Sot, Dita Botërore e Mësuesit, e përcaktuar nga UNESCO në vitin 1994
Dita Botërore e Mësuesit – Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, në vitin 1994, ka përcaktuar 5 tetorin si Ditën Botërore të Mësuesit, për të përkujtuar nënshkrimin e Rekomandimit, në lidhje me Statusin e Mësuesve, miratuar nga ana e ILO/UNESCO, në Paris, më 5 tetor 1966. Po në këtë vit, sipas idesë dhe sugjerimit të UNESCO-së, pedagogu zviceran Robert Dottrens (1893 – 1984) hartoi edhe betimin solemn të mësuesit mbi bazën e betimit të Hipokratit.
Sipas UNESCO-së, 5 tetori si Dita Botërore e Mësuesit është një mundësi për të treguar që puna e mësuesve është njëra nga më të rëndësishmet për zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë.
Kjo ditë është edhe një mundësi e mirë që interesi publik të orientohet, në njohjen e rolit të mësuesve në mbarë botën dhe për rëndësinë e tyre në shoqëri, nevojën e sigurimit të një arsimimi dhe trajnimi më të mirë të mundshëm të tyre para se të hyjnë në klasë, pasi që cilësia e përgatitjes së mësuesve ka një rol të rëndësishëm edhe në cilësinë e arsimit. Pikërisht për këtë arsye Internacionalja e Arsimit (Education Internationale – EI), me seli në Bruksel të Belgjikës, ka disa vjet që ka ndërmarrë një fushatë të gjërë për vlerësimin dhe propagandimin e kësaj Dite.
Si rrjedhojë, sot 21 vende në botë (Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Kanada, Estonia, Gjermania, Lituania, Maqedonia, Maldivet, Mauritania, Moldavia, Holanda, Pakistani, Filipinet, Kuvajti, Katari, Rumania, Rusia, Serbia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Mbretëria e Bashkuar) e festojnë 5 tetorin si ditë e vetme e mësuesit në vendet e tyre, ndërsa mbi 100 vende në botë, në mënyra të ndryshme e shënojnë ose e vlerësojnë Ditën Botërore të Mësuesit, krahas ditëve të tyre kombëtare.
Çdo vit EI me 401 organizatat e saj anëtare, nga 172 shtete dhe territore, ka ndërmarre fushata për ndërgjegjësimin publik në evidencimin e kontributit të profesionit të mësuesit. Më 5 tetor organizatat e mësuesve kudo në botë mobilizohen për të siguruar që nevojat e gjeneratës së ardhshme të merren në konsideratë në këtë botë komplekse, shumë kulturore dhe me një teknologji në rritje.
Rekomandimet e ILO/UNESCO Lidhur me Statusin e Mësuesit janë standarde ndërkombëtare për profesionin e mësimdhënies. Rekomandimet e vitit 1966 mbulojnë të gjithë mësimdhënësit e nivelit shkollor, duke filluar nga niveli parashkollor e deri në nivelin e mesëm, në të gjitha institucionet publike ose private, të arsimit akademik, teknik, profesional, apo artistik.
Këto Rekomandime, më vonë do të plotësohen edhe me Rekomandimet e UNESCO-s në lidhje me Statusin e Personelit Arsimor të Arsimit të Lartë të vitit 1997, e të cilat mbulojnë të gjithë personelin e mësimdhënies dhe të kërkimit në nivelin e arsimit të lartë.
Lidhur me Ditën Botërore të Mësuesit është me rëndësi të veçantë edhe një dokument tjetër ndërkombëtar, i ashtuquajtur “Udhëzime për politikat e promovimit të punës së denjë për personelin arsimor të fëmijërisë së hershme” (parashkollore), miratuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës ILO, në vitin 2014. / KultPlus.com