Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Ndikimi i 5G te shëndeti

Ndikimi i 5G te shëndeti

Për të vlerësuar ndikimet e mundshme që shkaktohen nga fushat elektromagnetike, të cilat i atribuohen 5G, po kryhet një studim nga agjencia e kërkimit Enea, së bashku me 16 partnerë

Për të vlerësuar ndikimet e mundshme që shkaktohen nga fushat elektromagnetike, të cilat i atribuohen 5G, po kryhet një studim nga agjencia e kërkimit Enea, së bashku me 16 partnerë. Studimi synon të gjejë zgjidhje që të shmangin problemet, duke lejuar përdorimin e teknologjisë së re. Nisma, pjesë e projektit të BE-së, SEAWave, është financuar nga një buxhet më shumë se 7 milionë euro.

Ajo nisi më 1 qershor 2022 dhe do të zgjasë 36 muaj. Le të jemi të qartë, nuk ka vend për panik, por është një mënyrë për të identifikuar çdo çështje kritike për t’u korrigjuar.

“Në këtë projekt do të ndihmojmë në zhvillimin e sistemeve të reja hi-tech, që do të lejojnë ekspozime të kontrolluara dhe të riprodhueshme ndaj emetimeve elektromagnetike të rrjetit 5G”, – shpjegon Mariateresa Mancuso, përgjegjëse e Laboratorit biomjekësor Enea Tecnologie dhe koordinatore e projektit për Agjencinë. – Në këtë mënyrë do të mund të testojmë rreziqet e mundshme që lidhen me një ekspozim kronik ndaj brezit të ri të frekuencës për indet e synuara, veçanërisht atë të lëkurës”.

Nisma vijon në të njëjtën kohë me studimet e kryera më parë nga kërkuesit.

“Në të kaluarën, në laboratorët tanë, janë kryer studime mbi efektet biologjike të fushave elektromagnetike të lidhura me teknologjitë e mëparshme të telefonisë së lëvizshme 2G, 3G dhe 4G, – thotë studiuesja. Kërkimi i Enea përqendrohet në veçanti te sistemi imunitar, nervor, hematopoietik, dëgjimor dhe kancerogjen. Por në të gjitha rastet nuk janë identifikuar rezultate dukshëm të ndryshme në krahasim me grupet eksperimentale të paekspozuara”.

Projekti i koordinuar nga Universiteti i Aristotelit në Selanik, në tre vite aktivitet “do të synojë” të identifikojë ndryshimet në modelet e ekspozimit mes rrjeteve 2G, 3G e 4G krahasuar me 5G për gjithë popullsinë, duke përfshirë fëmijët dhe punonjësit. Ndër të tjera do të sigurojë mjetet e nevojshme teknologjike për një vlerësim të besueshëm të ekspozimit dhe për të ndihmuar në njohuritë shkencore mbi rrezikun te shëndeti i njeriut nga ekspozimi ndaj valëve milimetrike. Pikënisje e kërkimit është përdorimi i spektrit të frekuencës 5G, i ndarë në tre breza frekuencash.

Domethënë ai ndërmjet 694 dhe 790 MHz (i njohur si brezi 700 MHz) që garanton efektivitetin më të mirë në depërtimin e sinjalit brenda ndërtesave; ai i ndërmjetëm, midis 3,6 dhe 3,8 GHz (i quajtur brezi 3,7 GHz), dhe ai midis 26,5 dhe 27,5 GHz (i quajtur brezi 26 GHz).

Ky i fundit, thekson Enea, hyn në përkufizimin e “të ashtuquajturave valë milimetrike, të cilat do të lejojnë transferimin e shpejtë dhe efikas të sasive të mëdha të të dhënave”, por do të nevojitet një rrjet më i përhapur, veçanërisht në ato vende ku parashikohet përdorimi më i madh, si aeroportet, stacionet dhe qendrat tregtare.

“Avantazhet e qarta të ofruara nga kjo teknologji e re e bazuar në valët milimetrike dhe ndikimi në ekonominë botërore janë të padiskutueshme tashmë – thotë studiuesja. Megjithatë, duhet të marrim në konsideratë se është e para herë që frekuencat e brezit 5G përdoren për lidhjen e pajisjeve të dorës, afër trupit, madje edhe te pajisjet wearable.

Për këtë arsye, është më i nevojshëm se kurrë, vlerësimi i saktë i rrezikut te shëndeti – i mbështetur plotësisht në prova shkencore – për të verifikuar çdo rrezik të mundshëm për njerëzit”.

Edhe sepse, teknologjia 5G, përveç përdorimit në fushën e telefonisë celulare, konsiderohet themelore në përdorimin e “aplikacioneve të reja dhe revolucionare” në një panoramë që kalon nga telekirurgjia në brendësi të gjërave, duke vazhduar te makinat me vetëdrejtim, ose kontrolli i dronëve. Dhe pastaj Inteligjenca Artificiale, Cloud Computing dhe realiteti virtual.

Il Sole 24 Ore /monitor.al

Prev Post

Histori/ Konsullit francez 1780: S’ka grekë në Athinë, vetëm shqiptarë

Next Post

Tuneli për biçikleta më i gjatë në botë

post-bars

Leave a Comment