Krijohet një sistem i ri paralajmërimi për zjarret në natyrë
Verën e vitit të kaluar zjarret malore shkaktuan një katastrofë të madhe në ishullin italian të Sardenjës, duke djegur mbi 28,000 hektarë tokë dhe duke zhvendosur mijëra persona nga shtëpitë e tyre.
Pothuajse gjysma e tokës së prekur u dogj në një zjarr të vetëm katastrofik që preku rajonin Montiferru, pranë bregut perëndimor të ishullit.
Tani, Montiferru po teston një sistem të ri paralajmërimi për zjarret, i zhvilluar nga një startup gjerman i quajtur ‘Dryad’ sipas nimfave të mitologjisë greke që jetojnë në simbiozë me pemët.
Dryad, synon të zvogëlojë kohën e zbulimit të zjarreve dhe t’i kap ato në fazën e djegies kur nuk ka ende një flakë të hapur, zakonisht brenda 60 minutave të para.
Për ta bërë këtë, kompania ka projektuar një sensor me energji diellore të pajisur me një detektor gazi. Ai mund të zbulojë hidrogjenin, monoksidin e karbonit dhe komponimet organike të paqëndrueshme, pra në thelb mund të nuhasë zjarrin.
Të vendosur në pyje, këta sensorë transmetojnë sinjalet e urgjencës në internet përmes satelitit dhe 4G. Pasi sensori zbulon një zjarr, ai dërgon një sinjal përmes një rrjeti pa tel duke përdorur një antenë të integruar. Sinjali më pas transmetohet në pajisje më komplekse dhe transmetohet në internet me anë të satelitit dhe 4G. Në fund, informacioni u dërgohet menaxherëve të pyjeve.
Sensorët shiten për 48€ secili. Klientët e Dryad janë bashkitë dhe pyjet private, si dhe kompanitë e energjisë elektrike dhe hekurudhat, pajisjet e të cilave shpesh janë burim zjarresh. Deri më tani, startup-i ka instaluar 300 sensorë në një duzinë testimesh në Gjermani, Greqi, Spanjë, Portugali, Turqi, Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut, si dhe Montiferru në Itali. Philipp Nahrstedt, i cili menaxhon një pyll prej 62,000 hektarësh në shtetin qendror-lindor gjerman të Saksonisë thotë se:
“Ne kemi qenë duke testuar sistemin Dryad në një zonë pyjore prej rreth 50 hektarësh, e cila është prekur nga zjarrvënia. Zjarri në pyll brenda 14 minutash u zbulua nga sensorët. Kjo kohë zbulimi ishte fenomenale dhe tregoi se sa potencial ka sistemi Dryad”.