Itali, qeveria kërkon ndalimin e përdorimit të anglishtes në komunikimin zyrtar
Projektligji i paraqitur nga Fabio Rampelli, anëtar i dhomës së ulët të parlamentit italian nga partia në pushtet, Vëllezërit e Italisë, propozon një gjobë deri në 100 mijë euro për shkelje
Qeveria e krahut të djathtë të Italisë ka kërkuar ndalimin e përdorimit të gjuhës angleze në komunikimin zyrtar.
Sipas të përditshmes italiane “lI Sole 24”, projektligji i paraqitur nga Fabio Rampelli, anëtar i dhomës së ulët të parlamentit italian nga partia në pushtet, Vëllezërit e Italisë, propozon një gjobë deri në 100 mijë euro për shkelje. Rampelli argumenton se në gjuhën italiane po infiltrohen një numër në rritje i fjalëve angleze.
Legjislacioni i propozuar synon gjithashtu të ndëshkojë përdorimin e çdo gjuhe tjetër të huaj në komunikimin zyrtar. Ai ndalon përdorimin e gjuhës angleze në dokumentacionin zyrtar, duke përfshirë “akronimet dhe emrat” e roleve të punës në kompanitë që operojnë në vend. Entitetet e huaja do të duhet të kenë botime në gjuhën italiane të të gjitha rregulloreve të brendshme dhe kontratave të punës.
Projektligji pritet të ndalojë të gjitha gjuhët e huaja, duket se fokusi është te përdorimi i fjalëve në anglisht. Në draft thuhet se “përdorimi i kësaj gjuhe turpëron dhe ofendon gjuhen italiane,” ndërsa shtohet se situata përkeqësohet edhe më tej prej faktit që Britania e Madhe nuk është pjesë e Bashkimit Europian. Projektligji, i cili ende nuk ka dalë për debat parlamentar, kërkon që kushdo që mban një detyrë në administratën publike të ketë “njohuri me shkrim dhe orale dhe zotërim të gjuhës italiane”.
Sipas të përditshmes, drafti përfshin tetë nene dhe dispozita. Mes tyre është ngritja e një komisioni parlamentar për mbrojtjen, promovimin dhe zhvillimin e gjuhës italiane, e cila “është nën kërcënimin e Anglomanisë”.