“Rrno për me tregue”, historia e At Zef Pllumit në një monodramë
Në 16-vjetorin e ndarjes nga jeta të At Zef Pllumit, në Qendrën për Hapje dhe Dialog u organizua një mbrëmje artistike për nder të fratit françeskan.
Monodrama, e bazuar në veprën “Rrno për me tregue” një dëshmi shekullore që i ktheu kujtimet e tij të territ në një monument letrar për kulturën tonë, u interpretua nga aktori i mirënjohur Arben Derhemi, nën vijën melodike të kompozitorit Aulon Naci.
Për të kuptuar se si ishte e shkuara e këtij kombi, mjafton të dëgjosh një vepër si ajo e At Zef Pllumit, kësaj vepre ‘Rrno vetëm për me tregue’, dhe të kuptosh se çfarë i ka ndodhur këtij kombi, këtij populli,” – u shpreh Derhemi.
Me një derë burgu, një degë pjeshkë dhe rrobën e priftit françeskan, që të ngjallte ndjenjë zbrazëtie dhe humbjeje, Derhemi me një monolog të fuqishëm u zhyt në të kaluarën e At Zef Pllumit.
“Të veshësh rrobën e At Zef Pllumit është sfiduese jo vetëm për mua, megjithatë unë u mundova ta sjell At Zef Pllumin në madhështinë e tij, duke nisur që nga sharmi i personazhit që ka qenë. Ai ka qenë një nga personazhet që thoshte të vërtetat më shumë se kushdo klerik tjetër,” – tha Derhemi.
Me kryeveprën e tij “Rrno vetëm për me tregue” At Zef Pllumi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, të pakrahasueshëm në rrëfimin e historisë së vërtetë aq të dhimbshme, kalvarin e Kishës Katolike, mundimet e françeskanëve dhe të gjithë popullit shqiptar të Shqipërisë nën regjimin komunist./euronews.al