‘Amerigo Vespucci’ mbërrin në Durrës, anija që shkolloi shumë breza marinarësh
Në çdo kohë e në çdo vend, nëse pyet një marinar, se cila është anija më e bukur në botë, është e lehtë për të të përgjigjet: “Amerigo Vespucci”.
Pikërisht, kjo anije preku portin e Durrësit pasditen e së dielës.
Edhe sot, pas 90 vitesh, Vespucci çan detet anembanë botës si një shkollë e madhe, për t’i shndërruar njerëzit në marinarë, që punojnë në sinkroni të përsosur si një ekuipazh i vetëm.
“Kemi përshkruar qindra mijëra milje detare, i kemi rënë 40 herë rrotull botës. Të jesh në bordin e anijes është njësoj si një udhëtim prapa në kohë, të kthehesh në vitet e lundërtarëve të famshëm që përshkonin gjithë detrat e kësaj bote. Anija është njësia më e vjetër në shërbim në Marinën e nisur më 22 shkurt 1931. Këtu kadetët mësojnë se çfarë do të thotë të jesh marinar dhe mësojnë rregullat bazë të jetës në det. Prej 90 vitesh, ajo është dëshmitare e kulturës italiane në të gjithë botën”, thotë Federico Messini, oficer.
Arsyen e ardhjes së saj në Durrës e tregon më mirë kapiteni, Luigi Romagnoli.
“Jemi këtu prej lidhjeve të forta mes dy vendeve tona, Italisë dhe Shqipërisë, por edhe ato mes marinës italiane dhe tuajës. Mund ta konsiderojmë një takim këtë vizitë, por njëkohësisht marina jonë ushtarake demostron praninë e saj këtu, në vendin tuaj”,
Me 240 anëtarë të ekuipazhit dhe 160 studentë nga akademia e Livornos në bordin e saj, krenaria e flotës italiane, “Amerigo Vespucci” hap të hënën dhe të marten dyert për të gjithë qytetarët që duan ta shohin nga afër.
/euronews.al