Shqiptarët planifikojnë të ngrihen në protestë në Londër
Ditët e fundit emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe janë kthyer në lajmin kryesor të mediave atje, për shkak të debatit të krijuar pas deklarata skandalozëve të disa zyrtarëve që i kanë etiketuar si kriminelë.
Polemika të shumta u krijuan pas reagimit të kryeministrit Edi Rama ndaj deklaratave të ministres së Brendshme britanike lidhur me përfshirjen e emigrantëve shqiptarë në veprimtari kriminale.
Të indinjuar nga këto përcaktime, emigrantët shqiptarë kanë paralajmëruar një protestë të madhe në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar më 12 nëntor ora 10:30 me kohën lokale. Protesta do të bëhet në “Westminster Bridge”.
Pak ditë më parë, sekretarja e brendshme e Britanisë së Madhe, Suella Braveman ngriti alarmin për emigrimin e shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke i etiketuar si kriminelë.
Fill pas kësaj deklarate, prestigjiozja britanike DailyMail, zhvilloi një intervistë me disa shqiptarë në lagjen e tyre në Britani. Në intervistë, ata shprehën ankesa kundrejt qeverisë britanike për gjuhën raciste dhe etiketimet e përdorura kundrejt tyre duke i përcaktuar si “kriminelë” apo “gangsterë”.
Ata thanë se ishin larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë në Britani për të punuar shumë dhe për të paguar taksat që u takojnë, ndërsa këmbëngulnin se nuk pretendonin përfitime të paligjshme.
/lajmifundit