Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, bin Salman vizitoi Turqinë
Sipas një deklarate të përbashkët, presidenti Erdoğan dhe princi saudit i kurorës theksuan vendosmërinë e vendeve për të nisur një epokë të re të bashkëpunimit gjithëpërfshirës në shumë fusha
Presidenti turk dhe princi saudit i kurorës diskutuan sot për epokën e re të bashkëpunimit në lidhjet dypalëshe, duke përfshirë marrëdhëniet politike, ekonomike, ushtarake, të sigurisë dhe kulturore, transmeton AA.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan priti Princin e Kurorës Mohammed bin Salman me një ceremoni zyrtare në kryeqytetin Ankara.
Sipas një deklarate të përbashkët, liderët theksuan vendosmërinë e vendeve për të nisur një epokë të re të bashkëpunimit gjithëpërfshirës në shumë fusha.
Ankaraja dhe Riadi vendosën të thellojnë konsultimet dhe bashkëpunimin për çështjet rajonale për të forcuar stabilitetin dhe paqen, thuhet në deklaratë.
Të dy liderët u zotuan të zhvillojnë dhe ruajnë bashkëpunimin mbi bazën e “vëllazërisë historike” të dy kombeve për të ardhmen e rajonit.
Gjithashtu, ata theksuan rëndësinë e rritjes së numrit të fluturimeve, lehtësimin e tregtisë dypalëshe, eksplorimin e mundësive për investime dhe shndërrimin e tyre në partneritete konkrete.
Arabia Saudite shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Türkiye-s për kandidaturën e Riadit për të organizuar EXPO 2030, sipas deklaratës së përbashkët.
Në fund të muajit prill, Erdoğan zhvilloi një vizitë pune dyditore në Arabinë Saudite me qëllim rritjen e lidhjeve dypalëshe.
Gjatë vizitës së tij, Erdoğan takoi mbretin saudit, Salman bin Abdulaziz Al Saud, si dhe princin saudit, me të cilët diskutoi çështje të ndryshme ndërkombëtare, rajonale dhe dypalëshe.
Gjatë kthimit në Türkiye pas vizitës së tij në Arabinë Saudite, Erdoğan tha se Türkiye dhe Arabia Saudite janë të vendosura të vazhdojnë përpjekjet për interesat e përbashkëta dhe stabilitetin e rajonit.
Ndërsa negocionte me Egjiptin, Izraelin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për normalizimin e marrëdhënieve, Erdoğan i përshkroi këto përpjekje si një “epokë të re” për një proces të krijimit të miqve dhe jo armiqve.
/AA