Vendoset “Ushtari i Panjohur” në Prishtinë, artisti Berisha: Skulptura çarmatoset prej formave estetike që fokus kanë bukurinë
Një skulpturë tejet e veçantë e krijuar nga artisti Burim Berisha së fundmi është vendosur në lagjen Dardania në Prishtinë, realizimi i së cilës mori gjithsej gjashtë muaj e që zbulimi i saj pritet të bëhet pas përfundimit të rregullimit në park si dhe ndriçimit. Andaj, zbulimi zyrtar do të vjen pas datës 21 mars, shkruan KultPlus.
Epiteti për skulpturën nga disa banorë të lagjes gjatë instalimit fillimisht mendohej të ishte “Bukuroshja Dardane”, por tani ajo mban emrin “Unknown soldier” (Ushtari i Panjohur), emërtim i cili në gjuhën shqipe konsiderohet se “ngacmon” si epitet mashkullor dhe si fakt që ka edhe “ushtare” të cilat luftojnë çdo ditë për zhvillimin e shoqërisë.
Duke pasur parasysh se portretet kryesisht janë format artistike skulpturale me anë të së cilave artisti Berisha i komunikon përjetimet, ngjarjet, dashurinë, mirënjohjen e shumë të tjera, ai ka vendosur që në këtë rast, emocionet e tij t’i paraqes me anë të akustikës dhe interaksionit si formë e re e skulpturës kosovare.
Ideja e tij për të realizuar këtë skulpturë në formë të artit publik ku komunikimi është direkt, ka ardhur si rezultat i kohës së tranzicionit që po ndodh në shoqëri, shenjave të ngritjes së vetëdijes në shoqëri ku kontributi i grave ka filluar të njihet. E tëra kjo mendohet të ketë ardhur si pasojë e punës dhe mundit të jashtëzakonshëm që kanë bërë gratë në të gjitha fushat e mundshme, por edhe si pasojë e vështirësive që kanë pasur, pas gjithë obligimeve dhe ndalesave të shtyra nga një shoqëri tradicionale dhe mjaft patriarkale. Andaj dhe është dashur të gjendet një kohë edhe për ngritje kulturore dhe akademike, të cilën e kanë arritur me mjaft sukses për një kohë të shkurtër.
“Ideja ishte që të bëhet diçka që të jetë si formë monumenti kushtuar këtij kontributi dhe kësaj vlere e cila nuk gëzon mirënjohjen e mjaftueshme akoma. Kjo skulpturë është e “çarmatosur” prej formave estetike, trupit dhe format e tjera të trupit me fokus të veçantë tek bukuria, dhe ka vetëm portretin që e përfaqëson së bashku me formën e modelimit ekspresiv, dimensioneve relativisht të mëdha që tregojnë prezencë, qëndrim stabil e të fortë edhe pse ka gjurmë dhune nga jeta. E gjitha kjo besoj që do të krijojë një ndjenjë mirënjohjeje dhe emancipimi, deri te barazia gjinore”, thotë Berisha për KultPlus.
Sipas tij, portreti i ka sytë mbyllur si shenjë force edhe përkushtimi ndaj “luftës” për emancipim duke fshehur të gjitha vështirësitë të cilat prapëseprapë fshihen përmes gjurmëve të jetës të cilat po ashtu artisti i ka shfaqur përmes formës së modelimit.
“Edhe pse shpjegimi i punimit artistik nga ana e artistit e dëmton veprën dhe i ndalon apo udhëheq përjetimet e shikuesit, skulptura në këtë rast duhet të komunikoj vetëm përmes përjetimit dhe prezencës e interaksionit, kurse unë po jap vetëm disa nga ato mendimet, përjetimet apo botëkuptimet e mija të cilat më kanë udhëhequr gjate realizimi të kësaj skulpture”, thotë Berisha për KultPlus.
Ndërsa, rolin e gruas në shoqëri artisti e sheh shumë të rëndësishëm dhe të barabartë, bazuar në kapacitete psikofizike të çdo personi pa dallim gjinie. Por që tek ne dhe shume vende tjera në zhvillim roli i gruas vlerësohet pak dhe rrjedhimisht ka minimizim te barazisë gjinore.
“Me këto ndryshimet e viteve te fundit sidomos pas luftës 98-99 shohim një ngritje të rolit të gruas. Shembulli konkret është prezenca e gruas në te gjitha fushat dhe institucionet më të larta shtetërore. Kjo është një shenjë e emancipimit të shoqërisë kosovare edhe vetë fakti që po realizojmë një portret si ky i fundit mendoj që tregon rëndësinë e rolit të gruas në shoqëri në të gjitha fushat”, shpalos ai.
Ndërkaq, skulptura edhe mund të jetë “sitespecific”, por në këtë rast mund të ndërlidhet me emrin e lagjes dhe emrin e sheshit, lokacion të cilin e ka përzgjedhur Komuna e Prishtinës, duke e përshtatur me këto dy fakte.
Kjo skulpturë e punuar nga artisti Burim Berisha është financuar nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com