Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Nga vijnë shumica e topave të futbollit në botë?

Nga vijnë shumica e topave të futbollit në botë?

Sialkot, qytet në verilindje të Pakistanit, prodhon rreth 70 për qind të furnizimeve në botë, duke përfshirë Al Rihla të Adidas, topi zyrtar i Kupës së Botës FIFA 2022 në Katar.

Nëse keni një top futbolli në shtëpi, ka shumë të ngjarë që ai të ketë ardhur nga Sialkot, qytet në verilindje të Pakistanit, pranë kufirit me Kashmirin.

Më shumë se dy të tretat e topave të futbollit në botë prodhohen në një nga 1000 fabrikat e qytetit. Ndër ta përfshihet edhe Adidas Al Rihla, topi zyrtar i Kupës së Botës FIFA 2022 në Katar.

Në Sialkot, rreth 60 mijë njerëz punojnë në sektorin e prodhimit të topave të futbollit, ose rreth 8% e popullsisë së qytetit. Shpesh ata punojnë për një kohë të gjatë dhe i qepin me dorë pjesët e topave.

Më shumë se 80% e topave të futbollit të prodhuar në Sialkot qepen me dorë, një proces i mundimshëm që e bën topin më të qëndrueshëm dhe i jep më shumë siguri aerodinamike. Qepjet me dorë janë më të thella dhe kanë tension më të madh se ato të qepura me makineri.

Në fabrikën, Anëar Khawaja Industries, qepësit paguhen rreth 160 rupi – 0.75 dollarë për top. Duhen tre orë për ta përfunduar. Me tre topa në ditë, një qepës mund të fitojë rreth 9.600 rupi në muaj. Edhe për një rajon të varfër, pagat janë të ulëta. Kërkuesit vlerësojnë se për të bërë një jetesë të mirë, paga në Sialkot do të duhej të ishte 20.000 rupi.

Pjesa më e madhe e njerëzve që qepin topa janë gra. Në një ditë të zakonshme në fabrikën Anëar Khaëaja Industries, ato mund të qepin dy topa, kthehen në shtëpi për të gatuar për fëmijët, dhe më pas vijojnë punën pasdite në një fshat aty pranë.

Zakonisht, burrat punojnë në faza të ndryshme të procesit të prodhimit, duke përgatitur materiale ose duke testuar cilësinë. Derisa u miratuan rregulloret e punës në vitin 1997, fabrikat në Sialkot punësonin fëmijë edhe vetëm 5 vjeç në krah të prindërve.

Një raport i vitit 2016 e cilësoi ndalimin e punës së fëmijëve si një kërcënim për industrinë në Sialkot, sepse ai “largoi një pjesë të tërë të një brezi potencial të kualifikuar”, duke shkaktuar mungesë të vazhdueshme punëtorësh.

Punëtorët aplikojnë ngjitës te materialet e tekstilit, duke formuar një pjesë të lëkurës sintetike të topit të futbollit. Përbërësit e lëkurës sintetike, të realizuar me pambuk, poliester dhe poliuretan, vijnë nga vende të ndryshme.

Materialet kineze përdoren për topa më ekonomikë,ndërsa ato koreanojugore për topa me cilësi të lartë. Për topat në Bundesligën gjermane apo kampionate të tjera europiane përdoren përbërës nga Japonia.

Punëtorët analizojnë panelet e topave të futbollit në Anëar Khaëaja Industries. Çdo top tradicional përbëhet nga 20 gjashtëkëndësha dhe 12 pesëkëndësha të bashkuar me 690 qepje.

Megjithatë, një numër në rritje topash futbolli tani bashkohen me ngjitës të nxehtë – një proces i quajtur termo lidhja. Këto topa kanë gjithashtu cilësi të lartë dhe janë më të lirë për t’u prodhuar, por më të shtrenjtë për t’u transportuar dhe, ndryshe nga një top i qepur, nuk mund të shfryhen ose riparohen.

Topat e futbollit iu nënshtrohen testeve rigoroze për të respektuar standardet e FIFA-s. Vlerësohet se njerëzit në mbarë botën blejnë rreth 40 milionë topa futbolli çdo vit. Shitjet pritet të rriten gjatë Kupës së Botës.

 

 

/Monitor

Prev Post

Argjentinë, protestë në mbështetje të Palestinës

Next Post

Kafeja më e shtrenjtë në botë fermentohet në stomakun e maceve civet

post-bars

Leave a Comment