Turqi, numri i të vdekurve nga tërmetet rriten në të paktën në 3.432, në Siri 1.602
Të paktën 3.432 persona kanë humbur jetën dhe mbi 20 mijë të tjerë janë plagosur në dhjetë provinca turke si pasojë e dy tërmeteve të fuqishme që goditën pjesën jugore të vendit.
Herët në mëngjesin e djeshëm, një tërmet i fuqishëm 7.7 ballë me qendër në rrethin Pazarcık tronditi qarkun Kahramanmaraş dhe preku rëndë disa provinca, përfshirë Gaziantep, Şanlıurfa, Diyarbakır, Adana, Adıyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.
Më vonë pasditën e djeshme, një tërmet tjetër 7.6 ballë sërish goditi qarkun Kahramanmaraş dhe këtë herë ishte me qendër në rrethin Elbistan.
Tërmeti është ndjerë edhe në disa vende fqinje të rajonit, duke përfshirë Libanin dhe Sirinë.
Orhan Tatar, menaxher i përgjithshëm i departamentit të reduktimit të rrezikut në kuadër të Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Türkiyes (AFAD), tha se gjithsej 5.775 ndërtesa u shembën.
Ai gjithashtu tha se gjithsej 24.000 anëtarë të personelit aktualisht janë duke zhvilluar operacione të kërkim-shpëtimit.
Turqia shpalli shtatë ditë zi kombëtare për shkak të humbjeve të mëdha të jetëve të njerëzve dhe pronës të shkaktuara nga tërmetet.
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan tha se me këtë tërmet, Turqia u trondit nga “katastrofa më e madhe” që nga tërmeti i Erzincanit të vitit 1939.
“Shteti ynë ka marrë masa me të gjitha institucionet e tij që nga tërmeti. Të gjitha burimet janë mobilizuar”, tha ai në zyrën e AFAD-it në kryeqytetin Ankara, ku po koordinonte punën e shpëtimit dhe të ndihmës.
Erdoğan gjithashtu i bëri thirrje kombit të jetë “një zemër”, duke thënë: “Shpresoj se do t’i lëmë këto ditë katastrofike pas në unitet dhe solidaritet si vend dhe komb”.
Pas tërmeteve, ngushëllime erdhën nga e gjithë bota duke shprehur solidaritet me Turqinë, ndërsa shumë vende dërguan ekipe shpëtimi dhe ndihmë.
Ndërsa në Siri, ka arritur në 1.602 numri i të vdekurve dhe në 3.649 numri i të plagosurve në rajone të ndryshme të Sirisë si pasojë e tërmeteve 7.7 dhe 7.6 ballë me epiqendër qytetin Kahramanmaraş në Turqi.
Punimet e kërkim shpëtimit vazhdojnë në qytetet Idlib, Halep, Hama, latakia dhe Tartus të Sirisë të cilët janë prekur nga tërmetet.
Sipas agjencisë së lajmeve SANA të regjimit të Asadit, 812 persona kanë humbur jetën dhe 1.449 të tjerë janë plagosur nga tërmeti në qytetet Halep, Latakia, Hama dhe Tartus të cilët ndodhet nën kontrollin e regjimit.
Po ashtu shumë ndërtesa janë shembur ose janë dëmtuar edhe në rajonet nën kontrollin e opozitarëve në veri të Sirisë.
Sipas informacionit që gazetari i AA-së në terren që ka përpiluar nga Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR), Mbrojtja Civile (Beretat e Bardha), institucionet shëndetësore lokale dhe burimet lokale, të paktën 790 persona kanë humbur jetën dhe mbi 2.200 të tjerë janë plagosur në Idlib dhe në zonat e operacioneve “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit” në Siri.
Tërmetet 7.7 dhe 7.6 ballë me epiqendër qytetin Kahramanmaraş, kanë shkaktuar shkatërrime të mëdha në qytetet në fjalë.
/AA