Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Nafta në Shqipëri më e shtrenjta në Europë, fuqia blerëse si në vendet e Afrikës

Nafta në Shqipëri më e shtrenjta në Europë, fuqia blerëse si në vendet e Afrikës

Një shqiptar duhet të shpenzojë mesatarisht gati 20% të të ardhurave ditore për të blerë një litër naftë, me çmimet e sotme, më shumë sesa çdo qytetar tjetër në Europë dhe e 17-a në botë.

Çmimet e naftës kanë shënuar një tjetër rekord së fundmi, duke arritur në nivele të papara ndonjëherë prej 250-260 lekë për litër, ose rreth 2.3-2.4 dollarë. Me të ardhurat për frymë që janë rreth 4400 dollarë në vit, sipas Bankës Botërore, ndër më të ulëtat në Europë, shtrenjtimi i karburanteve do peshojë më shumë jo vetëm në xhepat e atyre që kanë makina por edhe indirekt përmes shtrenjtimit të transportit dhe produkteve të tjera zinxhir.

“Monitor” ka përllogatur shpenzimet ditore, që duhen për blerjen e një litri naftë për 135 shtete në botë, në raport me të ardhurat totale, bazuar në çmimet e naftës në dollarë sipas Global Petrol Price dhe të ardhurave për frymë në dollarë të publikuara nga Banka Botërore.

Pas Shqipërisë renditet Kosova, shteti më i varfër i Europës, me 18% të të ardhurave ditore, për shkak se çmimet e naftës janë pak më të lira se tek ne (aktualisht rreth 2 dollarë për litër).

Edhe në vlerë absolute, Shqipëria, me nivelet aktuale, renditet ndër 10 vendet më të shtrenjta në botë, se bashku me Finlandën, Belgjikën, Danimarkën, Hong Kongun, Norvegjinë, Suedinë, që ka karburantin më të shtrenjtë në botë, me 2.6 dollarë për litër. Por, të ardhurat për frymë të suedezëve janë 51.4 mijë dollarë në vit, ose rreth 12 herë më shumë se të Shqipërisë. Si rrjedhojë një suedezi i duhet vetëm 1.9% e të ardhurave mesatare ditore për të blerë një litër karburant. Edhe një gjermani i mjaftojnë po rreth 2% e të ardhurave ditore.

Pas Shqipërisë dhe Kosovës, nafta më e shtrenjtë në Europë, sipas fuqisë blerëse është në Ukrainë, me rreth 18% të ardhurave ditore. Ndonëse çmimi i naftës në shtetin që tashmë po vuan pasojat e pushtimit të Rusisë është 1.1 dollarë për litër, të ardhurat e tyre janë sa gjysma e atyre në Shqipëri (shiko tabelën në fund).

Në rajon, serbëve u duhen 9.2% të të ardhurave ditore (kanë të ardhura më të larta dhe çmime nafte më të ulëta), malazezëve 8.8%, boshnjakëve 11%.

Një rumuni i duhen 5.5% e të ardhurave ditore, një italiani vetëm 2.5%, një greku 3.9%.

Fuqia blerëse e naftës në Shqipëri njësoj si në Afrikë

Shtetet që kanë karburant më të shtrenjtë në botë, në raport me të ardhurat përgjithësisht janë në Afrikë.

Në Mozambik, ndonëse nafta kushton më pak se një dollar, të ardhurat shumë të ulëta për frymë bëjnë që të duhen 60% e të hyrave ditore për të blerë një litër naftë. Shqipëria “konkurron” me shtete të tilla si Zimbabve, Afganistan, Ruanda, Etiopi, apo dhe Pakistan në Azi, që janë ndër vendet më të varfra të botës, duke u renditur e 17 në botë (shih grafikun në fund).

Nafta më e lirë në botë është në shtete kryesore prodhuese si Katar (0.4% e të ardhurave ditore), Arabia saudite, Libia, Irani (0.1%).

Rritja e shpejtë e çmimeve

Çmimi i naftës u rrit me shpejtësi në vend ditët e fundit. Brenda një javë, që nga e enjtja e javës së kaluar, çmimi i naftës është shtrenjtuar me 4 herë.

Vetëm të mërkurën e një jave më parë nafta tregtohej me 192 lekë, pra është rritur me 57 lekë, ose 50%, për të arritur në 250-260 lekë për litër.

Operatorët e tregut e lidhin shtrenjtimin me rritjen e karburanteve në bursa, ku nafta arriti të mërkurën në mëngjes në 130 dollarë për fuçi, por më pas u ul në 120 dollarë, nga rret 90 dollarë që ishte në dhjetor dhe me zhvlerësimin e dollarit, që arriti në 116 lekë, por që ra të mërkurën, pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë.

Ndërkohë Autoriteti i Konkurrencës njoftoi ka hapur një hetim paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve. Sipas këtij institucioni, shkak është bërë rritja e çmimeve të nënprodukteve të naftës duke filluar nga muaji shkurt.

Me çmimet e karburanteve që kanë kapur majat, shqiptarët pritet të paguajnë shumë më teper për të udhëtuar, si përmes mbushjes së makinave të tyre, ashtu dhe indirekt në kostot e transportit e produkteve të tjera të lidhura me arin e zi, minimalisht 300 milionë euro më shumë./Monitor/rrugapress

Prev Post

Kur Mbreti Zog pinte 240 cigare në ditë

Next Post

Snajperi më vdekjeprurës në botë mbërrin në Ukrainë, trondit me atë që thotë: Kur erdha takova…

post-bars

Leave a Comment