Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Dhurohen dokumente mbi “Luanin e Janinës”

Dhurohen dokumente mbi “Luanin e Janinës”

Sikurse u zotua një vit më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) i ka dhuruar Muzeut Historik të Tepelenës, një sasi të konsiderueshme dokumentesh mbi veprimtarinë e Ali Pashës.

Ky akt dhurimi u krye në prani të kryebashkiakut të Tepelenës, Tërmet Peçi, përgjegjëses së organit lokal të kujtesës, Klejda Gaba dhe përfaqësuesit të DPA-së, përgjegjësit të Komunikimit, Ergi Zaloshnja.

Dokumentacioni i gjerë mbi personalitetin e periudhës së pararilindjes, përfaqëson një bazë të dhënash digjitale që mund të shërbejë potencialisht si shtysë për kryerjen e hulumtimeve të mëtejshme, që hedhin dritë mbi angazhimin e Ali Pashës.

Ndërkaq, në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës dhe të Ministrisë së Kulturës, DPA-ja paraqiti buzë Vjosës ekspozitën “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”.

Duke iu drejtuar pedonales, publiku vendas dhe vizitorët patën mundësinë të merrnin pjesë në çeljen e kësaj ekspozite me imazhe që shpalosnin larminë dhe veçantitë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare.

Mes materialeve të përzgjedhura të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), gjendeshin imazhe të figurave të rëndësishme historike nën petkun e veshjes popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare), kostumeve popullore të trevave në jug dhe në veri të vendit, si edhe në Shqipërinë e Mesme.

Kjo ekspozitë u prezantua në kuadër të “Vjosa ime”, një tërësie aktivitetesh kulturore me agjendë dyditore, 8-9 korrik, që përfshiu koncert me muzikë klasike, mbrëmje poetike, ekspozitë me libra, shfaqje teatri, panair me veshje të ndryshme popullore të krahinës, veshje të punuara me dorë, punime druri, metali, prodhime kulinarie tradicionale, bimësi medicinale etj./ atsh / KultPlus.com

Prev Post

Gruaja e parë shqiptare e cila botoi literaturë në Shqipëri

Next Post

Fjalët e para të Iliadës janë shkruar në gjuhën pellazge-shqipe, me alfabet pellazg jo grek

post-bars

Leave a Comment