Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Vendet që mund të vizitoni nëse jeni të dhënë pas kulturës dhe historisë.

Vendet që mund të vizitoni nëse jeni të dhënë pas kulturës dhe historisë.

Butrinti, 30 vjet pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO 1992-2022

Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Zemra e Parkut Kombëtar është qyteti Antik i Butrintit, ekzistenca e të cilit vazhdoi pa ndërprerje, që prej periudhës së prehistorisë e deri në mesjetë, duke ofruar kështu një shumëllojshmëri kulturash dhe periudhash historike. Në saj të vlerave të larta historiko-kulturore qyteti antik i Butrintit u përzgjodh fillimisht si Monument Kulture në vitin 1948, në ligjin e monumenteve të Kulturës së Shqipërisë. Ndërsa, në 1981 pylli i Butrintit është përshkruar nga ligjet shqiptare në ruajtje për rëndësinë e mjedisit. Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Ura e Nivanit ndodhet në zonën e Zagorisë në Gjirokastër.
Ajo është ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena në fillim të shekullit të XIX dhe ishte pjesë e rrugës së karvaneve tregtare që lidhte zonën e Gjirokastrës me atë të Përmetit. Ura është e përbërë nga dy harqe: harku kryesor mbi rrjedhën e lumit dhe një hark më i vogël, mbi tokë, në njërën nga këmbët e urës. Këmba tjetër e urës ka një konstruksion masiv pa hapësira drite. Ura ka një gjatësi prej 34 m dhe është e gjerë 3,15 m.

Burimi: Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore
Manastiri i Shën Mërisë në Zvërnec
Manastiri i Shën Mërisë në Zvërnec është Monument Kulture, Kategoria I. Ai ndodhet në një ishull brenda liqenit të Nartës, përballë fshatit Zvërnec dhe daton në shekullin XIV. Konakët, të tipit me çardak rrethojnë kishën e ndërtuar me gurë të zakonshëm. Kisha është e tipit me formë kryqi, me kupolë, narteks dhe ekzonarteks me kolonadë në anën veriore.
Ura e Vashës

Ndodhet mbi lumin Mat mes Klosit dhe fshatit Gurë i Bardhë, është rreth 11 metra e gjatë, e punuar me gur gëlqeror të latuar. Kjo urë u ndërtua si vepër bamirësie nga Haxhi Hajrulla Skura, afërsisht 300 vjet më parë. Ura e Vashës mbart vlera të mëdha historike dhe arkitektonike, si edhe është një ndër urat më të vjetra të këtij stili në Shqipëri.
Ura e Goricës
Ura gjendet në qytetin e Beratit dhe është një nga urat e gurit më të mëdha e më të vjetra në trevat shqiptare. Është ndërtuar në shekullin XVIII, fillimisht prej druri, e më pas me gurë në kohën e Ahmet Kurt Pashës. Gjatësia e urës është 127 metra dhe gjerësia 5 metra. Ka tetë këmbëza të ngulura thellë në ujë, si dhe dy këmbëza të forta anësore në brigjet e lumit Osum. Ajo konsiderohet prej urave më të bukura të periudhës së Perandorisë Osmane, ku vlerësohet veçanërisht për vlerat e veçanta arkitektonike. Ura lidh qendrën e qytetit me lagjen Goricë. Kurse në mesjetë, ajo ka pasur funksion më të madh, pasi lidhte Beratin me Janinën dhe Gjirokastrën me Vlorën.
Vermoshi

Ndodhet në skajin më verior të Shqipërisë dhe është një ndër fshatrat më të mëdhenj të Alpeve shqiptare, me një lartësi mbi 1000 m. Majat dhe shpatet e maleve, zbresin ëmbël mbi tabanin e sheshtë dhe të gjerë të luginës së Vermoshit, duke i dhënë territorit pamjen e një stadiumi të stërmadh olimpik. Pasuri kulturore e veçantë e Vermoshit është kompleksi arkitekturor tipik i zonës; shtëpitë tipike alpine 2-3 katëshe prej guri me shkallë jashtë, vatha e dhenëve, mullari i sanës, oborri me pemë frutore dhe gardhi. Gratë e këtij fshati bëjnë punime artizanale shumë të bukura prej leshi dhe punime me grep. Trashëgimia kulturore është mbajtëse e kujtesës historike dhe identitetit kombëtar, është arka e ADN-së së një populli, ndaj ka shumë rëndësi ruajtja dhe trashëgimi i saj brez pas brezi.

Për më shumë klikoni në linkun e më poshtëm

/https://issuu.com/revistafamilja-familymagazine/docs/revista_familja_maj_2023

Prev Post

Astrit Çerma përlotet nga malli për Tiranën: Sa më mungon Tirana e atyre viteve…

Next Post

Nga sulmet izraelite në Gaza vriten 12 persona, në mesin e viktimave gra dhe fëmijë

post-bars

Leave a Comment