Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Kore e Jugut, 153 të vdekur në trazirat gjatë festimeve të Halloween-it

Kore e Jugut, 153 të vdekur në trazirat gjatë festimeve të Halloween-it

Është rritur në 153 numri i personave që humbën jetën në trazirat gjatë festimeve të Halloween-it të mbajtura mbrëmë në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul.

Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap të Koresë së Jugut, 153 persona humbën jetën ndërsa 82 të tjerë janë plagosur si pasojë e incidentit të ndodhur gjatë festimeve të Halloween-it të mbajtura në zonën Itaewon, gjegjësisht në një ndër qendrat argëtuese të Seulit.

Zyrtarët e institucionit kombëtar zjarrfikës të Koresë së Jugut njoftuan se 22 nga të vdekurit janë shtetas të huaj. Shtetasit e huaj që humbën jetën janë nga Kina, Irani, Rusia, SHBA-ja, Franca, Australia, Vietnami, Uzbekistani, Norvegjia, Kazakistani, Sri Lanka, Tajlanda dhe Austria.

Ndërkohë është ndarë informacioni se ende nuk është bërë identifikimi i një shtetasi të huaj.

Autoritetet kanë bërë të ditur se një pjesë e madhe e personave që kanë humbur jetën janë të rinj të moshës 20-vjeç.

Administrata e qytetit të Seulit theksoi se janë marrë denoncime për 355 të zhdukur lidhur me ngjarjen.

Choi Cheon-sik, një nga zyrtarët e institucionit kombëtar zjarrfikës të Koresë së Jugut, ka thënë se mendohet se rrëmujat kanë ndodhur si pasojë e shtyrjeve të turmës në një rrugë të ngushtë në zonën ku ndodhen ambientet argëtuese.

Ai tha se në vendngjarje janë dërguar mbi 800 punonjës dhe mbi 140 automjete të autoriteteve emergjente.

Kryetari i Bashkisë së Seulit, Oh Se-hoon i cili për shkak të fatkeqësisë ka ndërprerë shëtitjen e tij në Evropë, iu ka shprehur familjarëve ngushëllimet duke e cilësuar “të tmerrshme” humbjen e jetës së shumë të rinjve.

Po ashtu në vend krahas koncerteve K-Pop janë anuluar edhe aktivitete të tilla si festivale dhe festime.

Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut deklaroi se në mesin e personave që humbën jetën janë 3 pjesëtarë të personelit ushtarak dhe 4 të tjerë janë plagosur.

Sipas lajmeve në mediat kombëtare, njerëzit u dyndën dhe shkaktuan rrëmujë pas njoftimit se një personazh i famshëm i pa identifikuar po vinte në një vend argëtimi në Itaewon. Në anën tjetër në median sociale janë përhapur pretendimet se në këto ambiente argëtimi janë shpërndarë karamele me përmbajtje të lëndës narkotike.

– Pretendohet se në festime morën pjesë rreth 100 mijë njerëz

Pretendohet se në festimet e Halloween-it në Itaewon në qendër të Seulit morën pjesë rreth 100 mijë njerëz.

Në pamjet e pasqyruara në median sociale vërehet se dhjetëra persona janë të shtrirë në tokë pas rrëmujave dhe se punonjësit e shërbimit të urgjencës u bëjnë masazh të zemrës.

Po ashtu në pamje shihen trupa të pajetë të mbuluar që qëndrojnë të shtrirë në tokë si dhe paraqitet tmerr nga momentet e rrëmujës të cilat janë transmetuar drejtpërdrejt në rrjetet sociale nga pjesëmarrësit në festime.

Dëshmitarët thanë se një turmë e madhe ka mbushur përnjëherë rrugën 4 metra të gjerë dhe se personat që ndodheshin përpara kanë rënë njëri mbi tjetrin si pasojë e presionit të ardhur nga pas.

Teksa janë shprehur shqetësime se numri i të vdekurve mund të rritet, thuhet se policia vazhdon punimet për identifikimin e personave që kanë humbur jetën dhe për vendosjen e kontaktit me familjet e tyre.

Ky është incidenti më fatal i regjistruar në Korenë e Jugut që nga viti 2014 kur 304 të rinj humbën jetën si pasojë e përmbytjes së një anijeje e cila transportonte nxënës të shkollës së mesme gjatë një eskursioni shkollor.

– Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon shpalli “zi kombëtare”

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol në takimet emergjente që zhvilloi menjëherë pas ngjarjes udhëzoi dërgimin e menjëhershëm të punonjësve të ndihmës së shpejtë dhe trajtimin e të plagosurve. Ai gjithashtu kërkoi që të fillojë një hetim mjekoligjor lidhur me incidentin.

Duke iu drejtuar popullit nga televizioni, Yoon shpalli “zi kombëtare”. Ai tha se “Kjo tragjedi dhe katastrofë nuk duhej të ndodhte kurrë”.

– Presidenti amerikan Biden mesazh ngushëllimi

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden shprehu ngushëllimet e tij për popullin e Koresë së Jugut lidhur me trazirat në Seul.

“(Bashkëshortja) Jill dhe unë shprehim ngushëllime për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre. Ndajmë zinë me popullin korean dhe urojmë shërim të shpejtë për të plagosurit”, tha Biden në një deklaratë.

Ai tha se aleanca e SHBA-së dhe Koresë së Jugut është më e gjallë dhe më jetike se kurrë dhe se lidhjet mes dy popujve janë më të forta se kurrë. “SHBA-ja është pranë Republikës së Koresë së Jugut në këtë periudhë tragjike”, theksoi Biden.

 

/AA

Prev Post

“Të hënën protestë kombëtare”, kreu i sindikatës së pedagogëve paralajmëron grevë urie

Next Post

Studimet tregojnë të dhëna befasuese si ndikon ndryshimi i orës në shëndetin fizik dhe mendor

post-bars

Leave a Comment