Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Historike: Kosova dhe Shqipëria mbledhje të përbashkët të Kuvendeve!

Historike: Kosova dhe Shqipëria mbledhje të përbashkët të Kuvendeve!

Kosova dhe Shqipëria mbajtën në Tiranë mbledhjen e parë të përbashkët të dy kuvendeve. Kryeministrat Rama dhe Kurti folën për rritje të bashkëpunimit ndërsa quajtën me rëndësi të veçantë projektin e Portit të Durrësit dhe projektin e Hekurudhës Durrës-Prishtinë. Mbledhja e radhës e dy kuvendeve pritet të mbahet në Qershor të 2023.

27 nëntori do të jetë një datë e shënuar në kalendarin e historisë së Shqipërisë dhe Kosovës, si dita e mbledhjes së parë të dy kuvendeve që nga shpallja e pavarësisë. Kuvendi i Shqipërisë, mirëpriti atë të Kosovës, në vigjilje të 110 vjetorit të pavarësisë së vendit tonë.

Deputetët nderuan dy himnet, fillimisht atë të Kosovës, e më pas të Shqipërisë, për t’i lënë rrugë mesazheve për të forcuar bashkëpunimin, duke mos harruar historinë.

Kryeministri Edi Rama, tha se Kosova do të përmbyllë shumë shpejt kapitullin e njohjes së plotë. Por kjo mbledhje e parë, për të ishte e paplotë pa Hashim Thaçin, i cili ndodhet në Hagë.

“Njohja përfundimtare e Kosovës do vijë më herët dhe se Kosova nuk do presë aq sa ka pritur pavarësinë për t’u njohur ndërkombëtarisht”, tha Rama.

Për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, Shqipëria e Kosova janë një kala e përbashkët ku gjithkush vendos një tullë.

“Duhet të gëzohemi kur përfshihemi me njëri tjetrin. Duhet të përfshihemi por jo për të penguar. Politika e ekonomia nuk janë çifligje por kalaja ku vëmë të gjithë nga një gur”, tha Kurti.

Drejtuesit e dy qeverive u ndalën edhe tek bashkëpunimi ekonomik. Rama tha se shkëmbimet tregtare janë rritur, ndërsa u ndalën edhe në projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë që do të vihet në jetë, si edhe në Portin e Durrësit.

Nga kjo mbledhje, Rama lajmëroi që në korrik të vitit tjetër do të nisë puna për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano. Një ftesë e pati edhe për Kurtin dhe kabinetin e tij qeveritar që të vijnë sërish në Tiranë më 12 dhjetor për të marrë pjesë në prezantimin e madh të Projektit të Durrësit.

Dy krerët e Kuvendeve, Lindita Nikolla dhe Glauk Konjufca kërkuan që kufinjtë të shndërrohen në barriera formale.

“Shqipëria dhe Kosova si dy etnitete politike të Shqiptarëve në Ballkan dhe me aspiratë integrimin evropian duhet të bashkendajnë përgjegjësinë për të materializuar vullnetin e shqiptarëve për t’i shndërruar kufijtë shtetërore mes dy vendeve, por edhe me vendet fqinje në kufij formale”, u shpreh Nikolla.

Në fjalimin para deputetëve të Kosovës e Shqipërisë, kreu i Grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se një përfaqësi nesër do të mbërrijë në Hagë, për t’i uruar nga afër pavarësinë drejtuesve të UÇK.

Demokratët shfrytëzuan rastin, për të shprehur qëndrimin kundër Ballkanit të Hapur, ndërsa i vetmi i pakënaqur ishte Sali Berisha, i cili braktisi momentin historik duke e quajtur Edi Ramën vëlla të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

“Kundërshtitë tona për këtë projekt kanë qenë mbi të gjitha, se Kosova kurrë nuk e pranoi, se ky ishte e mbetet një projekt që e fut çështjen e Kosovës dhe rolin e shqiptarëve në Ballkan në një rrugë të dyshimtë e të paqartë”- tha Alibeaj.

“Në platformën  e këtij parlamenti, po flet një nga 2 armiqtë kryesor të Kosovës, njeriu i cili është tashmë i njohur botërisht si avokati më i shpifur i padronit të tij Aleksandër Vuçiç”, tha Berisha.

Për mbledhjen e përbashkët të dy kuvendeve, në oborrin e Parlamentit Shqiptar ishte vendosur edhe një ekspozitë me figurat qendrore që prej shpalljes së pavarësisë. Takimi i radhës mes dy kuvendeve, pritet të mbahet më 10 Qershor 2023 në Prishtinë, në kuadër të 145 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

 

 

 

/Shqiptarja

Prev Post

Futbollistët serbë shfaqin hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit të Serbisë

Next Post

Vlora çel festën, për 3 ditë promovohen produktet artizanale e të kulinarisë

post-bars

Leave a Comment