Emigrantja shqiptare: Në Greqi na ndërruan emrin. Vitet më të vështira i kaluam atje!
Lule Gjiçali rrëfeu jetën e saj nga Borshi në Greqi, e më tej në Nju Jork, e ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV. Udhëtimi për të, ka qenë i vështirë, por në mënyrë të veçantë ajo ndan vitet e kaluara në Greqi, për të cilat thotë se kanë qenë me shumë sfida.
“Në fillim kemi ikur në Greqi, ne drejtim totalisht të paditur. Bashkëshorti ishte sistemuar në një fshat atje, që ishte goxha i banuar në verë, por në dimër boshatisej. E pamë që nuk po përshtateshim aty, menduam kthimin në Borsh.
Në Greqi na pagëzuan, pagëzova vajzën e madhe. Unë nuk ia kisha idenë e pagëzimit. Na martuan në kishë. Unë atëherë nuk e dija mirë gjuhën, shumë pak.
Nuk po përshtateshim, në gusht u kthyem në Shqipëri. Nuk kishim as përvojë nga emigracioni, nuk kishte as kush të na thoshte si t’ia dilnim. Vetëm ikje, por nuk e doje se ç’të priste.
Në Greqi kemi vuajtur shumë. Zgjoheshim në orën 03:00 të mëngjesit shkonim te zyrat për të marrë lejet e qëndrimit që ishin 2-vjeçare. Bashkë me fëmijët prisnim radhën. Pastaj kur na vinte radha na thonin që është prishur sistemi.
Nga Greqia kam një shije të keqe për vitet e qëndrimit. Si popull grek na janë gjendur, na kanë ndihmuar, na dhanë besim duke na future në shtëpitë e tyre.
Por shteti dhe institucionet janë sjellë shumë keq me ne. Kur shkonim në Kakavijë, duhej edhe 10 orë të kaloje kufirin. Radha shkonte me kilometra të tëra. Janë sjellë shumë keq me ne shqiptarët”, u shpreh Gjicali.
/tema