Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Rikthehet pesimizmi, treguesi i besimit në ekonomi e nis me rënie vitin 2022

Rikthehet pesimizmi, treguesi i besimit në ekonomi e nis me rënie vitin 2022

Treguesi i ndjesisë ekonomike e nisi me rënie vitin 2022. Mbështetur në vrojtimin periodik të Bankës së Shqipërisë, ky tregues ra me 1.7 pikë përqindje gjatë muajit janar, duke ngelur megjithatë sipër mesatares afatgjatë. Rënia e janarit erdhi pasi besimi në ekonomi ishte përmirësuar për dy muaj radhazi në fund të vitit të kaluar. Kjo rënie u përcaktua kryesisht nga tkurrja e besimit në sektorin e industrisë dhe shërbimeve dhe, në një shkallë më të vogël, nga rënia e besimit konsumator. Ndërkohë, treguesit e besimit në sektorët e ndërtimit dhe në atë të tregtisë u përmirësuan. Treguesi i besimit të industrisë shënoi rënie me 3.8 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar nga ecuria në rënie e balancës së prodhimit dhe kontratave porositëse. Megjithatë, pritjet e bizneseve për prodhimin, punësimin dhe për çmimet në të ardhmen janë në rritje. Treguesi i besimit në shërbime shënoi rënie me 4.2 pikë përqindje në muajin janar, i ndikuar nga performanca më e dobët e komponentëve të lidhur me ecurinë e biznesit dhe me kërkesën për shërbime. Në linjë me këta tregues, bizneset vlerësojnë edhe situatën aktuale të punësimit në rënie. Edhe treguesi i besimit konsumator shënoi rënie me 0.7 pikë përqindje në muajin janar, rënie që përkeqësoi pozicionin e tij krahasuar edhe me mesataren e vet afatgjatë. Ecuria e muajit janar pasqyroi vlerësimin më negativ të konsumatorëve lidhur me blerjet në shuma të mëdha si dhe pritjet për situatën e tyre financiare në të ardhmen. Nga ana tjetër, pritjet për situatën e përgjithshme ekonomike në vend kanë ardhur në përmirësim.

Treguesi i besimit në ndërtim iu rikthye përmirësimit në muajin janar, duke shënuar një vlerë 3.1 pikë përqindje më të lartë se sa një muaj më parë. Ky zhvillim u ndikua si nga përmirësimi i balancës për aktivitetin ndërtues ashtu edhe nga treguesi për kontratat porositëse. Rritje regjistruan dhe pritjet për nivelin e punësimit. Por, pritjet e bizneseve për çmimet regjistruan rënie, pas rritjeve të njëpasnjëshme të tre muajve të mëparshëm. Treguesi i besimit në tregti u rrit me 3.4 pikë përqindje në muajin janar, i ndikuar kryesisht nga vlerësimet më të mira të bizneseve për ecurinë aktuale të biznesit të tyre. Por, nga ana tjetër, pritjet për ecurinë e biznesit në muajt e ardhshëm, për porositë dhe punësimin janë në përkeqësim në krahasim me ato të muajit të kaluar.

Megjithëse performanca e ekonomisë shqiptare u përmirësua ndjeshëm vitin e kaluar, vala e fortë inflacioniste ka nisur të ndikojë ndjeshëm pritshmëritë dhe ndjesitë e biznesit dhe konsumatorëve për të ardhmen e afërt. Inflacioni në dhjetor arriti në 3.7%, niveli më i lartë në një dekadë, ndërsa pritet një rritje e tëmejshme e tij të paktën edhe për gjysmën e parë të këtij viti.

/shekulli.com.al

Prev Post

Probleme me motin në Korçë! Fshatrat s’kanë energji elektrike, bllokohen rrugët

Next Post

A lejohet të lahemi kur jemi të sëmurë?

post-bars

Leave a Comment