“Kosova me pjesëmarrje të suksesshme në panairin EMITT 2022 në Turqi”
“Përveç ofertës turistike të vendit, u prezantuan tradita, kultura dhe pasuria e gastronomisë së Kosovës. Mundësuam mbi 70 takime mes bizneseve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare”, tha Hoti
Prishtinë
Unioni i Turizmit të Kosovës (UTK) e ka konsideruar si të suksesshme dhe me prezantim dinjitoz të ofertës turistike pjesëmarrjen e Kosovës në panairin EMITT 2022 (Ekspozita Ndërkombëtare e Turizmit dhe Udhëtimit në Mesdheun Lindor) që u mbajt në Turqi nga 9 deri më 12 shkurt, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas UTK-së, 16 bizneset kosovare që morën pjesë në këtë panair vendosën një standard të ri të përfaqësimit të aspektit turistik, kulturor dhe gastronomik, si dhe në krijim të lidhjeve të reja afariste ndërmjet bizneseve kosovare dhe atyre ndërkombëtare.
Drejtori ekzekutiv i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti i cili organizoi pjesëmarrjen e Kosovës në këtë panair, tregon se si rezultat i këtij panairi, brenda muajit mars do të nënshkruajë një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Turizmit të Maqedonisë së Veriut.
Ai njoftoi se gjate muajit maj, me ftesë të kryetarit të Bursës, një delegacion i UTK-së dhe i operatorëve turistikë të Kosovës për 4 ditë do të prezantojnë atje ofertën turistike të vendit, ku do të nënshkruhet edhe një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Bursës dhe UTK-së.
“Dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë përfaqësuesit e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Stamboll si dhe të Shoqatës Kulturore të Bursës për vizitën e tyre në hapësirën ekspozuese të Kosovës dhe për bashkëpunimin që kanë ofruar” tha ai.
Po ashtu, UTK ka nënshkruar një parakontratë me organizatorët e panairit EMITT dhe kanë siguruar për vitin 2023 hapësirën e favorshme për ekspozim.
Sipas Hotit, pjesëmarrja e 16 bizneseve të Kosovës nga sektori i turizmit në panairin EMITT të vitit 2022 ishte një ndër prezantimet më të mira të Kosovës në panaire të ngjashme ndërkombëtare.
“Përveç ofertës turistike të vendit, u prezantuan tradita, kultura dhe pasuria e gastronomisë së Kosovës. Mundësuam mbi 70 takime mes bizneseve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, zgjeruam aktivitetet dhe rritëm numrin e bizneseve të huaja të interesuara të bashkëpunojnë me ne”, shtoi drejtori i unionit.
Pjesëmarrja e 16 bizneseve të Kosovës në panairin EMITT u organizua nga UTK i cili ka për qëllim forcimin dhe zhvillimin e sektorit të turizmit, me mbështetje nga projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE).