OKB: Izraeli bombardon rajonet jugore në Gaza në të cilat u bëri thirrje civilëve për evakuim
Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) tha se Forcat Ajrore të Izraelit kanë bombarduar Khan Younis dhe rajonet e tjera në jug të Gazës në të cilat ka kërkuar evakuimin e civilëve, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga UNRWA thuhet se forcat izraelite vazhdojnë bombardimet e rënda nga ajri, toka dhe deti. Njoftohet se pavarësisht udhëzimeve për evakuimin në jug për civilët në Gaza, Forcat Ajrore të Izraelit vazhdojnë të godasin Khan Younis dhe zonat e tjera në jug.
Në deklaratë shprehen shqetësime për mungesën e ujit dhe sëmundjet që shkaktohen nga mbyllja sot e impiantit të fundit për trajtimin e ujit të detit në Gaza. Bëhet e ditur se sot u hap për 3 orë linja e ujit në jug të Rripit të Gazës por kjo ka siguruar ujë në sasi të kufizuar për rreth gjysmën e popullatës së Khan Younis.
Më tej në deklaratë tërhiqet vëmendja se nga hapja e linjës së ujit për 3 orë kanë përftuar vetëm 14 për qind e popullatës së Gazës. Rezervat e karburantit në të gjitha spitalet në Gaza pritet të rezistojnë edhe 24 orë thuhet në deklaratën ku vihet theksi se jeta e mijëra të sëmurëve do të rrezikohet në rast të mbylljes së gjeneratorëve rezervë.
UNRWA ka njoftuar se ka arritur në 1 milion numri i palestinezëve të zhvendosur në Gaza për shkak të sulmeve të Izraelit.
– Konflikti Izraeli-Palestinë
Nga Gaza në drejtim të Izraelit u lëshuan mijëra raketa ndërsa grupet e armatosura palestineze kryen bastisje dhe morën kontrollin e pikës kufitare Beit Hanoun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.
Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet izraelite ndërsa ushtria izraelite filloi sulme ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë. Në sulmet e kryera nga Gaza, përfshirë 299 ushtarë kanë humbur jetën 1.400 izraelitë ndërsa janë plagosur 3.968 të tjerë.
Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulmet e Izraelit në Gaza janë vrarë 2.848 palestinezë ndërsa janë plagosur 10.859 të tjerë. Në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar janë vrarë 61 palestinezë dhe janë plagosur rreth 1.250 të tjerë.
Gjithashtu në sulmet e Izraelit kanë humbur jetën 11 gazetarë.
Ndërsa në konfliktet e shënuara në kufirin izraelit në jug të Libanit mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite që nga 8 tetori e deri më tani, kanë humbur jetën 3 civilë, 4 milicë të Hezbollahut dhe 2 anëtarë të Lëvizjes së Xhihadit Islamik Palestinez. Në sulmet e kryera nga ana e Libanit humbën jetën 3 ushtarë izraelitë./shenja.tv