LOADING...

Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Tubim para Ambasadës Greke për çështjen çame në Maqedoninë e Veriut

Tubim para Ambasadës Greke për çështjen çame në Maqedoninë e Veriut

Tubimi i djeshëm ishte vetëm një nga aktivitetet e organizuara në Shkup në kuadër të Javës Çame, pasi nga 23 qershori janë organizuar ekspozita kushtuar Çamërisë dhe çamëve, panel diskutime dhe debate me historianë, si dhe aktivitete tjera

Në kuadër të Javës Çame, dhjetëra persona u tubuan para Ambasadës së Greqisë në Shkup për të shprehur protestën e tyre për gjenocidin grek ndaj çamëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre, si dhe për të dorëzuar një letër protestuese.

Tubimi ishte vetëm një nga aktivitetet e organizuara në Shkup në kuadër të Javës Çame, pasi nga 23 qershori, në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut janë organizuar ekspozita kushtuar Çamërisë dhe çamëve, panel diskutime dhe debate me historianë, si dhe aktivitete tjera.

Tubimi ishte paqësor dhe nuk u shënuan incidente, ndërsa tubuesit ishin të veshur me elemente çame dhe mbanin flamurin shqiptar.

Para Ambasadës Greke vërehej prani e shtuar e forcave policore të cilët kishin bllokuar rrugën para ndërtesës së ambasadës dhe pamundësuan tubuesit që t’i afrohen ndërtesës.

Në letrën drejtuar Ambasadës Greke në Shkup, të cilën e lexoi Afan Sherifi, thuhet se shqiptarët e Çamërisë u masakruan dhe u përzunë nga trojet e tyre me gjenocid nga ushtria greke EDES e drejtuar nga Napoleon Zervas në vitin 1944.

Atëkohë, shteti grek akuzoi çamët se kanë qenë bashkëpunëtorë të nazistëve gjermanë, një akuzë që siç theksoi Sherifi, nuk u vërtetua asnjëherë shkencërisht nga shteti grek.

“Konservimi nga ana e Greqisë e shtëpive dhe tokës private që pronarë të vërtetë janë shqiptarët, tregon qartë se spastrimi etnik i Çamërisë nga elementi shqiptar ka pasur prapavijë politike e pa mbështetur në asnjë fakt për akuzën e bashkëpunimit me gjermanët”, tha Sherifi.

Ai më tej u shpreh se i kërkojnë Greqisë që shqiptarëve nga Çamëria t’u lejohet të rikthehen për të vizituar shtëpitë dhe varret e të parëve, duke shtuar se çamëve u mohohet çdo e drejtë njerëzore, madje edhe vizita si turistë në Greqi.

Ai gjithashtu theksoi thirrjen drejtuar Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian që t’i bëjë thirrje Greqisë, si anëtare e BE-së, të ndalojë diskriminimin etnik dhe fetar ndaj çamëve.

Pa zgjidhje të çështjes çame, theksoi Sherifi, asnjëherë nuk do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë midis dy popujve.

“Shqiptarët kudo që janë, gjithnjë do kërkojnë të drejtat e tyre, do kërkojnë zgjidhjen e çështjes çame si një çështje gjithë-kombëtare. Prandaj ne i themi stop diskriminimit racor e fetar që bën Greqia ndaj shqiptarëve të Çamërisë”, tha Sherifi.

– Ambasada Greke në Shkup refuzoi letrën protestuese

Pas leximit të letrës protestues, ishte paraparë që organizatorët të njëjtën ta dorëzojnë në Ambasadën Greke në Shkup. Por, Erduan Dauti, njëri nga të pranishmit, tha se kjo nuk ishte e mundur pasi Ambasada refuzoi të pranojë letrën.

“Sot ishte dita kur një këshill në mënyrë simbolike u desh të dorëzojë një letër protestuese deri tek ambasada. Fatkeqësisht, nga ana e ambasadës nuk janë të gatshëm as këtë letër protestuese ta pranojnë. Për atë arsye, ne këtë letër përsëri do e dërgojmë nëpërmjet postës, por në mënyrë fizike këtë letër nuk na e pranojnë”, tha Dauti.

Ai gjithashtu u ankua për praninë e shtuar policore, bllokimin e rrugës dhe ndalesën e të tubuarve disa metra larg ndërtesës së ambasadës, pasi siç u shpreh ai, ky ishte një tubim paqësor i paralajmëruar.

Java Çame në Shkup është organizuar nga një këshill i përbërë nga disa shoqata joqeveritare nga Maqedonia e Veriut, në koordinim me shoqatën “Çamëria” nga Shqipëria dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) nga Shqipëria.

/AA

Prev Post

Raporti i OKB për drogën: Shqipëria në vend të shtatë në botë për kanabisin

Next Post

Lajçak: Zgjidhja e çështjes së të pagjeturve mbetet urgjente

post-bars

Leave a Comment