Përfitonin shuma të mëdha parash me mashtrime e transaksione financiare, goditet një ‘call center’ dhe në Durrës, 2 të arrestuar
Edhe në Durrës është goditur një rast i mashtrimit të qytetarëve përmes ‘call center-ave’, ku në pranga kanë rënë dy persona.
Gjatë operacionit të koduar “Call me”, policia ka vënë në pranga shtetasit F. L., 26 vjeç, dhe D. B., 42 vjeç, të dy banues në Durrës, si dhe ka sekuestruar dhjetëra pajisje kompjuterike.
Sipas policisë, personat e arrestuar kryenin mashtrime dhe transaksione financiare, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, nën mbulimin e aktivitetit si call center.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimeve kompjuterike, bazuar dhe në informaconet e siguruara në rrugë operative, nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Finanaciar në DVP Durrës, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Call me”. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
F. L., 26 vjeç dhe D. B., 42 vjeç, të dy banues në Durrës.
Arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, nëpërmjet platformave të ndryshme elektronike, kryenin mashtrime dhe transaksione financiare, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, nën mbulimin e aktivitetit si call center.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrim kompjuterik”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”./balkanweb