Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Si do të jetë e ardhmja e futbollit?

Si do të jetë e ardhmja e futbollit?

Kupa e Botës në Katar tregon se si po ndryshon futbolli. Një valë e re parash do të sjellë ndryshime të mëdha në sportin më popullor në botë, shkruan The Economist

 

Publiciteti para fillimit të Kampionatit Botëror në Katar nuk ishte siç kishin shpresuar organizatorët. Më 20 nëntor, ekipi i Katarit u përball me Ekuadorin, në ndeshjen e parë të Kampionatit Botëror të Futbollit 2022, ngjarja më e madhe në kalendarin sportiv botëror.

Megjithatë, vetëm 13 ditë më parë, Sepp Blatter, ish-presidenti i FIFA-s, organit qeverisës të futbollit botëror, tha për një gazetë zvicerane se zgjedhja e Katarit si shteti organizator, kishte qenë një vendim i gabuar.

Në vitin 2010, kur Blatter nxori letrën nga zarfi dhe shpalli publikisht fitoren e Katarit (duke shkaktuar habi), për hir të diplomacisë, ai u detyrua të merrte një qëndrim shumë të ndryshëm.

Ai deklaroi se futbolli do të shkonte në “toka të reja”; ideja ishte të zgjerohej popullariteti i lojës. Ky mendim tërhoqi shumë pak mbështetje. Nisën menjëherë akuzat për korrupsion dhe ryshfet.

Ky sport elitar është një biznes tejet fitimprurës dhe i turbullt dhe mund të mos merret vesh asnjëherë me saktësi se çfarë ndodhi. Sundimtarët e Katarit dhe 1.3 milionë tifozët që priten në Kupën e Botës, do të shpresojnë që, me fillimin e ndeshjeve, bisedat do të jenë për sportin, dhe të mos marrin nuanca politike.

Katari ka shpenzuar shumë para për të siguruar suksesin e turneut, duke ndërtuar shtatë stadiume, një aeroport të zgjeruar dhe dhjetëra hotele. Por nuk dihet nëse kjo do të mjaftojë për të shpërfillur gjëra të tjera negative.

Vendimi për të zhvilluar ngjarjen më të madhe sportive në botë në një “petro-shtet” të vogël autokratik, me shumë para, por pa ndonjë trashëgimi të veçantë në futboll, është një shembull i përsosur që tregon se si paratë dhe idetë e reja po shkundin nivelet më të larta të sportit më popullor në botë.

Në vitet e fundit, skandalet e korrupsionit kanë tronditur futbollin. Blatter dha dorëheqjen në vitin 2015, gjatë një hetimi amerikan të FIFA-s, dhe më vonë, Komiteti i Etikës e përjashtoi atë nga administrata e futbollit. Pandemia Covid-19 ka përkeqësuar financat tashmë të brishta të shumë klubeve të nivelit të lartë, të cilat po përpiqen të paguajnë shumat e mëdha që kërkojnë lojtarët.

Në vitin e kaluar, u përpoq të zbatohej plani për një “Super Ligë Europiane” (ESL) të klubeve elitare, duke u mbështetur në modelin e sporteve profesionale amerikane. Fondet mbrojtëse dhe investitorët nga Amerika dhe Lindja e Mesme kanë investuar në klube europiane të pasigurta financiarisht: ata duan të përfshijnë edhe më shumë lojëra në një kalendar tashmë të mbushur.

Madje, investitorët dhe administratorët e sportit, po diskutojnë për një sërë super-turnesh të rinj, disa prej të cilëve janë krijuar posaçërisht për të konkurruar me vetë Kupën e Botës.

 

“Joshja” e Katarit

Paraja ishte një nga joshjet kryesore që ofronte Katari. Ekipi i tij është kampion i Azisë, por nuk konsiderohet aspak si kandidat për Kupën. Në fakt, ekipi kombëtar i Katarit nuk është kualifikuar asnjëherë më parë në një Kampionat Botëror (këtë herë kualifikohet automatikisht sepse është vendi organizator).

Por Katari është një forcë financiare që dëshiron ta reklamojë veten si një shtet modern dhe i zhvilluar. Ky Kampionat Botëror është më i shtrenjti i të gjitha kohërave, megjithëse shifrat nuk janë shumë të sakta. Thuhet se vetëm stadiumet kanë kushtuar 6.5 miliardë dollarë.

Pjesa më e madhe e një plani më të gjerë prej 300 miliardë dollarësh për zhvillimin ekonomik, i quajtur Katar 2030, është hartuar duke pasur parasysh nevojat e Kampionatit Botëror (për shembull, një sistem modern metroje, që kalon nga stadiumet e reja).

 

Duhet paguar çmimi

Vrulli i ndërtimit ka shkaktuar shumë pakënaqësi. Punëtorët emigrantë të Katarit shpesh trajtohen ashpër nën sistemin e tij kafala (“sponsorizues”), dhe nuk kanë mundësi të ndryshojnë punë ose të lënë vendin e punës pa pëlqimin e punëdhënësit.

Ata u detyruan të punonin deri në rraskapitje dhe shumë kanë vdekur në punë. Ekipi danez do të luajë me një fanellë të kuqe njëngjyrëshe që fsheh stemën e ekipit dhe logon e prodhuesit të kostumit. Hummel, prodhuesi i uniformës, tha se nuk “dëshironte të ishte i dukshëm” në turne.

Një nga uniformat e tjera të tij është e zezë, “ngjyra e zisë”. Në tetor, ekipi australian publikoi një video, duke kritikuar Katarin për abuzime të të drejtave të njeriut. Asnjë nga këto nuk duket se do të ndryshojë prirjen për organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive në shtete autoritare.

Disa lojtarë, duke përfshirë Bruno Fernandes të Manchester United dhe Nico Schlotterbeck të Borussia Dortmund, janë ankuar për kohën e zhvillimit të turneut. Kupa e Botës zakonisht zhvillohet në qershor ose në korrik. Riplanifikimi për në nëntor ishte i nevojshëm për të shmangur verën përvëluese të Katarit.

Por kjo krijon probleme për sezonin fitimprurës të klubeve europiane. Jürgen Klopp, trajneri i klubit Liverpool, shprehu atë që mendonin shumë njerëz: “Do t’i shikoj ndeshjet, por këtë herë është ndryshe”.

Paratë (si mungesa e tyre, ashtu edhe dëshira për më shumë në të ardhmen) ishin gjithashtu arsyeja që qëndronte pas planeve për ESL-në. Ajo ishte parashikuar si një garë e përvitshme, që do të vendoste kundër njëri-tjetrit klubet më të mira europiane, njëlloj si Champions League.

Një sërë klubesh elitare nga i gjithë kontinenti, duke përfshirë Arsenal, Juventus dhe Real Madrid, njoftuan planin në prill 2021. Por, pas një reagimi të furishëm nga tifozët dhe politikanët, ata e braktisën disa ditë më vonë, megjithëse tërheqja ishte vetëm e përkohshme.

Në tetor, Barcelona, Juventus dhe Real Madrid e hodhën sërish idenë, me një ekip të ri menaxhues për marrëdhëniet me publikun. Mbështetësit e ESL-së gjithashtu kanë paraqitur një rast para Gjykatës Europiane të Drejtësisë, duke sfiduar monopolin e UEFA-s për organizimin e futbollit kontinental në Europë. Vendimi pritet në fillim të vitit të ardhshëm.

ESL do të kishte funksionuar në një mënyrë të ngjashme me sportet amerikane. 12 anëtarët themelues të ESL-së do të kishin të garantuara vende të përhershme në garë, pavarësisht se sa e keqe mund të ishte performanca e tyre. Kjo ide u sulmua nga shumë tifozë që janë mësuar me meritokracinë e prerë të futbollit europian, ku teorikisht, çdo klub mund të aspirojë të kualifikohet në Champions League.

Por kjo formulë është më pak tërheqëse për investitorët dhe vetë klubet: ata parapëlqejnë rregulla që garantojnë kthimin e shpenzimeve të tyre gjithnjë në rritje.

Në dy ligat kryesore vendase të Spanjës kishte aq shumë klube në vështirësi financiare pas pandemisë, sa që në dhjetor 2021, ata ranë dakord që për 50 vitet e ardhshme, të shesin 8.2% të fitimeve tek CVC, një firmë e kapitalit privat me bazë në Luksemburg.

Gjatë verës, FC Barcelona shiti 25% të të drejtave të medias për ndeshjet e saj spanjolle deri në vitin 2047, tek Sixth Street, një tjetër firmë e kapitalit privat. Klubi shpreson të mbyllë boshllëqet e lëna nga vitet e keqmenaxhimit financiar. Në janar, disa klube spanjolle do të kthehen në Lindjen e Mesme: Arabia Saudite ka paguar 240 milionë euro (254 milionë dollarë) për të organizuar gjashtë edicione të Supercopa-s, një mini turne vjetor spanjoll.

Reagimi kundër ESL-së nuk i ka shkurajuar organet drejtuese të futbollit, të cilët janë gati të krijojnë formatet e tyre të reja. FIFA dhe UEFA janë përfshirë në një mosmarrëveshje të hidhur për të ardhmen e turneve verore.

Megjithëse FIFA drejton Kupën e Botës, e cila përbën 90% të të ardhurave të saj, drejtuesit e saj ankohen se UEFA fiton shumë më tepër para: 14 miliardë dollarë gjatë ciklit të fundit të Kupës së Botës midis viteve 2015 dhe 2018, krahasuar me vetëm 5.7 miliardë dollarë për FIFA-n, në të njëjtën periudhë.

Kjo është kryesisht për shkak të Champions League. FIFA kërkon dëshpërimthi të diversifikohet, duke përfshirë krijimin e garave të tjera. UEFA ruan me zell pozicionin e saj.

Krijimi i më shumë garave do të krijonte më shumë fitime, por do të kërkonte që administratorët të gjenin më shumë hapësirë në një kalendar tashmë të mbushur. Ndeshjet miqësore ndërkombëtare, janë hequr tërësisht dhe rrugët kualifikuese për turnetë e mëdhenj janë shkurtuar.

Nga viti 2024, “pauzat ndërkombëtare”, gjatë të cilave lojtarët e klubeve dërgohen për ndeshje ndërkombëtare, do të jenë më të pakta, por më të gjata, duke përfshirë më shumë ndeshje dhe duke reduktuar kohën që kalojnë lojtarët duke udhëtuar.

Kampionatet që përcaktojnë kampionët kontinentalë, si Kampionati Europian dhe Kupa e Kombeve Afrikane, mund të planifikohen të gjithë në të njëjtën verë, në vend që të shpërndahen në një cikël katërvjeçar. Kjo do të lironte hapësirë për një kompeticion të ri dhe fitimprurës. “Do të ketë luftë”, thotë Simon Kuper, një nga autorët e librit “Soccernomics”.

 

 

E ardhmja e futbollit

Deri tani janë hedhur tre ide. E para është organizimi i Kupës së Botës çdo dy vjet dhe jo çdo katër vjet. E dyta, të cilën këshilli drejtues i FIFA-s e miratoi pak përpara pandemisë, është rritja e peshës së një turneu ekzistues në mes të sezonit, të quajtur Club World Cup (Kupa e Botës për Klube), një ekuivalent me Champions League (Ligën e Kampionëve).

Paratë do të siguroheshin nga një konsorcium i udhëhequr nga SoftBank, një firmë japoneze me prirjen për të bërë baste të mëdha dhe të rrezikshme, dhe Arabia Saudite, e cila do të donte të organizonte turneun.

Ideja e tretë dhe më e mundshme, është zgjerimi i Nations League, Ligës së Kombeve, një turne i paraqitur në vitin 2018 nga UEFA, në vend të miqësoreve. FIFA dëshiron që kontinentet e tjera të miratojnë formatin dhe që skuadrat më të mira të organizojnë një “Global Nations League” çdo katër vjet, nën kompetencën e saj.

UEFA është përgjigjur, duke ftuar vendet e Amerikës së Jugut që t’i bashkohen Ligës Europiane të Kombeve nga viti 2024. Secili plan do të nxiste Ligën e Kombeve, si një rival i drejtpërdrejtë i Kupës së Botës.

Vetë Kupa e Botës do të rritet. Botërori i Katarit përfshin 32 ekipe, dy herë më shumë sesa gjatë viteve 1970. Kampionati Botëror 2026, që do të organizohet nga Amerika, Kanadaja dhe Meksika, do të ketë 48 ekipe. Kjo do të nënkuptojë më shumë ndeshje.

Ndërkohë, tashmë janë hedhur ofertat për Kampionatin Botëror 2030. Arabia Saudite, një rivale e madhe gjeopolitike e Katarit, dëshiron të organizojë një ngjarje të tillë. Në teori, kriteret e pranimit nuk lejojnë që një shtet tjetër nga Lindja e Mesme të jetë organizator për dy turnetë e ardhshëm.

Por Arabia Saudite e ka hedhur ofertën bashkë me Greqinë dhe Egjiptin, me shpresën se oferta do të llogaritet si europiane apo afrikane. Mbretëria thotë se do të paguajë për të ndërtuar stadiume në të dyja shtetet. Vendimi pritet rreth muajit mars 2024.

Por një nga mësimet që nxjerrim nga Katari, është se për shkak të parave, nuk duhet përjashtuar si mundësi, që në një të ardhme jo shumë të largët, të mbahet një tjetër Kampionat Botëror në një shtet autokratik me shkretëtirë. Sepse, si në shumë fusha të tjera, edhe në futboll, me para arrihet gjithçka.

Përktheu: Lira Muça

Prev Post

UNESCO Bageta franceze në trashëgiminë kulturore jomateriale

Next Post

Protestë homazh në Tiranë/ 8 gra të vrara në 11 muaj!

post-bars

Leave a Comment