Nga dvd e “fenomenit” Ronaldo tek magjitë me Southampton, kush është Broja, ylli i ri i Premier League
Fizik robust, një shikim drithërues dhe një klas i gjithi për tu shijuar. Këto janë disa nga virtytet e Armando Brojës, një sulmues i ditëlindjes 2001, pjesë e Southampton por në pronësi të Chelsea. Me “shenjtorët” ka shënuar 6 gola në 19 ndeshje duke u projektuar gjithnjë e më shumë si ylli i ri i Premier League. Është 191 cm, ka një fizik për tu admiruar, ndërsa së fundmi ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, mbi të gjitha ka tërhequr vëmendjen e Arsenal, ku Arteta e ka vendosur në majën e listës së dëshirave. Broja nuk është një emër i panjohur edhe në Serie A, në verë Udinese shfaqi një interesim konkret për këtë. Broja nuk është thjesht një sulmues zone, atij i pëlqen shumë të driblojë, është i shpejtë dhe i rrezikshëm në kundërsulme.
Talenti shqiptar ka një miks perfekt që ka bërë që gjysma e Premier League të çmendet pas tij, me këto fjalë “Calciomercato.com” nis përshkrimin për Armando Broja duke treguar shumë detaje nga jeta e tij, nga idhujt që ka në futboll deri tek ambicia për të “pushtuar” Londrën. Broja ka lindur në Angli, nga dy prindër shqiptar, që i vogël ka shfaqur një pasion të madh për futbollin. Hapat e parë i kishte tek Burnham Juniors, një skuadër lokale në Londër për tu transferuar më pas tek Tottenham, skuadër ku qëndroi për dy vite përpara se në 2009 të kalonte tek të rinjtë e Chelsea, skuadër që ka në pronësi kartonin e tij, së fundmi firmosi deri në 2026, ndërsa më herët, përpara se të kalonte tek Southampton në formë huazimi, qëndroi një vit tek Wittese në Holandë, një mundësi e shkëlqyer për të shpërthyer.
Djemtë e moshës së tij nuk e kujtojnë dot Ronaldo, fenomenin, sulmuesin brazilian. Kur Ronaldo ishte pjesë e PSV, Broja nuk kishte lindur ende, por kjo ka pak rëndësi, Dvd, youtube dhe Google i krijuan mundësitë që të shijonte klasin e fenomenit, të dashurohej pas tij: “Ka qenë një lojtar i jashtëzakonshëm, kam parë pafund ndeshje të tij, inspirohem shumë nga ai. Ishte i shpejtë, gjeni, kishte gjithçka”, është shprehur Broja pak kohë më parë në lidhje me idhullin e tij. Ëndrrat e Brojës nuk kanë limite, mbase jo për të shkuar kaq lart sa fenomeni, por sigurisht ëndrra e tij është të rikthehet në shtëpi, në “Stenford Bridge” për të “pushtuar” Londrën.
(BalkanWeb)