
Projekti për restaurimin e Kalasë së Prezës fiton çmimin BIG SEE
CHwB Albania (Trashëgimia Kulturore pa kufij-Shqipëri) njoftoi se, projekti i tyre për Restaurimin dhe Përforcimin e Kalasë së Prezës është përzgjedhur si fitues i Çmimit të Arkitekturës BIG SEE, në kategorinë e Ndërtesave Publike.
“I jemi shumë mirënjohës ekipit tonë të arkitektëve dhe partnerëve tanë që e kanë bërë të mundur këtë projekt”, shkruan CHwB Albania, organizatë joqeveritare e përkushtuar ndaj shpëtimit e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, të prekur nga konfliktet, fatkeqësitë apo edhe neglizhenca.
“Falënderojmë ekipin e BIG SEE për vlerësimin pozitiv të projektit tonë”, thuhet në njoftimin e ndarë nga CHwB Albania, në rrjetet sociale.
Platforma BIG SEE synon që vazhdimisht të nxjerrë në pah biznese ekselente dhe sipërmarrje krijuese të Evropës Juglindore.
Kalaja e Prezës, projekti për restaurimin e së cilës është nderuar me çmim, është një Monument Kulture, Kategoria I. E ndërtuar në shekullin e 15-të, kalaja ka një histori të gjatë ndërhyrjesh në strukturë. / atsh / KultPlus.com

