40 artistë nga vendi baltik performojnë për publikun në Gjirokastër
Artistët nga Estonia të grupit koral “Kalev” performuan në një koncert në qytetin e Gjirokastrës, duke u vlerësuar me duartrokitje nga artdashësit.
Grupi i përbërë nga 40 artistë, të cilët interpretuan në skenën artistike të qytetit të gurtë këngë tradicionale estoneze. Repertori i veçantë i grupit “Kalev”, i gërshetuar me këngët e folkut të zonës së Gjirokastrës, krijoi mbresa tek spektatorët duke realizuar një mbrëmje të veçantë kulturore për qytetin.
“Grupi ‘Kalev’ ka ardhur nga Estonia, është një kor dhome dhe kryesisht në repertorin tonë sjellim për banorët e Gjirokastrës këngë romantike dhe kombëtare nga Estonia, kryesisht nga shekulli i 19-të dhe 20-të. Qyteti fantastik, do të rikthehemi sërish,” – tregoi dirigjenti Martin Ejnman.
“Jemi shumë të kënaqur nga pritja që patëm nga publiku i Gjirokastrës dhe kjo iu bashkua edhe një vlere që ne patëm dhe një ndjesie të mirë gjatë vizitës së qytetit. Largohemi me një përshtypje shumë të mirë nga ky qytet, dhe jam e bindur se shumica prej nesh do rikthehet përsëri me familjet e veta sepse pasi pjesëtarët e korit do të duan të sjellin edhe familjet e tyre për ta parë Gjirokastrën,” – u shpreh artistja Elu Poles.
Përgjatë sezonit të verës në qytetin e Gjirokastrës performuan artistë dhe grupe muzikore me emër të muzikës tradicionale dhe asaj bashkëkohore nga vende të ndryshme të botës. Organizime të tilla shërbyen edhe si pika tërheqëse të guidës turistike në qytetin e gurtë./euronews.al