Pema e mbjellë nga Naim Frashëri gjendet edhe sot në zemër të Sarandës, rrëfehet historia e saj
Një pemë e madhe e piperit në zemër të Sarandës është mbjellë nga dora e shkrimtarit Naim Frashëri dhe këto nuk janë vetëm disa rreshta në librin e të ndjerit Moikom Zeqo.
“Shqiptarja.com” shkruan se banorët e thonë mes njëri- tjetrit si në formë gojëdhëne, por ky është një fakt, pohon Jashar Bello, përgjegjës i Gjelbërimit në Bashkinë e Tiranës.
Bello tha se pema është 145-vjeçare dhe është mbjellë në kohën kur Naim Frashëri punonte doganier në këtë qytet.
Pavarësisht moshës, për zyrtarin e bashkisë ajo është në gjendje jo shumë të keqe, por kjo nuk është meritë e institucioneve vendore në Sarandë, të cilat janë “kursyer” në shërbimet që i kanë bërë, pavarësisht vlerës dhe rëndësisë së veçantë që ajo mbart, sipas tij.
“Disa krasitje, spërkatje i janë bërë si për ta mbajtur të gjallë, e që të mos ketë fatin e ‘simotrës’ së saj, e cila u pre pas viteve ’90”, u shpreh Bello. “Kjo lloj peme dekorative është mbjell nga Naimi, i cili ka punuar në doganën e Sarandës rreth 145 vjet më parë. Përveç kësaj peme të piperit, Naimi ka sjellë edhe buganvilen, që i themi lulja e Sarandës. Nga kjo lloj peme kemi mbjellë dhe 5 të tjera te shëtitorja e re që po bëhet, por nuk kanë vlerat e saj. Kjo lloj peme e mbyll ciklin biologjik tek kokrra, ndërsa pemët e reja nuk arrijnë të krijojnë kokrra, e mbyllin ciklin te lulëzimi”, u shpreh Bello.
Për të shkuar deri te kjo pemë, mund të orientohesh vetëm nga banorët e zonës, pasi nuk ka një tabelë që e identifikon atë apo që rrëfen historinë e saj të mbjell nga poeti i madh i Rilindjes Kombëtare.
“Do të përmend me nderim mikun tim, shkencëtarin e bujqësisë Ahmet Osja, i cili qe i pari që më kumtoi se në qytetin e Sarandës ndodhen dy drurë piperi, këto drurë ishin sjellë në formë fidanësh nga Maroku dhe qenë mbjellë nga duart e Naim Frashërit”, shkruan Moikom Zeqo në librin “Syri i Tretë” i botuar më 2001.
/ KultPlus.com