Studim: Ndotja e ajrit dëmton shëndetin e njeriut në çdo fazë të jetës
Në një hulumtim të ri të kryer në Britani u zbulua se ndotja e ajrit ndikon negativisht në shëndetin e njerëzve në të gjitha fazat e jetës, nga para lindjes deri në moshën e vjetër.
Sipas hulumtimit të publikuar në revistën “The Journal”, shkencëtarët, duke u bazuar në mbi 35 mijë studime të bëra në dhjetë vitet e fundit, kanë hulumtuar gjetjet mbi efektet e ndotjes së ajrit tek njerëzit.
Shkencëtarët zbuluan se ndotja e ajrit ndikon negativisht në shëndetin e njerëzve në të gjitha fazat e jetës, nga para lindjes deri në moshën e vjetër.
Grupi i Kërkimeve Mjedisore nga “Imperial College” në Londër ka theksuar se grimcat ndotëse PM2,5 dhe dioksidi i azotit, të dyja të emetuara nga tubet e shkarkimit të automjeteve, janë veçanërisht të dëmshme për shëndetin e njeriut.
Sipas hulumtimit, këto grimca dëmtojnë shëndetin e njeriut edhe në rajonet ku ndotja e ajrit është më e ulët.
Ekspertët theksojnë se efektet shëndetësore të ndotjes së ajrit maten me numrin e vdekjeve të parakohshme, duke tërhequr vëmendjen se “efektet më të gjëra të ndotjes së ajrit në fakt fshihen pas sëmundjeve kronike”.
Gjithashtu, në studim theksohet se ndotja e ajrit ndikon në zhvillimin e fetusit gjatë shtatzënisë.
Ndotja e ajrit mund të dëmtojë gjithashtu aftësitë njohëse dhe shëndetin mendor të fëmijëve, thuhet në studim.
Shëndeti Publik i Britanisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë ka njoftuar se rreth 43 mijë njerëz vdesin çdo vit për shkak të ndotjes së ajrit në vend dhe nëse nuk merren masa, dëmi nga ndotja e ajrit deri në vitin 2035 mund t’i kushtojë vendit 18,6 miliardë sterlina. /AA