Serbia në presion, duhet të përcaktohet: Me Rusinë apo me botën demokratike
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka udhëhequr sot mbledhjen e Këshillit për Siguri Nacionale të Serbisë. Pjesëmarrësit nuk janë deklaruar ende, ndërkohë që temë ishte situata në Ukrainë.
Sreqko Gjukiq, ish-ambasador dhe përfaqësues i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Lëvizjes Evropiane në Serbi, thotë se në këtë mbledhje si çdo herë tjetër nuk beson se është marrë ndonjë vendim. Por sipas tij, është koha që Serbia të vendosë, pa dëshirën e saj.
Gjukiq në një intervistë për gazetën “Danas” tha se Serbia duhet të përcaktohet se në cilën anë do të jetë, me Rusinë që po akuzohet se po synon pushtimin e Ukrainës apo me botën perëndimore.
“Autoritetet serbe do të duhet të deklarohen jo vetëm në rast të luftës, por edhe në rast të një krize të zgjatur. Këtë do ta kërkojnë të gjithë”, ka thënë ai.
Serbia në vazhdimësi është mburrur me miqësinë që ka me Rusinë, ndonëse synon anëtarësimin në BE. Para pak ditësh, Ministria e Punëve të Jashtme të këtij vendi, e pyetur se cili është qëndrimi i Serbisë në krizën e Ukrainës, ka dhënë qëndrim oportunist, duke pohuar se si ukrainasit ashtu edhe rusët janë popuj miq të serbëve.
Rruga Press