Liderët botërorë urojnë Kosovën për përvjetorin e pavarësisë
Të enjten më 17 shkurt, Kosova do të shënojë 14-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Me këtë rast, liderë institucionalë botërorë kanë dërguar telegrame urimi për përvjetorin e pavarësisë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar telegram urimi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për 14-vjetorin e pavarësisë.
Në këtë telegram, presidenti amerikan potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës.
Duke vlerësuar angazhimin e Kosovës në ndërtimin e raporteve të mira ndërfqinjësore, presidenti amerikan flet për dialogun Kosovë-Serbi dhe kërkon që dialogu të përqëndrohet në njohje reciproke.
“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhet në telegram.
Në këtë letër urimi, presidenti Biden flet sërish për lidhjen e veçantë që familja Biden ka me vendin tonë.
“Siç e dini, Kosova zë një vend të veçantë në zemrat e familjes Biden. Ju falënderoj përsëri për nderimin e madh që i bëtë djalit tim, Beau, kur i dhatë atij post-mortem Medaljen Presidenciale për Sundimin e Ligjit vitin e kaluar”, vijon letra.
Edhe kryesuesi kroat i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelko Komshiq, i ka dërguar një urim presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për përvjetorin e pavarësisë.
Në urimin e tij, Komshiq tha se Bosnja e Hercegovina dhe Kosova ndajnë prioritete strategjike të politikës së jashtme, siç janë anëtarësimi në NATO dhe Bashkim Evropian. Ai theksoi se ky qëllim arrihet vetëm duke bashkëpunuar me partnerët që ndajnë të njëjtat vlera.
“I inkurajuar dhe i gëzuar për përmirësimin e raporteve e dy shteteve tona mike, ne jemi të bindur se bashkëpunimi ekonomik, politik dhe çdolloj bashkëpunimi tjetër, por edhe raportet miqësore midis Bosnje e Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës do të jenë të një rëndësie të posaçme për qytetarët e shteteve tona në një të ardhme të afërt”, ka thënë Komshiq.
Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, që është shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.
Presidenca trepalëshe e Bosnjës është përgjegjëse për politikën e jashtme. Kjo presidencë ka votuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës për herë të parë në mesin e shtatorit të vitit 2020. Por, anëtari serb i kësaj presidence, Millorad Dodik, votoi kundër njohjes së Kosovës, ndërkaq dy anëtarët e tjerë, Komshiq dhe Shefik Xhaferoviq nga komuniteti boshnjak, votuan për.
Që një vendim të merret nga Presidenca trepalëshe, kërkohet që të ketë votë unanime, raportoi Radio Evropa e Lirë.
Të martën, ambasadorja e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo ia ka dorëzuar Presidentes Osmani telegramin e urimit të mbretit të Holandës, Willem-Alexander R., për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kosova deri më tani është njohur nga 117 shtete.
Rruga Press