Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Letërsi Kontakt| Azem Shkreli, 3 poezi.

Letërsi Kontakt| Azem Shkreli, 3 poezi.

KANGË RRUGE

Sonte kam dal me shëtit nëpër syt’ e tu,
gjethet e stinët me i përtri-
vetëm edhe sonte

E nëse kam me humbë në rrugicën e vetullave harkue-
mos i fik dritat e shikimeve shituese, se fikën
yjt e gëzimeve të kësaj nate.

Sonte kam dal me shëtit nëpër syt’e tu,
fushat e dëshirave gjelbëroshe me i gjesditë tanë natën-
vetëm edhe sonte

E nëse ke me kalue bulevardeve të krahnorit tim-
mos ik, se kam me t’zanë
langojt e harbuem t’gjakimit!

në flakën e tyne me ndezë edhe një fije shprese-
vetëm edhe sonte!
Sonte kam dal me shëtit nëpër syt’ e tu

 

KATËR KËSHILLA VETES

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh
me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë.

Ngrehu mbi veten në do t’rrokësh frerët e erërave,
të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat e gjakut tënd.

Nëse dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë,
jo në sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi.

Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë.

 

VDEKJA E MALËSORIT

Asnjë kokë përkulur
Se ja rrëxoni lisat

Asnjë gjëmë mësa guri
Se ja shembni majet
Asnjë lot asnjë
Se ja shteroni krojet

Në sytë e tij vetëm
Harroi prendimin dita

Ç’mendim i vrugët
Ç’mendim i ftohtë ndër vetulla
Lum ky çfarë vdekje

 

|Radio Kontakt

Prev Post

Një grup tjetër i besimtarëve nga Shqipëria është nisur dje për të kryer Haxhin

Next Post

Ka nisur festivali folklorik, pamje nga atmosfera në Gjirokastër

post-bars

Leave a Comment