Maskat veneciane që prodhohen në Shkodër
Artisti dhe sipërmarrësi shqiptar Edmond Angoni ka ngritur në Shkodër një fabrikë dhe muze të maskave, të cilat janë të destinuara për eksport, duke u përdorur masivisht edhe në karnavalin e famshëm të Venecias
Prodhimi i maskave artistike e ka shndërruar një muze dhe fabrikë të prodhimit të maskave në Shkodër në një destinacion unik, si për shumëllojshmërinë, por edhe për famën e përdorimit të tyre në botë.
I pasionuar pas artit, veçanërisht pas pikturës dhe skulpturës, artisti dhe sipërmarrësi shqiptar Edmond Angoni ka ngritur një fabrikë dhe muze të maskave, të cilat janë të destinuara për eksport, duke u përdorur maisivisht edhe në karnavalin e famshëm të Venecias.
Pas emigrimit për 5 vite në Itali, në vitin 1997 Angoni vendos të hapë në Shkodër fabrikën e maskave artistike që sot quhet “Venice Art”, i frymëzuar edhe nga jetesa e tij në Venecia gjatë viteve të emigrimit.
Maskat ndahen në disa kategori
Për AA, Angoni i cili merret vetë me modelimin e maskave, tregon se përgatitja e një maske kalon në 12 procese, që nga karta pesta, modelimi dhe deri tek dekoracioni i saj. Materialet për prodhimin e maskave janë letra, pupla, gurët e çmuar, stuko dhe bojëra akrilike të ndryshme.
“Nga fillimet e maskave, që nga ‘commedia dell’arte’, sot numërohen rreth 1.700 modele të krijuara në ndërmarrjen tonë ‘Venice Art’ e cila ka rreth 30 punonjës. Ka dhe një laborator më vete ku bëhet karta pesta, baza, për arsye se çdo gjë fillon nga A-ja, nga letra, deri në përfundim të procesit”, shprehet ai.
Angoni tregon se maskat ndahen në disa kategori, si maska karnavalesh, maska për ballo, dekoracione shtëpish dhe për dekorime të ndryshme.
“Maskat tona janë të destinuara njëqind për qind për eksport. Kryesisht pjesën më të madhe e zë Venecia, ku unë kam 8 dyqane të shpërndara në pikat kryesore historike të Venecias, janë dyqane të rëndësishme, janë dyqane vërtet shumë të bukura. Destinacion maskat kanë edhe në Australi, në Las Vegas, në Dubai, në Francë, në Britaninë e Madhe, Spanjë, në rajon, këtu kemi në Kotor, në Budva”, thekson Angoni.
Punonjësit, që shumica janë edhe artistë në profesion dekorojnë me dorë maskat në ambientet e fabrikës, duke prodhuar mijëra maska në vit të modeleve të ndryshme.
Ndërkohë, maskat e prodhuara në fabrikën në Shkodër shiten me çmime të ndryshme, nga 20-2000 euro, sipas modeleve dhe qëllimit të përdorimit të tyre.
Muzeu i maskave
Pjesë e “Venice Art” është edhe një muze i maskave, i cili është një nga atraksionet turistike të Shkodrës, duke tërhequr interesin e vizitorëve vendas dhe të huaj.
Angoni shprehet se këtë muze i cila ka mijëra maska e bën të veçantë pikësëpari se është gjithë historia e krijimit të maskave, që nga hapja e punishtes e deri në ditët e sotme.
“Afërsisht këtu brenda në show room mund jenë rreth 700-800 modele maskash, por në të ardhmen mendimi është që të krijohet një muze i mirëfilltë me gjitha maskat të cilat janë të ruajtura”, tha Angoni.
Drejt Venecias për karnavale eksportohen rreth 20 mije maska në vit që prodhohen në Shkodër dhe mijëra të tjera në vendet të ndryshme të botës.
/AA