Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Kosovë, pas pesë javëve grevë, fillon procesi mësimor në shkollat publike

Kosovë, pas pesë javëve grevë, fillon procesi mësimor në shkollat publike

Pas këtij vendimi, sot nxënësit në të gjitha shkollat publike në Kosovë u rikthyen në bankat shkollore për të vijuar procesin mësimor

Pas një greve në administratë publike dhe në sistemin publik të arsimit që zgjati më shumë se një muaj, dyert e shkollave publike u rihapën sot për të pritur nxënësit.

Vendimi për rihapjen e shkollave u mor nga sindikalistët e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) të cilët ishin në grevë nga 25 gushti, por më 1 tetor vendosën që grevën ta pezullojnë deri në janar të vitit 2023.

Pas këtij vendimi, sot nxënësit në të gjitha shkollat publike në Kosovë u rikthyen në bankat shkollore për të vijuar procesin mësimor.

Kryetari i Këshillit Grevist të sindikatave dhe njëherësh kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, i ka bërë thirrje Qeverisë që këta tre muaj t’i shfrytëzojë për të dialoguar me sindikalistët.

Jasharaj theksoi se greva nuk po mbyllet por, po pezullohet deri në janar të vitit 2023 bazuar në vullnetin e deklaruar të anëtarësisë së BSPK-së.

“Urojmë që kjo kohë të shfrytëzohet nga Qeveria për dialog, sepse janari i vitit 2023 vjen shpejt, por nuk është mirë të ndodhë prapë greva si kjo e tanishme”, tha Jasharaj të shtunën.

Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbëri Nagavci, ka paralajmëruar se do të rishikohet kalendari mësimor, me qëllim të kompensimit të orëve të humbura.

“Kalendari i vitit shkollor duhet të ndryshohet, andaj menjëherë të hënën (3 tetor) do të formojmë grupin punues për të rishikuar këtë Udhëzim Administrativ”, tha ministrja.

Megjithatë, kryesindikalisti i mësimdhënësve, Jasharaj, ka theksuar se nuk do të këtë kompensim të orëve të humbura, duke i kërkuar ministres Nagavci “që të mos bëjë kërkesa”.

Sindikalistët u futën në grevë me kërkesën prej 100 eurove shtesë mbi paga deri në miratimin e Ligjit të Pagave që ua rrit atyre pagat me koeficient.

Qeveria e Kosovës në fillim të shtatorit ndau nga 50 euro për të gjithë punonjësit e sektorit publik për t’u përballur me inflacionin, por as pas kësaj ndihme dhe pas dialogut midis grevsitëve dhe Qeverisë, nuk u arrit që greva të ndërpritej.

 

/AA

Prev Post

Lajçak: Zgjidhja e çështjes së të pagjeturve mbetet urgjente

Next Post

OBT rendit Shqipërinë të parën në Europë për fluksin e turistëve të huaj

post-bars

Leave a Comment