Fisi i Gashit-pozita, popullsia dhe legjenda e tij
Fisi i Gashit-pozita, popullsia dhe legjenda e tij
Rajoni i fisit të Gashit ndodhet në qarkun e Tropojës, në Shqipërinë verilindore, që nga lindja e qytetit të Bajram Currit deri te komuna e Gjakovës në Kosovë. Një pjesë e madhe e Gashit banon në luginën e Llugajt dhe në atë të lumit Bushtrica. Gashi kufizohet me rajonet tradicionale të fisit të Krasniqes në perëndim, me Bytyçin dhe me Qafën e Luzhës (815 metra lartësi mbi nivelin e detit) në jug. Fisi i Gashit, po ashtu kishte kullosa verore në veri të malit që gjendet në lindje të Vuthajt (tani në Mal të Zi). Ngulimet dhe vendbanimet kryesore të Gashit, janë:Tropoja, Ahmataj (Shushicë-Ahmataj), Mejdani dhe Luzha.
Popullata
Termi Gashi është regjistruar si Gaasi, më 1634, në raportin kishtar të priftit françeskan Bonaventura di Palakolo (v.1657), pastaj si Gassi, më 1650, në raportin e Fra Gjaqintos dhe si Fassi dhe Gasi, më 1671, në raportin e Pjetro Stefano Gasparit.
Gashi ishte një fis mysliman, armiku tradicional i Shalës katolike. Pjesëtarët e këtij fisi përbëjnë një komunitet që është i vetëdijshëm për lidhjet e përbashkëta të gjakut, të historisë dhe të një stërgjyshi nga ana mashkullore. Ai përbëhet nga dy bajraqe: Gashi i qendërzuar në Koçanaj dhe Shipshani i qendërzuar në Kasaj. Gashianët e konsideronin veten kushërinj të Krasniqes, meqë të dy palët e kishin prejardhjen nga perëndimi.
Sa i përket statistikave të popullatës, Princi Nikolla i Vasojeviqëve, në “Një raport i shkurtër mbi fiset e Shqipërsië së veriut, veçanërisht të Malësisë së Pavarur“, më 1841, për popullatën e Gashit, jep këto shënime: 4000 banorë, prej të cilëve 1000 ishin burra të armatosur.37
Joahn Georg von Hani, i cili udhëtoi nëpër këtë rajon, në verën e vitit 1863, konstatoi se Gashi përbëhej prej 500 shtëpive, të cilat ishin të ndara në bajraqe: në Shipshaj dhe në Bardhaj.38 Më 1858, ai kishte vënë re edhe praninë e Gashianëve në rajonin e Leskovcit në jug të Serbisë:
“Te përzier me fisin e Krasniqes në rajonin e Leskocit janë edhe degët e fiseve të Sopit, Berishës dhe Gashit. Gash ka edhe në rajonin e Masuricës, shumica prej të cilëve i takojnë fisit të Krasniqes. Në qarkun e Leskocit, gashianët banojnë në gjashtë fshatra, por nuk kanë marrëdhënie me fiset e tyre në Prishtinë dhe në Vranje. Kryetari i fisit të tyre, dikur, ka qenë Latif Aga, i njohur në tërë vendin për trimërinë e tij. Tani atë e ka zëvendësuar i biri i tij më i madh, Reshit Aga, vëllai i të cilit, Emini, është komandant i një garnizoni me pesë ushtarë, në burgun e garnizonit në Lebanë“.
Në vitin 1908, besohej se Gashi kishte një popullatë rreth 4000 banorë, prej të cileve 800 burra të armatosur dhe 800 shtëpi.40
Në regjistrimin e parë dhe të besueshëm të popullatës në Shqipëri, më 1918, nën administratën Austro-Hungareze, statistika për popullatën e fisit të Gashit, është si vijon: 591 shtëpi me gjithsej 3628 banorë. Ky fis përfshin vendbanimet dhe rrethinat e Babinës, Begajt, Berbatit (Shkëlzen), Buçinit, Gegajt, Kernajës, Kovaçit, Mejhanës, Papajt dhe Tropojës.41
Gashi është një mbiemër shumë i përhapur, veçanërisht në Kosovë, ku ka vendbanime të gashëve në Prishtinë dhe rreth e rrotuU Prishtinës (veçanërisht në Mramor), rreth Gjilanit, Klinës dhe Ferizajt.
Legjendat për fisin, stërgjyshërit dhe historia
Baron Nopça, i cili bëri gjurmime mbi prejardhjen e fisit Gashi, më 1907, erdhi në përfundimin se gashianët në fillim kishin qenë kushëri me Toplanën:
“Stërgjyshi i fisit të Toplanës, emrin e të cilit nuk e di, ishte vëllai më i vogël i Can Gabetit, stërgjyshit të parë të fisit Shllaku. Can Gabeti kishte jetuar para 14 ose 15 brezash. Ai kishte dhe një vëlla tjetër të quajtur Gjergj Gabeti, i cili ishte stërgjyshi i fisit të Mëgullës. Vëllai i katërt, emrin e të cilit nuk e di, ishte stërgjyshi i parë i fisit të Gashit. Të katër vëllezërit dikur kishin jetuar në rajonin e Shllakut, ku i kishin ndarë pronat. Pas ndarjes së pronave,stërgjyshërit e Gashit dhe të Toplanës shkuan në drejtim të lindjes. Gashi u vendos në rajonin e Sermës, midis lumenjve Nikaj dhe Leshnica. (…) Vendosja e Gashit në Sermë kishte qenë e shkurtër, sepse, rreth vitit 1660, Gashi u shpërngul prej atij rajoni në territorin e sotshëm. Imzot Mjeda më tha se ekzistonte një dorëshkrim i vjetër, por që kishte humbur. Në të bëhej fjalë për disa ngjarje të harruara. Në atë dorëshkrim përshkruhej se si katolikët e Gashit i kishin vrarë dy hoxhallarë.
Me atë rast fisi u rrethua nga trupat e Begolli Beut të Pejës, i cili i kishte detyruar malësorët që të hiqnin dorë nga feja e tyre dhe të vendoseshin në një rajon të ri ku jetonte një popullatë e quajtur “Anas”. Sipas një legjende tjetër, Gashi është shpërngulur nga rajoni i Toplanës aty kah viti 1600. Gjenealogjia e Toplanës përfshin 13 breza. Mërgimi i hershëm i Gashit dhe Toplanës nga Shllaku duhet të ketë ndodhur aty nga viti 1524 apo edhe më herët, si pasojë e luftës së parë turke në Shqipëri“.
Sido që të jetë, mendohet se Gashi ka qenë fisi i parë në rajonin e Tropojës, para ardhjes së fisit Krasniqi. Referencat historike tregojnë se Gashi ka pasur edhe një stërgjysh tjetër i cili quhej Leka, i biri Petër Spanit, i cili jetonte në ngulimin e Selimajt në gjysmën e dytë të shekullit të pesëmbëdhjetë.43 Frang Bardhi, peshkopi i Sapës dhe i Sardës, në raportin e vitit 1636, vuri re praninë e tyre:
“Me të kaluar lumin e Dritit, ne e vizituam fshatin e quajtur Krastenigje (Krasniqja). Nga ky fshat ne e kaluam lumin Valbona dhe e vizituam një fshat tjetër të quajtur Gash, ku na pritën shumë mirë. Ky fshat është goxha i madh, ka 97 shtëpi me 866 frymë të krishterësh. Qendra e këtij fshati ishte Selimaj. Bajraktari i fisit të Gashit quhej Pjetër Spani, i cili dikur kishte qenë sundimtari i Pulatit.
Një pjesë tjetër e fisit të Gashit ishte fshati Bardhë, i cili në shekullin e shtatëmbëdhjetë u nda nga fisi i Kuçit në Mal të Zi, i cili atëherë kishte qenë shqipfolës, kurse tani është sllavishtfolës. Pasardhësit e tyre janë myslimanë dhe mund ta identifikojnë zanafillën e tyre duke u kthyer në të 13 ose të 14 breza. Ata u vendosën në fshatin Gosturan, në brigjet më të larta të lumit Tropoja, diku ndërmjet viteve 1600 dhe 1650.45
Bajraku Shipshan i fisit të Gashit, sipas legjendës, thuhet se është themeluar në shekullin e shtatëmbëdhjetë nga një jevg, i cili ishte martuar me të bijën e kreut të fisit të Gashit dhe ishte vendosur së bashku me të në Shipshan. Ky toponim së pari është regjistruar në regjistrin osman të vitit 1485 si fshat i 42 shtëpive.
Pazari kryesor për fisin e Gashit ishte Gjakova në të cilin arrinin duke kaluar nëpër Qafën e Morinës, e cila gjendet në territorin e tyre. Ata tradicionalisht takohen me fqinjët e tyre, Krasniqen, te Vorret e Shalës, që ndodhen në një kreshtë në mes të lumenjve Valbona dhe Tropoja.
Fisi Gashi, në hierarkinë e fiseve, konsiderohet si një fis i mençur apo i urtë, ashtu si thotë edhe ijala popullore: Menja e Gashit, syni i Krasniqes, inati i Berishës, trimnia e Kelmenit, dredhia e Shaljanit, gjarpnia e Thaçit./ KultPlus.com