Si po ndikon pandemia në shëndetin mendor
Dy vjet pas fillimit të pandemisë, problemet që ka shkaktuar janë të shumta… Shumë njerëz kanë humbur jetën, e shumë të tjerë vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.
“Para pandemisë, një në dhjetë të rritur raportonte simptoma të ankthit dhe çrregullimit depresiv. Tani hulumtimi ynë më i fundit tregon se rreth 3 në 10 të rritur po i raportojnë këto simptoma”, thotë Nirmita Panchal, Fondacioni “Kaiser Family”.
Të rriturit që punojnë, ata me më shumë përgjegjësi gjatë pandemisë, duket se janë më të prekurit.
“Ne shpesh këta njerëz i etiketojmë si ‘brez sanduiç’, sepse u duhet të kujdesen si për fëmijët, edhe për prindërit e tyre. Ata duhet të balancojnë nevojat e punës me kujdesin për prindërit që kanë më shumë nevoja tani për shkak të izolimit social, si dhe për fëmijët e tyre. Fëmijët e tyre ndoshta po vijojnë shkollën nga shtëpia dhe kështu që duhet të menaxhojnë dhe jetën e tyre shoqërore”, thotë Lisa Brown, nga Universiteti “Palo Alto”.
Psikologët thonë se pandemia i ka prekur të gjithë.
Një shumicë dërrmuese e amerikanëve kanë një të afërm ose mik të ngushtë që ose ka humbur jetën nga koronavirusi, ose ka kaluar një sëmundje në fazë të rëndë. Shumë të tjerë kanë humbur punën e tyre, fëmijëve u mungon koha që kalonin me bashkëmoshatarët e tyre dhe po ashtu normat e divorcit janë rritur.
Ekspertët e quajnë këtë traumë kolektive dhe një nga arsyet kryesore pas saj është pasiguria.
“Kur ndodhën sulmet terroriste të 11 shtatorit, ose kur ka një uragan apo një tornado, ka një datë kur fillon dhe mbaron. Dhe ajo që njerëzit bëjnë më pas është të përpiqen të rindërtojnë jetën e tyre, të përpiqen të rikuperohen emocionalisht nga ngjarja. Dhe nga ajo që po shohim tani ne nuk patëm një fillim të qartë, nuk kemi një fund të qartë, pra ky është stres kronik”, thotë Roxane Cohen Silver, Studiuese në Universitetin e Kalifornisë.
Ekspertët thonë se mënyrat standarde për të luftuar ankthin nuk funksionojnë plotësisht në këtë rast. Këshillat që shpesh u jepen njerëzve që ndihen të dëshpëruar si takimet e shumta me miqtë, udhëtimet, vizita tek prindërit dhe eksplorimi i vendeve të reja thjesht nuk janë të sigurta gjatë pandemisë.
“Dhe si mund ta bëni këtë kur informacioni që vjen autoritetet shëndetësore është: ‘Mos shkoni në vende të mbushura me njerëz! Nëse e doni muzikën, mos shkoni në një koncert, mos shkoni në kinema, mos shkoni në kishë apo sinagogë!’. Sepse ato janë vende ku njerëzit mblidhen”, thotë Cheryl Carmin, studiuese për ankthin në Universitetin Shtetëror të Ohajos.
Vetë psikologët po përjetojnë të njëjtat vështirësi si gjithë të tjerët. Ekspertja e traumës, profesoresha Lisa Brown nga Universiteti i Palo Altos thotë se ajo përpiqet të flasë me miqtë dhe të dashurit sa më shumë që të jetë e mundur.
“Kjo është koha për të folur me miqtë. Unë kam pasur shumë miq nga universiteti me të cilët nuk kam folur për një kohë të gjatë dhe ata më telefonojnë. Dhe me të vërtetë më bën të ndihem e emocionuar dhe e lumtur. Jam e emocionuar deri në vdekje që bënë atë përpjekje për të më telefonuar. Le të telefonojmë njëri-tjetrin. Le të qëndrojmë në kontakt. Le t’i dërgojmë një letër njëri-tjetrit”, thotë ajo.
Ekspertët thonë se trauma nuk do të marrë fund menjëherë, edhe nëse kufizimet e COVID-19 hiqen së shpejti. Ata thonë se për shumë njerëz, do të duhen vite për t’u marrë me ndikimin psikologjik të pandemisë./ Voa