Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Sulmet ndaj Policisë së Kosovës

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po vazhdojnë sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës në veri të vendit nga rreth 30 persona ende të paidentifikuar.

Nëpërmjet një konference për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Kurti tha se persona të cilët janë të veshur si profesionistë ushtarakë apo policorë me armatime të ndryshme po vazhdojnë sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës në dhe rreth Manastirit në Bajnskë të Zveçanit.

Kurti, i cili ka shpalosur edhe disa fotografi në konferencën në Qeverinë e Kosovës, tha se ky grup kanë vetura pa targa rreth Manastirit ndërsa po ashtu kanë dhe një autoblindë, derisa janë të armatosur me armë të rënda automatike dhe me zollë, por, po ashtu janë të mbrojtur me jelekë anti-plumb dhe helmeta.

“Sulmet mbi policinë tonë janë duke vazhduar, janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë – ushtarakë a policë të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen tek organet tona të sigurisë. Ata janë që po e sulmojnë policinë tonë edhe pasi kanë vrarë Afrim Bunjakun dhe kanë plagosur Alban Rashitin”, theksoi Kurti.

Kurti tha se vrasja e zyrtarit policor dhe plagosja e kolegut të tij duhet të kthehet në angazhim edhe më të shtuar në luftimin e bandave, krimit të organizuar dhe zbatimit të ligjit.

Ai tha se krimi i organizuar me mbështetje politike e financiare dhe logjistike nga Serbia po e sulmon shtetin e Kosovës, ndërsa theksoi se kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen dhe do të dënohen.

“Ne nuk e dimë se çfarë ka brenda në manastir, këto fotografi janë çfarë kemi parë jashtë manastirit. Këta persona me shumë gjasë janë edhe në ndërtesat dhe shtëpitë rrotull, sepse nuk janë që të gjithë në manastir dhe nuk e dimë nëse janë në manastir apo sa janë aty. Ta kuptoni që njoftimet janë duke ndryshuar disa herë brenda orës, ndërsa për atë se çfarë do të bëhet në vijim natyrisht që ne dëshirojmë që në njërën anë ta kemi ligjshmërinë të pacenuar dhe ta zbatojmë ligjin, ndërkaq, në anën tjetër na duhet të kemi edhe për sigurinë dhe minimizimin e çfarëdo pasoje që do të mund të shkaktohej nga zbatimi i ligjit që pa dyshim duhet të jetë i pakompromis”, theksoi Kurti.

Kurti tha se autoritetet kosovare janë të informuar se rrotull kufirit të Kosovës në anën e Serbisë ka vazhdimisht lëvizje dhe këto janë përcjellë nga to, mirëpo të njëjtat informacione theksoi se i di edhe Misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR, me të cilin janë në koordinim të vazhdueshëm.

Rreth orës 3:00 të mëngjesit në Bajnskë të Zveçanit një zyrtar policor mbeti i vrarë dhe një tjetër i plagosur pas sulmit të këtij grupi ndaj njësitit policor në veri. Pas sulmit ndaj tyre u bë e ditur se zyrtari policor i vrarë ka qenë polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare.

 

AA

Prev Post

Windows 11 pasurohet me disa funksionalitete shumë të dobishme që gjenden në telefonët Android dhe iOS

Next Post

Presidenti Begaj: Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës

post-bars

Leave a Comment