Rubrika letrare Kontakt| 3 poezi nga Arbër Selmani
Të pres në xhaminë e qytetit
Të pres në xhaminë e qytetit
mes lutjeve e mëkateve
eja thuaji Zotit se je më i vogël se ai
je turpi i jetës sime
eja lutu
jepi me gojë frazat që t’i mësoi Libri i Shenjtë
në hyrje, zhvishi këpucët
trosha buke jepi asaj gruas rome te dera,
ec në turmën e burrave,
dhe afrohu
ku të më gjesh.
Të pres në xhaminë e qytetit
eja falju Tokës, falju Diellit, falju kafshëve
çdo shpirti që shtrëngon
jam në rendin e parë
eja dhe bashkë flasim
eja përmendja të madhërishmit, sa i pafuqishëm je ti
ti, plaga e madhe e dashurisë.
Të pres në xhaminë e qytetit
eja në tempull, ti krimb i keq
eja dylufto me kohën kur ishe burrë i mirë
kur ishe insan
i kam hapur dritaret, hoxha po e pret shiun
unë po të pres ty
qyteti po e pret këngën e shpëtimit.
të pres në xhaminë e qytetit
të vish
të kuptohemi për herë të parë.
vishe këmishën e gjelbër, bëhu mbret i fesë islame
shikojmë kupolat, sherefet, minaret,
ti qan për veten
unë qaj pse nuk qava kurrë.
Të pres në xhaminë e qytetit
Eja, edhe nëse nuk më do
Eja se ke heshtur boll
mendja jote ka agjëruar gjatë,
Eja e thuaji të madhit dhe shokëve të tij
që njerëzit e mirë sot nuk janë në këtë xhami.
Të pres në xhaminë e qytetit
eja, të lutem, sepse as unë nuk të dua
përkulemi në tepihun e pastër kadife
te dera, gjuaji përtoke pallavrat që të mbajnë gjallë
Ulu afër meje, mos e shaj krijuesin.
Më gjej në qetësi, jam aty ku ulet njeriu i mjerë
afrohu, mos ma kap dorën,
mbylle gojën, lutu për mua a për veten,
jam duke të pritur
në xhaminë e fundit të dy jetëve tona.
*
Zoti shëron
Zoti e ka krejt forcën, krejt djersën
Krejt plagët e botës i ka të shtypura në miliona libra
Ai i lexon, i shëron.
Me Bibël e Kuran poshtë shtratit,
I njëjti është
Si Zoti i të pasurit a i të ngratit.
Zoti e ka penën më maestrale në botë
Zoti pret, por ai din me shëru.
Zoti i ka krejt ëndrrat tona në sirtare
Zoti pret, gëlltitë kafen e mëngjesit dhe shfleton librin e fundjavës
Shijon natyrën, kafshët, drunjtë,
Zoti na ka në palmën e dorës
Polin e Jugut, Polin e Veriut, fatin e njeriut
Zoti shëron, Zoti din me shëru.
Zoti sjellë ilaçin aty ku koka është plagu.
I ka edhe ai lutjet e veta, jetët tona të shkreta
Pret, mahnitet me recitime, me bukuritë, me dashuritë.
Ai i madh, ne të vegjël
Zoti është Dielli, ne tjerët veç marrim dritë.
Zoti shëron,
Sheh këmbët që nuk lëvizin, sheh gojën që frikësohet të flasë
Sheh degët e thara të lisit
Sheh vesën e butë të mëngjesit
Sheh motrat që e lëngojnë vëllaun e vdekur
Sheh sëmundjet, gjakun e çpuar, aortën e lënduar
Sheh spitalet, sheh dhomat e shtëpive të shndërruara në spitale
Sheh sytë e vajzës që nuk sheh
Sheh bukën që përmbyset, sheh shiun e krejt hyjnive
Sheh malet mbi ne, drenushat e mbytura përdhe
Ne bëjmë gjumin, fundosemi në krim, por unë besoj që ai nuk fle.
Zoti sheh se i ka të pafundme imazhet e vizionet
Zoti shëron, ky Zot i madh i shtatë botëve
Din me shëru
Pret, vonon, hekurosë këmishën më të hijshme
Zoti para pasqyres, burrë me syçka të përndritshme
E kërkon edhe ai pak kohë për vuajtjet e tij.
Zoti i sheh të vajtuarit, të lënduarit,
Zoti sheh, nuk rënkon
I disave, Zoti i tyre, mallkon
Zoti im pret, por shëron.
Këtu mes neve ai banon.
*
Maduja
Nuk njoh burrë tjetër si Maduja.
I madh në plotninë e tij, i rrëmbyeshëm
I vrulltë, shpejtësi që nuk kontrollohet, i zjarrtë,
Ma rroku belin me gishtat furtunë,
Pak i kaftë, i kafshuar prej valëve të detit
I kristaltë, pa flokë,
Nuk është koha të thyhet ky trup i bëftë.
Nuk njoh burrë tjetër që më ka puthur me aq triumf,
sa Maduja.
Natën vonë, më përtypi si të isha ansambël këpurdhash
Ky Madu, me epshin e tij dru,
Si asnjë tjetër.
Me një gojë me shije bambusi, i errët, në momente i dritshëm
I vë gaz flakës ku më ka gjuajtur me sa forcë ka.
Ai,
Maduja.
Nuk njoh burrë tjetër që më ka çmuar me aq kujdes,
sa Maduja.
I guximshëm, puthi trupin tim me saktësi matematike,
Me dy duar si të ishin tetë, a dhjetë, më dha jetë,
Maduja,
I trandur, i futur në vaskën e bukurisë, i lëmuar
Lëng frutash po shijoja, pa blerë asnjë në dyqan
Trupi i kockuar bukur i Madusë
Shtog, Shegë, Kokos, Shafran.
Nuk njoh burrë tjetër me shpirt të hekurtë e të njomë,
sa Maduja.
I pashëm sa s’ka, një plagë e rinisë në fundin e barkut, burrë murrlan
I jashtëzakonshëm, nisa të lehja si kafshë,
Maduja, ky mësues biologjike e fizike
Ma la mbi këmbë mua kiminë e tij të përjetshme,
Le të ndalen dritat e të gjitha stadiumeve pa dashnorë,
I imi Madu,
E përthekoj, pij tërë natën ujëvarën e tij, mbetet mbret me kurorë.
Nuk njoh burrë tjetër që më bën të shtangem, të mpihem,
Si Maduja.
I përpiktë, i rrebelshëm, lehtazi m’i ra thikë zemrës,
Një rezervuar i mbushur me kënaqësi, një maje mali që flladitë
Nuk ka si Maduja im,
Nuk ka mundësi të ketë një të dytë
Që më zhytë, që ma humbë kthjelltësinë, që më kredhë mes gjoksit
Ante i botës sime.
Me Madunë, bëj be në atë natë
Më krijoi për së dyti, ma largoi etiketën ‘i ngratë’.
Atë natë, vdekja do të më ishte e sheqertë,
fushë e blertë,
Si emri yt
Madu.