjendar Adem Jashari në vitin 1996

post-bars

Leave a Comment