Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Epopeja e Gilgameshit, një ndër poemat më të lashta të njerëzimit

Epopeja e Gilgameshit, një ndër poemat më të lashta të njerëzimit

Sot, më 21 mars, shënohet Dita Botërore e Poezisë. Që nga viti 1999, 21 marsi është shpallur nga UNESCO dita botërore e poezisë. Vendimi i marrë në kongresin e 30-të të kësaj agjencie, zhvilluar në Paris, ka si objektiv kryesor mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike.

NGA FERIDE PAPLEKA

Epopeja e Gilgameshit bën pjesë ndër veprat poetike letrare  më të moçme të njerëzimit. Ajo është një rrëfim legjendar i krijuar në Mesopotaminë e lashtë (Iraku i sotëm), kushtuar heroizmit të njeriut dhe përpjekjes së tij për të trimfuar mbi vështirësitë. Nga thellësia e shekujve ajo vjen me mesazhin universal se bota e njeriut bashkë me ngadhënjimet dhe dështimet duhet t’u transmetohet brezave të mëvonshëm. Varianti i parë i plotë, i njohur deri më sot, mendohet se ka qenë shkruar në gjuhën akadishte, afërsisht tridhjetë e tetë shekuj më parë në Babiloni.

Autori i kësaj epopeje nuk dihet, – megjithë hamendësimet për një prift si formator përfundimtar të saj, – por është e sigurt se ajo i përket traditës letrare sumere – babilonase që është më e vjetër se Vedat indiane dhe se Iliada e Homerit. E shkruar me piktograme, në origjinë të saj janë frymëzimet nga disa rrëfime më të hershme mitike, por që vendosin në qendër, mbretin Gilgamesh, i pesti në dinastinë e parë të Urukut, rreth vitit 2650 para erës sonë, sipas listës mbretërore sumeriane që u hartua gjatë mbretërimit të dinastisë së Isin-it, rreth 2017-1794 para eres sonë. Ekzistencën e saj e bënë të mundur gërmimet arkeologjike për të zbuluar pallatin e mbretit Assurbanipal në Ninivë, në jug të Bagdatit. Në bibliotekën e tij të famshme u gjet edhe kjo poemë.

Fillimisht u zbuluan disa fragmente sumere të saj dhe pastaj një varant i plotë akadian. Janë, pra, disa pllaka prej argjili të kuq me shkrim, të cilat pasi shkruhej, piqeshin nëpër furra që të sigurohej qëndrueshmëria. Varrosur nën dhe për dhjetëra shekuj, ajo qe dëmtuar dhe si rrjedhim shumë fjalë e vargje qenë zhdukur, por shkencëtarët e shkrimit kuneiform ia kanë arritur të bëjnë një rindërtim të krejt ngjarjes. Zbulimi iu bë i njohur botës më 1870. Së pari aj u përkthye në anglisht nga G. Smith dhe pastaj, kuptohet edhe në gjuhë të tjera. Kjo vepër bëri jehonë të madhe sidomos lidhur me pasazhin që flet për Përmbytjen e madhe (që e gjejmë edhe në Bibël), e që është frymëzuar nga epopeja babilonase.

ipas mendimit të përbashkët të asiriologëve rrëfimi për Përmbytjen e madhe, i frymëzuar nga epopeja babilonase Atrahasi, ose Poema e të Gjithditurit, është shtuar në vitet 1200 para erës sonë, për të krijuar një tekst të plotë me XI. Numri njëmbëdhjetë ishte numër i pëlqyer. Kurse tableta XII, që lidhet me numrin dymbëdhjetë, i cili po ashtu ishte numër i pëlqyer është përkthim i gjysmës së dytë të rrëfimit sumerian Gilgameshi, Enkiduji dhe shtëpia e të vdekurve, duhet të jetë shtuar rreth vitit 700 para erës sonë. Poema apo Epopeja e Gilgameshit, duket se kishte njohur sukses në Lindjen e Afërme në ato kohëra, sepse disa kopje të saj janë zbuluar edhe në gërmime të tjera arkeologjike si në Mesopotami, në Siri, në Anatoli etj.

nhgtfrhj
Madje ajo është përmendur në disa tekste të mëpastajme, deri para erës sonë. Sipas studiusve ajo ka qenë përkthyer në hititishte dhe hurrishte. Rrëfimet për trimat përbënin një aspekt të rëndësishëm të kulturës sumere. Ato shprehin filozofinë e një bote mitike, mbushur me besim e himne, me fitore mbi forcat e egra e mbi vdekjen. Nga rrëfimet e shkëputura për ngjarjet e shkurtra e heroike si dhe nga lutjet fetare, kultura babilonase krijoi epopetë. E tillë është edhe kjo vepër që i këndon Gilgameshit. Duke qenë mbret, Gilgameshi është i pajisur me veti hyjnore, por ai ka edhe një pjesë njerëzore. Nëpër vargje përshkruhet edhe karakteri i tij tiranik.

Madje kjo thuhet që në vargjet e para : ” Sa madhështor që është dhe trim i çartur / dhe mendjemprehtë sa fort ka qëlluar, / të rinj e t’ vjetër, t’fortë e të ligj / për mbretin duhet të gjithë të punojnë / shkëlqimi i Urukut duhet t’shndrisë / më fort se n’çdo qytet mbi këtë tokë ” Disa studime të kohëve të fundit e kanë përqasur poemën me dymbëdhejtë heroizmat e Herakliut (Herkulit romak) dhe mendojnë se ka një lidhje tipologjike mes lavdisë së Gilgameshit dhe mitit të Herakliut. Legjenda babilonase, natyrisht është gati një mijëvjeçar më e hershme se shkrimet e Homerit.

Përmbledhje e shkurtër e përmbajtjes:
Protagonist i poemës, Gilgameshi, mbret i qytetit të Urukut, njëri nga personazhet kryesorë të mitologjisë asiro-babilonase, është i ashpër dhe nuk u bën lëshime qytetarëve të tij. Me kërkesën e këtyre të fundit.perëndesha Aruru, zonjë e qytetit, përgatit me argjil një “Kopje” të Gilgameshit, i cili quhet Enkidu, me qëllim që ta vejë mbretin në rrugë të mbarë. I personifikuar në imazhin e Anuit, zot i qiellit dhe të Ninurtas, zot i luftës, Enkiduji është njeri i egër, pa hijeshi natyrore, i xhveshur, nga çdo elegancë e natyrshme dhe i përcaktuar të jetë pasqyra e Gilgameshit, shok i tij, por në ndryshim nga mbreti, ai është zemërmirë dhe ka formën e një demi. Dy personazhet takohen në duel, por asnjeri prej tyre nuk fiton. Në fund të ndeshjes, të dy e kuptojnë se janë plotësues për njëri-tjetrin dhe bëhen miq, lidhen për të përmbushur bashkë heroizma të mëdha.

Së bashku ata luftojnë gjigandin Humbaba, që në të vërtetë është e Keqja që u dërgon ajo dhe e mundin. Perëndesha Inanna e shpall Gigameshin hero, duke kërkuar prej tij shërbime nënshtruese që ai i kundërshton. Sepse ajo ” zemrën të akullt ” e ka, thotë ai. Për t’u hakmarrë ajo dërgon kundër dy miqve një dem qiellor që ata të bashkuar sërish e mundin. Meqë s’ia del dot në këtë mënyrë, perëndesha e çon në vdekje Enkidunë. I mbërthyer nga dhimbja për humbjen e mikut dhe nga lemeria për vdekjen si akt i pakthyeshëm, në kulm të trishtimit, Gilgameshi niset në kërkim të pavdekësisë. Studimet e fundit flasin për dashurinë e parë homseksuale të paraqitur në një vepër letrare. Asgjë nuk e ndal Gilgameshin që të marrë rrugët e botës. Kështu vepron edhe Siddharta Gautama pesëqind vjet para erës së re, por në kërkim të urtisë.
fjyj

Shija e nisjes për udhëtime shoqëron shumë protagonistë të veprave letrare nëpër kohëra, duke filluar që me heroin e poemës Odisea të Homerit, me Uliksin, i cili mbahet si simbol i kërkimit të atdheut dhe dashurisë, e të tjerë. Në udhëtimin e vështirë të kërkimit të pavdekësisë, pranë Outa-Napishti-t. që i rrëfen tregimin e çuditshëm të Përmbytjes së Madhe. Në çastin e largimit ai i zbulon ekzistencën e bimës jetëdhënëse. Gilgameshi e siguron bimën jetëdhënëse me shumë , në kohën që ai pushon që ta marrë veten nga ai mundim i madh, një gjarpër e fsheh dhe në këtë mënyrë ai e kupton se nuk është në natyrën e Njeriut të jetë i pavdekshëm. Një betejë e këtillë është e kotë dhe njeriu duhet të përfitojë nga kënaqësitë që i afron jeta e përkohshme.

Kërkimi i lavdisë dhe i pavdekësisë
Epopeja përqendrohet rreth personazhit të Gilgameshit që kërkon të bëhet legjendë që në gjallje, duke përmbushur trimëri të shquara. Në këtë ndërmarrje të madhe me aventura, ai zgjon zemërimin e zotave, sepse kërkon t’i shpëtojë ligjit si vdekëtar. Udhëtimi i Gilgameshit është iniciatik (udhëzues), sepse ai është i vetmi që zbulon arsyet që i kanë shtënë zotat të shkaktojnë Përmbytjen e Madhe. Nga trimëritë, më e rëndësishme është ajo që përshkruan udhëtimin e tij për të gjetur bimën që shëronte vdekja e të falte rininë. E kanë quajtur një udhëtim diellor, udhëtimin e Gilgameshit, sepse perëndia diellore luan një rol mbizotërues aty.

Dhe e kanë shpjeguar numrin e tabletave dymbëdhjetë, me dymbëdhjetë muajt e vitit. Në udhëtimin e Gilgameshit që është komentuar gjerësisht si kërkim të lavdisë dhe pavdekësisë, qëndron një ide e madhe filozofike për jetën, për përparimin dhe lëvizjen që shpien përpara. Gilgameshi e zbulon bimën jetëdhënëse në një vend të largët e të panjohur. Menjëherë ai vendos që ta çojë në Uruk, por rruga e kthimit është e gjatë. Ai ndalet për t’u çlodhur diku dhe përgjumet si çdo qenie e gjallë. Ndërsa zgjohet, aty pranë vë re një burim. Zhytet në burim që të freskohet, duke menduar për mrekullinë e bimës që fal rininë e përjetëshme. Por ai ende nuk është gëzuar plotësisht për veprën e tij të shkëlqyer, kur një gjarpër që del nga foleja, i tërhequr nga aroma e bimës, e rrëmben dhe largohet. Gilgameshi mbetet i ngurosur dhe i dërrmuar.

Ai nuk mund të bëjë gjë, prandaj e vajton humbjen. Zhdukja e bimës lë të nënkuptohet se është në natyrën e njeriut të jetë i vdekshëm. Dëshira për të qenë i pavdekshëm është e kotë dhe e paarritshme. Njeriu duhet të përfitojë nga kënaqësitë dhe bukuritë që jep jeta e tashme, jo jeta e ardhshme. Vdekja është e pashmangshme. “Vdekja ! Por kush e ka parë ? Askush nuk e njeh. S’ia ka parë fytyrën. S’ia ka dëgjuar zërin”. Gilgameshi është i dëshpëruar. Ai e kupton se vdekja e pret kudo që të shkojë. Në të vërtetë dëshpërimi është pavdekësia e tij. Dhe vendos të kthehet i mundur në vendin e tij, në Uruk.

Miqësia
Një nga temat më të rëndësishme në epope është pa dyshim miqësia që lidh Gilgameshin me kopjen e tij. Ata janë binjakë, të kundërt. Gilgameshi përfaqëson forcat e dritës, Enkidu përfaqëson forcat e errësirës. Procesi qytetërues i Enkidusë është shumë i vështirë. Ai qytetërohet pak nga pak. Vetëm kur humb forcën e tij të egër, ai fiton kuptimësinë e fjalës e të mendimit. Miqësia ndërmjet Gilgameshit dhe Enkidujit të kujton bashkimin e forcave të kundërta. Enkidu, kur lufton me Gilgameshin, shkon drejt forcave të dritës dhe “humbet”.
sg

E kanë shpjeguar lidhjen e dy heronjve si të kundërnatyrshme. Enkiduji vdes nga një sëmundje e pashërueshme që i dërgojnë si hakmarrje ndaj Gilgameshit. Në poemë jepet bukur momenti kur Gilgameshi heq dorë nga jeta e qytetëruar dhe vesh lëkurën e demit qiellor, duke u endur vetëm nëpër shkretëtirë. Ndërkohë, dihet se Enkidu hoqi dorë nga jeta e egër për të jetuar mes njerëzve. Simbolika e qytetërimit të Enkidujit, mund të përmbledhë vështirësitë në të cilat kanë kaluar stërgjyshërit tanë të largët për t’iu larguar jetës së egër dhe me shkallët që kanë kapërcyer ata për të arritur në nivelin e jetës njerëzore.

Ide të tjera
Gilgameshi ishte mbret dhe jetonte mes të mirave. Ai nuk kishte menduar ndonjëherë për vdekjen deri në çastin që shuhet miku i tij. Vetëm atëherë ai e kuptoi se edhe atë e pret vdekja. Me këtë ide universale vepra krijon një raport lidhjesh e kuptimësie me botën tonë, siç vë në dukje edhe V. Proppi. Megjithëse në mënyrën e rrëfimit ajo afrohet me strukturën e përrallës, qëllimi kryesor është të tregojë se vdekja është ligj i pandashëm i natyrës ashtu si edhe lindja. Trimëria, hijeshia dhe tirania e Gilgameshit jepen si një sfond ku do të mbështetet etja e tij për jetën. Por vdekja s’do t’ia dijë. Që nga çasti i largimit të mikut Enkidu, atë e shoqëron një tmerr i sëmurë nga vdekja. Vdekja shndërrohet në një imazh që e vë atë nën pushtetin e saj.

Pa vdekur akoma Enkidu, ai e ka parë vdekjen në ëndërr. Një zë me një lloj materializmi të ashpër, shumë kohë para se të kishte shkencë materialiste, i thotë : ” Hyr në shtëpi, ku dritë s’u duhet njerëzve ; ushqim e kanë pluhurin dhe shujtë tokën ” (f.56). Megjithëse në këngën e katërt ai e këshillon Enkidunë : ” Harroje vdekjen ! “, kur vdes Enkidui, atij i bëhet vdekja makth dhe në këngën e nëntë thotë : ” Mos duhet të vdes edhe unë si Enkiduji ?/ Prej vdekjes frika e madhe më zuri ” (f. 81). Kështu nuancat e holla psikologjike në luftën e tij shpirtërore, krijojnë një mozaik me skena tronditëse. ” Ushqim të vetëm dhembjen unë e pata ” (f.89).

Në aventurën e tij në kërkim të pavdekësisë Gilgameshi triumfon mes vështirësive. Kështu përkëtej mrekullive dhe luftës epike, epopeja bën edhe portretin e tij. Një hollësi e përshkruar me bukuri në poemë janë vargjet kur ai duke udhëtuar natë e ditë, nuk e ndien lodhjen dhe fle fare pak nga ideja e frikshme se gjumi mund ta çojë në vdekje. Ai nuk epet, nuk ligështohet kur përballet me vështirësitë, të cilat janë një përzierje mes forcave të natyrës dhe forcave hyjnore: ” Terri verbonte, dritë s’kish askund ” (f.84).

Pas aventurash të çuditshme, bukur jepet në poemë takimi me një stërgjysh që ka fituar jetën e amshuar e që i zbulon Gilgameshit sekretin e pavdekësisë ; është fjala për bimën detare, për barin çudibërës. Kur e humbet bimën jetëdhënëse, Gilgameshi në fillim turbullohet, por paskëtaj i bindet ligjit që mbretëron në tokë, vjen në shtëpi dhe iu nënshtrohet kushteve të vdekjes. Në tabletën XII rrëfimi nis prapë, në mënyrë të papritur me vdekjen e Enkidujit, Por në një formë tjetër. Dy miqtë janë bashkë, kur Gilgameshit i bien në thellësitë e tokës (në ferr, por që e quajnë Tokë), harku dhe shigjetat. Enkiduji futet që t’i marrë, por nuk kthehet dot.

Gilgameshi artëherë kërkon ndihmë. Trimi Nergal i hap një dritare të vogël, me qëllim që të dalë fantoma e Enkidujit. Ata takohen dhe përqafohen. Gilgameshi i kërkon t’i tregojë se çfarë ka parë atje poshtë. Miku i thotë se po t’i tregonte se çfarë kishte parë në Ferr, ai do të plandosej në dhe i mbuluar në lotë. Ai e kupton se do të vdesë dhe nuk ka shpëtim. Vargu i fundit i poemës na mëson se pas pak kohe Gilgameshi vdes në Uruk, në vendin e vet apo në atdheun e tij: ” Vdekja e rrëmbeu n’ pallat, n’ sallën e ndritshme ” ( f. 116). Në epope mishërohen edhe ide ide të tjera. Më e rëndësishmja është dialektika e qenies dhe transformimet që pëson njeriu dhe natyra. Bie fjala, Gilgameshi mbret lufton kundër të Keqes dhe fiton; Enkidui fillimisht është kafshë e pastaj bëhet njeri që kryen vepra trimërie ; forcat e natyrës herë triumfojnë në përleshje me forca të tjera të pashpjegueshme dhe herë dështojnë.

E Mira dhe e Keqja përshkruhen në luftën e personazheve që rrinë mes legjendës dhe historisë: ” Tevona mbreti shpatën vringëllon. / Përtokë bie Humbaba i goditur / dhe Gilgameshi kokën ia këput ” (f.65) ; ” Më tej udhëton, dy herë nga njëmbëdhjetë orë. / Shpella zgjerohet e rrezja e diellit shihet ” (f.85). Në të vërtetë heroizmi shoqëron të gjitha episodet e epopesë. Rrëfimi për jetën dhe vdekjen e Gilgameshit gjithashtu është mbushur me dëshmi të fuqishme se jeta është e gatuar me dhembje : ” Ushqim të vetëm dhembjen unë e pata “. Ideja tjetër e rëndësishme se jeta njëherë të jepet në dorë e duhet jetuar, është një nga idetë më madhore, në fund të fundit është edhe përfundim filozofik. Aedi popullor duke përshkruar fatin e Gilgameshit, jep shqetësimin për fatin e njeriut në përgjithësi e thotë: ” [… ] tash do të përmbushet dëshira e njeriut, / ta ketë prore forcën e rinisë ” (f.111).

Stili
Bukuria dhe pasuria simbolike njerëzimit është bërë objekt studimi i kritikëve dhe filozofëve. Të nisesh, do të thotë të vdesësh pak. Gilgameshi zbulon midis vetes dhe tjetrit që mishëron personazhi i tij, një ndjesi që nuk e ka njohur më parë. Ura që lidh të njohurën me të panjohurën në poemë, jepet në formën e guximit për të kapërcyer vështirësitë, në trajtën e një vije kalimi nga një kohë në tjetrën, për të gjetur një mjet shpëtimi me çdo kusht. Aventura e kërkimit përbën pak a shumë historinë e jetës së Gilgameshit. Ai shkel në shtigjet e guximit, falë vendosmërisë shpirtërore, cilësisë më të bukur të karakterit njerëzor. Njëkohësisht kjo cilësi dëshmon sesa i dashuruar është ai me jetën. Edhe pse epopeja ka si motiv kryesor fatin tragjik të njeriut dhe synimin e tij drejt përjetësisë dhe se misioni përmbyllet me një mendim të fuqishëm epik se jeta ka hone të mëdha për t’u kapërcyer, episodet sentimentale aty nuk janë të rralla.

Pavarësisht nga shtresa mitologjike e fetare që i japin materialit ngjyrat e një krijimi me funksion të shumëfishtë, epopeja është një rrëfim dramatik që përputhet në disa pika me qëndrimin tonë në kohët moderne kur vdekja përjetohet përherë e më tepër në mënyrë dramatike dhe tragjike. Idetë dhe konflikti qendror i kësaj vepre u transmetuan në shumë vepra të tjera të letërsisë në gjysmën e dytë të shekullit XX. Duke pasqyruar me art kohëra të hershme që i ka nxjerrë nga pluhuri i harresës me ekzistencën e saj, poema është edhe një monument i madh kulture që duhet njohur. Madhështia e aventurës së Gilgameshit mbetet një nga veprat më origjinale të njeriut në kohët e lashta.
epi i gilgameshit

Historia dhe e sotmja e poemës
Pas zbulimit të saj, në fund të shekullit XIX, epopeja filloi të përhapej nëpër botë dhe frymëzoi një numër të madh krijimesh dhe referimesh, por mbeti si monument krijues i historisë së besimeve fetare. Një ndërprerje e madhe u krijua sidoqoftë qysh nga zbulimi dhe fillimi i rrugës për përjetësimin e saj në arte. Vetëm pas Luftës së Parë Botërore përkthimet e para me vlerë bënë që shkrimtarë si Rainer Maria Rilke, Herman Hesse dhe Thomas Mann apo psikanalistë si Carl Gustav Jung ta përmendin dhe komentojnë me entuziazëm.

Pas Luftës së Dytë Botërore poema mori rrugën e vërtetë të njohjes. Në fund të viteve ’50 janë botuar shumë përshtatje në formën e romaneve historike në vende të ndryshme të botës. Letërsia gjermane tregoi një interes të veçantë me përshtatje dhe referime që kanë ushqyer fiksione origjinale. Në Shtetet e Bashkuara epopeja nxiti një interes të madh te disa poetë. Sipas Epopesë janë vënë në skenë pjesë teatrale, janë kompozuar vepra muzikore me vegla antike orientale, por edhe oratorio moderne. Më 1985 dy kineastë britanikë realizuan një film fantastik me metrazh të shkurtër, mbështetur në këngën VI.

Shumë përshtatje dhe përkthime janë bërë në fund të shekullit XX, ndër të cilët mund të numërohet edhe përkthimi në shqip. Në fillimet e këtij shekulli poema është pasuruar me përkthime të reja dhe me studime të shumta për Mesopotamine e lashtë. Më 2004 doli një botim i rrallë me vizatime mbështetur në përkthimin e Jean Bottérosë, botuar nga shtëpia botuese Gallimard me titull : Epopeja e Gilgameshit, njeriu që nuk donte të vdiste. Me 2008, Epopeja e Gilgameshit është futur në programin e kolegjit francez dhe është pajisur me shënime nga botuesit e veprave pedagogjike.

1 Epi i Gilgameshit, Shtëpia botuese « Naim Frashëri », përktheu Anton Berisha, Tiranë 1990, f. 40,41.

 

Prev Post

Paraqitje e mahnitshme e Filharmonisë së Kosovës në Lisbonë

Next Post

Ramazani 2023 – ja sa orë do të agjërojnë myslimanët, në vende të ndryshme të botës

post-bars

Leave a Comment