Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Shqipëria shënon 14-vjetorin e anëtarësimit në NATO

Shqipëria shënon 14-vjetorin e anëtarësimit në NATO

Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë ka kaluar në disa zhvillime të ndryshme që përfshinë transformimin e Forcave të Armatosura, angazhimin në misione paqeruajtëse, angazhimin e institucioneve për mbështetjen e politikave të sigurisë të Aleancës

Nga Fatjon Cuka

Shqipëria shënon këtë prill 14-vjetorin e anëtarësimit në NATO, ndërkohë vendi vazhdon të mbështesë politikën e zgjerimit dhe të rritjes së bashkëpunimit me Aleancën.

Gjatë regjimit komunist Shqipëria ishte pjesë e Traktatit të Varshavës, blloku ushtarak i vendeve komuniste të Evropës, ku ishte anëtarësuar që në vitin 1955, ndërsa u largua nga ky bllok në vitin 1968.

Pas përmbysjes së regjimit komunist në vitin 1991, Shqipëria filloi procesin e bashkëpunimit dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, mes tyre edhe në NATO, pasi vendi kishte përcaktuar orientimin euro-atlantik.

Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka kaluar në disa zhvillime të ndryshme që përfshijnë transformimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, angazhimin në misione paqeruajtëse dhe angazhimin e institucioneve shqiptare për mbështetjen e politikave të sigurisë të Aleancës.

Procesi fillon në vitin 1992, me pranimin e Shqipërisë zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC), që ishte organizmi i parë që krijoi Aleanca për të ndërtuar marrëdhëniet me shtetet që dolën nga regjimet komuniste në Evropën.

Një nga zhvillimet e rëndësishme në këtë proces është ai maji i vitit 2003, kur Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia (sot Maqedonia e Veriut) së bashku me SHBA-në nënshkruan “Kartën Adriatik 3 – SHBA”, që sipas autoriteteve shqiptare u konsiderua si një nismë që do të përgatiste anëtarësimin e vendeve në NATO.

Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit më 2 prill të vitit 2008, ndërkohë më 25 prill të të njëjtit vit Shqipëria filloi zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në NATO, që përfshinin disa çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore.

Pas përfundimit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill të vitit 2009, duke përmbushur një nga objektivat e saj të orientimit euro-atlantik.

Shqipëria mori pjesë për herë të parë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill të vitit 2009, ndërkohë që më 7 prill në selinë e Aleancës në Bruksel u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Bashkëpunimi Shqipëri-NATO

Shqipëria dhe NATO bashkëpunojnë në disa fusha, me fokus në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe mbi mbështetjen nga Aleanca për një reformim të institucioneve të mbrojtjes në vend.

Ndërkohë autoritetet shqiptare kanë rikomfirmuar se sipas një raporti të NATO-s për vitin 2022, Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të mbështetjes publike për NATO-n në të gjithë Aleancën.

Marrëdhëniet mes Aleancës Shqipërisë u avancuan pas vendimit të NATO-s për të ndërtuar një bazë taktike ajrore në Kuçovë, që konsiderohet baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Projekti për Bazën Ajrore të Kuçovës ka nisur zbatimin në janar të vitit 2022 dhe është në vlerë prej rreth 45,8 milionë eurove, ndërsa punimet parashikohet të përfundojnë në vjeshtën e vitit 2023.

Projekti përfshin punimet që do të përmirësojnë infrastrukturën e bazës dhe konsistojnë në ndërtimin e depove të armatimit, ato të karburantit, stacioneve të armatimit, parkingut të avionëve, stacionit kundër avarive dhe zjarreve, rindërtimin e pistës dhe kullës së kontrollit.

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi në vitin 2022 se kanë ftuar NATO-n që të marrë pjesë në një bashkëfinancim për pjesën ushtarake të Portit të Durrësit, për instalimin e një baze të Aleancës në port.

Ndërkohë, në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, autoritetet shqiptare iu bashkuan qëndrimeve të NATO-s pasi Shqipëria zyrtarisht “ka dënuar ashpër sulmin e paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës”.

Gjithashtu, si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), Shqipëria mbështet intensifikimin e bashkëpunimit të ngushtë NATO-BE për përballimin e kërcënimeve të ndryshme.

Ndërkohë, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë kontribuar edhe në misione të ndryshme paqeruajtëse, pasi janë angazhuar në periudha të ndryshme dhjetëra misione jashtë vendit, si në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Irak, Çad, Gjeorgji, në Detin Egje, Mali, Afganistan dhe Sudani i Jugut. /AA

Prev Post

Pse qeveritë e botës po godasin TikTok?

Next Post

Projekti 40 milionë euro për turizmin, gati ndërhyrjet në Parkun e Apollonisë dhe ura mbi Osum

post-bars

Leave a Comment