Ndërron jetë ish-presidenti, Bujar Nishani
Lajmi për vdekjen e ish-presidentit Nishani është konfirmuar nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta
Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare, pas disa problemeve shëndetësore.
Nishani ka ndërruar jetë sot në Gjermani, ku ishte i shtruar prej disa javësh në një spital për shkak të problemeve nga një infeksion pulmonar dhe problemeve të tjera shëndetësore.
Lajmi për vdekjen e ish-presidentit Nishani është konfirmuar nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në rrjetet sociale.
“Presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion. Kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt”, ka shkruar Meta.
Bujar Nishani u lind më 29 shtator 1966 në qytetin e Durrësit. Studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë dhe për Jurisprudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës.
Karriera politike e ish-presidentit Nishani ka kaluar në disa etapa në Partinë Demokratike të Shqipërisë, si dhe në institucionet e vendit.
Përveç postit të presidentit të Shqipërisë në vitet 2012-2017, Nishani ka mbajtur edhe postin e ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Drejtësisë të Shqipërisë.
/AA