Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Rubrika letrare Kontakt| 5 Poezi nga Marjeta Çurumi

Rubrika letrare Kontakt| 5 Poezi nga Marjeta Çurumi

Të pa botuara


Ne rritemi mike!


Ne rritemi mike
dhe e shohim botën me syun tonë të shpirtit,
ata sy që e kanë parë po ashtu si sot,
nën spektrin e buzëqeshjes,shpresës,trishtimit
Ne rritemi mike,
ndryshojmë,
por kurrë nuk i ikim ëndërrimit.
Ne rritemi mike
dhe e dëgjojmë botën me zërin tonë të zemrës,
me atë zë që ka folur ashtu si sot
nën tingullin e fjalës,poezisë,marramendjes
Ne rritemi mike,
fluturojmë,
por kurrë nuk i ikim heshtjes!
Ne rritemi mike
dhe ndiejmë me të dashurisë,nuancë ngjyruar
çdo kujtim të ëmbël brenda nesh,
me shpirtin,mbajmë fort shtrënguar!

Nuk do të vonojë ,këtë ta dish!


Nëse s’e sheh gjithnjë ylberin pas shiut
ose nga dritarëzat e qiejve,s’e sheh vesën tek pikon pikë-pikë
ta dish,do ketë të tjera përqafime ëndrrash
nga dielli i ftohtë i shkurtit që s’ngroh,mos ki aspak frikë!
Edhe nëse s’ mundesh dot të bisedosh shtruar me erën,
është vetëm fundi i një stine,ta dish,që do të ikë që pa gdhirë
Shumë shpejt trishtimit do t’i dërgosh vetëm letra malli të ëmbël
reve të mërzitura do t’u thuash shumë shpejt:Lamtumirë!
Nëse lastarët e lumturisë në pemën e shpirtit,akoma s’janë shtrirë
dhe një zhurmë e përzishme lotësh të shqetëson sërish
është pranvera e luleve që shkrin akujt e vetmisë brenda teje
nuk do të vonojë ,shumë shpejt do t’i shkrijë,këtë ta dish!

Ndonjë ditë


Ndonjë ditë ti do të ndalesh e do më thuash:
‘’Vërtet kaq shumë më paske dashur?!’’
Unë do të të shoh si shiheshim dikur
pastaj do të buzëqesh,ashtu si padashur!
Ti do të afrohesh e do të më shohësh
ashtu si më sheh kur kërkon të më kuptosh
do mundohesh të kapësh ndonjë gjurmë shakaje
ndonjë gjurmë rrengu,do përpiqesh të lexosh.
Dhe kur,prej tyre,s’do gjesh as edhe një
do buzëqeshësh dhe ti,me shikime dashurie
si dikur,në ajrin përreth nesh do ngrihen
kristale të ëmbla rrahjesh lumturie!

Kemi njëri-tjetrin


Po unë s’e di,s’e di si do jemi
kur balli i vogël,të na mbytet nga rrudhat
kur në flokë do shihen të parat thinja
dhe rreth e qark syve,do na sillen të plakjes flutura.
S’do di si do ecim,do flasim,do qeshim
kur si gjyshër,në mes,nga nipërit të jemi vënë
kur pas një nate pagjumësie,të lodhur nga kolla
me fytin që na grric,të gdhihemi të zënë.
Shiko,e di që të vjen për të qeshur
që për kaq larg mendoj,dhe pse kaq të rinj
por të kam thënë,kur mendoj për vitet që ikin
s’trembem aspak,thjesht i dua të mbushur me shumë dashuri.
Kur mendoj për ditët dhe netët që vrapojnë,
sa herë pranë teje,vë gjumë në sy
s’i trembem plakjes,largimit,vdekjes,
veç i lutem Zotit,të jemi të dy!
Veç i lutem Zotit që kështu si sot

dorën e lodhur,atëherë të ma shtrëngosh
dhe kur jastëku të na i vrasë supet e lodhura
me fjalët e buta,zemrën të ma qetësosh.
Dhe kur të gjithë në park të kenë ikur
a në shëtitje,të vizitojnë qytetin
kur vetëm të jemi,në shtëpi të trishtuar
ti të më thuash:”Mos u mërzit!Kemi njëri-tjetrin.”

Jeta është vetëm një ditë


Jeta është vetëm një ditë
Një nga ato ditë që zgjat aq sa trishtimet e tua,
sa hallet, mërzitë,
ec e jaket që s’kanë të sosur
buzë greminës së dashurisë dhe urrejtjes.
Jeta qenka vetëm një ditë!
Një ditë e zhytur në xhepat e dhembjes,
ku herë shtiremi si të lumtur,
herë fshihemi pas buzëqeshjes
duke shpresuar se asnjë nuk di t’i lexojë gjurmët e heshtjes…

|MEDIA KONTAKT ©Marjeta Çurumi

Prev Post

Vdes laureati i çmimit Nobel dhe zbuluesi i HIV-it Luc Montagnier

Next Post

Mungesa e punonjësve problem më bujqësi, 30 gra nga Nepali vijnë të punojnë në Lushnjë

post-bars

Leave a Comment